Kryeministri përuron laboratorin e kompjuterave në shkollën e mesme "Aleks Buda"
Kryeministri Berisha përuroi sot laboratorin e kompjuterëve në shkollën e mesme të përgjithshme "Aleks Buda", në Tiranë. Ngritja e këtij laboratori u mundësua nga një grant i qeverisë kineze prej 1 milion euro, pjesë e Marrëveshjes së Bashkëpunimit mes dy vendeve, për ndërtimin e rreth 90 laboratorëve kompjuterikë në shkollat e mesme.
Në ceremoninë e përurimit ishin të pranishëm Ministri i Arsimit dhe Shkencës Genc Pollo dhe ambasadori i Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri Tien Chang Chun.
Kryeministri Berisha falënderoi qeverinë kineze për këtë donacion dhe theksoi se së bashku me donacionin italian dhe lekët e buxhetit të shtetit, ne kompletojmë brenda këtij vitit shtrirjen e internetit në të gjitha shkollat e mesme të vendit dhe ecim të sigurt drejt përmbushjes së zotimit tonë, internet në çdo shkollë brenda këtij mandati 4-vjeçar.
Kryeministri njoftoi gjithashtu se në tenderin më të madh të hapur nga Albtelekom për të sjellë Shqipërinë në moshën dixhitale, për ADSL-të, doli fituese një kompani kineze në distancë me çmim më të leverdishëm. "Kështu së shpejti, tha Kryeministri, do të shndërrohet në realitet edhe premtimi që çdo abonent i Telekomit të ketë portalin për të marrë internet me bandë të gjerë."
Ambasadori kinez Tien Chang Chun vlerësoi se Kryeministri Berisha i kushton shumë rëndësi arsimimit dhe kujdeset për arsimimin e fëmijëve shqiptarë dhe për këtë ka planifikuar një projekt për kompjuterizimin e shkollave, duke shprehur edhe mbështetjen e qeverisë kineze.
Qeveria shqiptare ka iniciuar një program ambicioz për edukimin e nxënësve me njohuritë dhe përdorimin e teknologjisë së informacionit dhe të shërbimeve të internetit. Në përmbushje të këtij programi, shkollat do të pajisen me laboratorë kompjuterësh.