Kryeministri turk Erdogan vlerëson marrëdhëniet e shkëlqyera me Shqipërinë
Kryeministri Berisha zhvilloi sot, në Stamboll, një takim me Kryeministrin e Turqisë zotin Recep Tayyip Erdogan.
Të dy kryeministrat diskutuan për nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat, veçanërisht në ato politike, ekonomike, tregtare, kulturore e historike.
Kryeministri turk Erdogan shprehu bindjen se nën drejtimin e qeverisë aktuale ky bashkëpunim do të forcohet dhe do të njohë nivele edhe më të larta. Zoti Erdogan shprehu, gjithashtu, keqardhjen që nuk arriti të vizitonte Shqipërinë, ndërsa theksoi se shpresonte ta realizonte këtë vizitë pas zgjedhjeve.
Kryeministri turk falënderoi qeverinë shqiptare për procesin transparent të privatizimit të Albtelekom-it nga firma turke "Çalik Energy Holding". Zoti Erdogan theksoi se shtetasit turq që jetojnë e punojnë në Shqipëri janë një urë e fortë lidhjeje midis vendeve tona dhe kontribuojnë në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Gjithashtu, Kryeministri Erdogan vlerësoi përparimin e Shqipërisë në drejtim të arritjes së standardeve të parashikuara në marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Europian. Ai e siguroi Kryeministrin Berisha për vazhdimin e mbështetjes së palëkundur të Turqisë në procesin e integrimit të Shqipërisë në NATO.
Kryeministri Berisha u shpreh se priste me kënaqësi vizitën e Kryeministrit turk në Shqipëri, në momentin kur kjo vizitë të jetë e mundur. Kryeministri Berisha ndau të njëjtin mendim dhe kënaqësi me zotin Erdogan se marrëdhëniet dypalëshe janë në rrugë shumë të mbarë dhe se ekzistojnë të gjitha hapësirat për ta forcuar më tej këtë bashkëpunim, veçanërisht në fushën ekonomike. Zoti Berisha shprehu besimin se ardhja e kompanisë "Çalik Energy Holding" do të inkurajojë kompanitë e tjera turke për të investuar në Shqipëri, në fushën e ekonomisë, energjisë, turizmit, etj., ndërsa siguroi se qeveria po bën të gjitha përpjekjet për krijimin e klimës më të favorshme për investitorët. Nga ana e tij, Kryeministri Erdogan tha se interesi i biznesit turk për të investuar në Shqipëri është gjithmonë në rritje.
Në takim, të dy Kryeministrat diskutuan dhe për çështjen e Kosovës. Ata shprehën mbështetjen e plotë të të dy vendeve për paketën e Presidentit Ahtisari. Kryeministri Berisha tha se zgjatja e panevojshme e këtij procesi nuk prodhon stabilitet në rajon. Zoti Berisha shprehu mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen diplomatike të Turqisë për arritjen e zgjidhjes së çështjes së statusit të Kosovës. Nga ana e tij, Kryeministri turk premtoi se Turqia do të vazhdojë ta mbështesë Planin Ahtisari dhe do të bëjë përpjekje për të influencuar në zgjidhjen sa më të shpejtë të kësaj çështjeje.