Kryetari i Parlamentit kanadez, Peter Milliken: Do të keni mbështetjen tonë për vazhdimin e reformave

Kryeministri Berisha u prit gjatë vizitës së tij në Kanada nga Kryetari i Parlamentit Kanadez, Shkëlqesia e tij, z. Peter Milliken.
Kryeministri Berisha e falënderoi Kryetarin e Parlamentit Kanadez për mikpritjen shumë të ngrohtë, si dhe e njohu atë me takimin miqësor që zhvilloi pak përpara me Kryeministrin e Kanadasë, z. Harper.
Kryeministri Berisha i shprehu Kryetarit të Parlamentit aspiratat e thella të shqiptarëve për anëtarësimin në NA, kjo për dy arsye kryesore: dëshira e shqiptarëve, që vijnë nga izolimi 50 vjeçar, për liri dhe të drejta, të cilat NA i ka mbrojtur dhe mbështetur kudo në botë, si dhe përkrahja dhe ndihmesa e NA-s për Kosovën.
Anëtarësimi në NA është një proces që 94% e shqiptarëve e dëshirojnë, ndaj ne kemi nevojë për mbështetjen tuaj në këtë proces, shtoi Kryeministri Berisha.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha i bëri Kryetarit të Parlamentit një panoramë të ecurisë së reformave që qeveria shqiptare ka ndërmarrë në shumë fusha, reformën në drejtësi, reformën në arsim, në sistemin fiskal, në Forcat e Armatosura, duke u ndalur në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Unë dua të inkurajoj investitorët kanadezë të investojnë në Shqipëri, vendi im ka potenciale të mëdha zhvillimi dhe risorse natyrore të pazbuluara dhe ne do të mbështetim investitorët kanadezë për të qenë të suksesshëm në Shqipëri, tha Kryeministri Berisha.
Nga ana e tij, Kryetari i Parlamentit kanadez u shpreh se ishte i impresionuar nga progresi i reformave në Shqipëri dhe nga ulja e indeksit të kriminalitetit në këto 2 vite.
Ne jemi në Afganistan dhe çmojmë shumë edhe angazhimin serioz të Shqipërisë atje. Unë shpresoj që të vazhdoni në këtë rrugë me reformat dhe për këtë do të keni tërë mbështetjen tonë, u shpreh zoti Milliken.
Unë njoh potencialin kulturor dhe atë turistik të Shqipërisë dhe është në dëshirën time që të jem sa më shpejt në Shqipëri edhe si turist, shtoi ai.