Fjala e Kryeministrit Berisha në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Ujit
Në fjalën e mbajtur në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Ujit, Kryeministri Berisha u shpreh:
"Jemi mbledhur sot për të vendosur mbi shfrytëzimin e burimeve ujore të lumit Devoll për qëllime energjitike. Qeveria është tërësisht e përqëndruar në krijimin e burimeve të reja energjitike. Në këtë kontekst vendimi i sotëm për shfrytëzimin në tërë kaskadën e tij të Lumit Devoll në përputhje me një projekt tashmë përfundimtar të paraqitur nga një kompani e madhe austriake përbën një zhvillim të madh, pasi vepra është ndër më të veçantat e këtij lloji në Shqipëri dhe në Europë. Kjo vepër bazohet në ndërtimin e disa hidrocentraleve dhe një sistem tunelesh prej rreth 48 kilometrash. Gjithashtu kjo vepër respekton tërësisht mjedisin dhe bën shfrytëzimin më optimal, më ekonomik të ujrave të këtij lumi, duke shfrytëzuar tërë kaskadën nga fillimi i burimeve të tij deri në Banjë dhe ka një investim prej rreth 1 miliard euro.
Dua me këtë rast të përgëzoj ministritë, ekipin e oponecës teknike dhe ekonomike, ekip i cili muaj të tërë ka punuar me përkushtim në një projekt kaq madhor për të bërë oponencën, si teknike, ashtu dhe ekonomike. Projekti i kaskadës së hidrocenralit të Devollit vjen këtu për tu miratuar për shfrytëzimin e burimeve ujore dhe kalon javën e ardhshme në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, për të dalë në tender ndërkombëtar në përputhje me ligjin shqiptar. Natyrisht kompania që ka sjellë projektin do tw ketw 10 % të pikëve.
Ky është aktualisht projekti më i madh në veprat hidroenergitike, por vetëm pak javë më parë ne miratuam të rishqyrtuar hidrocentralin e Kalivacit, i cili është në ndërtim e sipër prej rreth 100 megavat. Kemi çelur tenderin ndërkombëtar për Tec-et e Fierit. Pritet në rikonstruksionin e tyre të përftohen një energji prej rreth 300 megavat. Fillon së shpejti ndërtimi i termocentralit të Vlorës me një kapacitet prej 90 megavat. Kemi miratuar gjatë këtyre muajve në qeveri dhe mbështetur me oponencë teknike dhe ekonomike, rreth 82 Tec-e të vogla, të cilat edhe ato kanë vlerën e tyre. Studime shumë serioze nga kompani të mëdha ndërkombëtare, po behën në lumenjtë Vjosa, Drin, Në Bushat. Ne presim që gjatë muajve në vijim Skavica dhe Bushati të jenë dy HEC të tjera të cilat do të miratohen , do të shpallet tenderi ndërkombëtar dhe do të fillojë ndërtimi.
Qeveria është e vendosur të bëjë cdo përpjekje që pasuritë e mëdha ujore të këtij vendi ti shndërrojë në energji për Shqipërinë.
Në këtë mbledhje ne do të trajtojmë dhe një seri vendimesh shumë të rëndësishme mbi administrimin e ujit. Miratojmë udhëzimin për miratimin e rezervave ujore , miratojmë udhëzimin për legalizimin e puseve të çpimeve , sepse dhe ato duhet të legalizohen, si dhe duhet të vendoset një disiplinë e rreptë në trajtimin, shfrytëzimin, përdorimin e këtyre rezervave.
Gjithashtu do të shtrojmë disa detyra për mbledhjen e ardhshme të këtij institucioni që trajton problemet e ujit të vendit."