Zëvendëskryetarja e Senatit kanadez: Shqipëria po tregon vullnet të qartë për të ecur drejt progresit

Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Zëvendëskryetaren e Senatit kanadez, znj. Rose Marie Losie-Cool.
Në këtë takim, Kryeministri Berisha, pasi falënderoi për mikpritjen, i dërgoi përshëndetjen e tij për Kryetarin e Senatit të Kanadasë, me të cilin Kryeministri Berisha ishte takuar në Dubrovnik.
Kryeministri Berisha e njohu znj. Rose Marie me takimet e frytshme me përfaqësues të komunitetit të biznesit kanadez, si dhe me EDC dhe me fushat e shumta ku investitorët kanadezë mund të investojnë në Shqipëri.
Shqipëria është një vend i ri, dinamik dhe me një treg pune me çmime konkurruese. Progresi në reformat e ndërmarra në shumë aspekte si në reformën fiskale, në reformën zgjedhore, në arsim e shëndetësi, në luftën e pandërprerë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, na bëjnë optimistë për një klimë pozitive ndaj investitorëve të huaj.
Znj.Rose Marie u shpreh se ajo çmonte shumë prezencën mjaft të konsiderueshme të Shqipërisë në Afganistan me 3 misionet e saj ushtarake.
Gjithashtu, ajo u shpreh se e gëzonte mbështetja që edhe Kryeministri i Kanadasë i kishte dhënë anëtarësimit të Shqipërisë në NA. Ne duhet të ndihmojmë vendet si Shqipëria, që kanë treguar një vullnet të qartë për të ecur vetëm drejt progresit, vijoi ajo.
Më tej, znj.Rose Marie shprehu interesim për studentët shqiptarë që studiojnë në universitetet kanadeze, si dhe u angazhua në një përpjekje serioze për të krijuar dhe marrë pjesë në Grupin Parlamentar Të miqësisë Kanada-Shqipëri.