Fjala e Kryeministrit Berisha në mbledhjen e Komitetit të Planifikimit Strategjik
-Viti 2007, viti më i mirë ekonomik në tërë historinë ekonomike të vendit
Kjo është mbledhja e 20-të e Komitetit të Planifikimit të Strategjive, në të cilën do të diskutojmë kuadrin makroekonomik të vendit për vitet 2009-2011 i përgatitur nga Ministria e Financave.
Mendoj se viti që shkoi bazuar në të gjithë treguesit ishte viti më i mirë ekonomik në tërë historinë e ekonomisë së vendit. Vitin që shkoi mirëfunksionimi i institucioneve dhe i ekonomisë së vendit bëri të mundur mbajtjen e plotë të zotimeve të kësaj qeverie para zgjedhësve shqiptarë.
Kështu viti që shkoi filloi me vendosjen e pensionit minimal në qytet 100 dollarë, dhe që sot faktikisht është 114 dollarë. Viti që shkoi bëri të mundur rritjen e pensioneve për fermerët shqiptarë në masën 70 % dhe ecjen e sigurtë drejt dyfishimit të kësaj vlere. Natyrisht për ata që kanë paga mujore publike apo private të mëdha, këto shifra nuk kanë ndonjë domethënie të madhe, por me këto shifra qeveria ia doli të bëjë pensionin në Shqipëri të krahasueshëm me vende ish-komuniste, të cilat janë mjaft më të zhvilluara se Shqipëria. Viti që shkoi bëri të mundur që çdo arsimtar shqiptar të marrë mbi 50 % më shumë se dy vjet më parë dhe çdo infermiere në Shqipëri të marrë mjaft më tepër se dy vjet më parë. Viti që shkoi bëri të mundur që çdo punonjës në Shqipëri të marrë një përqindje më të madhe se dy vjet më parë. Asnjë qeveri në këtë kontinent ose më gjerë nuk ka rritur kurrë ndonjëherë rrogat në 2 vjet me një ritëm të tillë siç ka rritur qeveria që unë kryesoj.
Theksova të parat rrogat dhe pensionet, sepse natyrisht janë ato të cilat prekin direkt jetën e qindra mijëra familjeve shqiptare, por nuk janë lënë në harresë personat me aftësi të kufizuar. Mbështetja për ta është rritur mbi 30% dhe me disa masa të tjera lehtësuese ajo kalon tek 40 %. Një arritje e madhe ishin edhe investimet e huaja direkte, të cilat kanë qenë 87% më shumë se në vitin 2006. Viti që shkoi u karakterizua nga një rritje e fuqishme e buxhetit për arsimin, rritje që bëri të mundur faktikisht që këtë vit dyfishimin e tij në rast se do të shtonim financimin prej 2 miliardë lekësh të BB-së në shkolla.
Viti që shkoi bëri të mundur dyfishimin e numrit të studentëve në Shqipëri. Ai u karakterizua nga një rritje e ndjeshme e investimeve në shëndetësi, në sistemin e paraburgimit dhe të institucioneve të vuajtjes së dënimit. Investime më të mëdha se asnjëherë u realizuan në rrugët, ujësjellësat, kanalizimet, urat dhe veprat të tjera publike në Shqipëri. Pra ky ishte viti më i mbarë që vendi ka patur ndonjëherë, por cilët kanë qenë treguesit ekonomikë dhe financiarë të vitit që shkoi? Asgjë nuk do të mund të realizohej, në rast se treguesit ekonomikë dhe financiarë nuk do të ishin në nivele mjaft të mira, në rast se të ardhurat nuk do të tejkaloheshin në rast se kreditimi nuk do të rritej. Kështu që viti që shkoi ishte viti i rritjes së shitjeve mbi 20 %, ishte viti i rritjes së dytë më të madhe në botë në ritmin e kreditit të ekonomisë, ishte viti i rritjes së madhe të depozitave të qytetarëve shqiptarë me 25 % ishte viti i inflacionit të kontrolluar. Në qoftë se do të dëgjoje kronikat televizive do të thoje se ky vend po zhytet në honin e inflacionit. Inflacioni mesatar vjetor ishte 2.9 %, në një kohë kur monedha shqiptare ka qenë më e fortë se kurrë në tërë ekzistencën e saj në kurs të lirë; ka fituar respekt të madh në tregun kombëtar dhe ndërkombëtar. Institucionet financiare më serioze të Europës blenë sasi të mëdha të kësaj monedhe dhe që në fakt asnjëra prej mediave nuk e raportoi këtë.
Viti që shkoi është viti i rritjes më të madhe të eksporteve shqiptare, të cilat arrijnë në 1.12 miliardë dollarë, me një rritje 27 % krahasuar me vitin 2006. Ka patur dhe rritje të madhe të importeve, por fatmirësisht eksportet janë rritur pakëz më shumë se importet. Realizimi i të ardhurave janar-nëntor ishte 24 miliardë lekë më shumë. Pra, megjithë vështirësitë, nga të cilat do të na duhen vite të dalim, mendoj se u bënë hapat më të mëdha drejt shndërrimit të Shqipërisë në një vend të zhvilluar.
Parashikimet për vitin 2008 të bëjnë të harrosh vitin 2007. Viti 2008 është viti i instalimit total të paketës fiskale që shënoi revolucionin më të thellë fiskal në historinë e këtij vendi dhe që e ngjiti Shqipërinë në çatinë e botës përsa i përket lirisë fiskale; mbi 90 % kuotohet kjo liri. Parashikohet që rritja ekonomike në 2009 të jetë 6.5 %, por do të jetë 7 %. Ndërsa parashikohet 7 % për vitet 2010-2011. Norma e inflacionit parashikohet të mbahet rreth 3 % sepse duhet të jemi realistë se Europa dhe bota po përgatiten për një inflacion që nëse nuk mbahet një qëndrim ndaj tij edhe mund të thellohet.
Rritja e çmimit të drithërave dhe të gjitha prodhimeve të lidhura me to dhe çmimit të naftës ka rritur inflacionin pa përjashtim në të gjitha vendet, përveç tre vendeve të Europës. Nuk ka patur rritje Holanda, Norvegjia, që është prodhues kryesor i naftës në botë dhe Britania e Madhe, por shumica e këtyre vendeve kanë patur një rritje inflacioni më të madhe se Shqipëria me 4-5 deri në 8 %. Uroj që fermerët shqiptarë të përfitojnë nga kjo situatë dhe të mbjellin çdo pëllëmbë të tokës së tyre sepse tendenca është drejt valorizimit dhe vlerësimit gjithnjë e më të madh të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale dhe është shumë mirë që të bëhet një promovim i këtij fakti. Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë ndërprerje në vlerësimin e prodhimeve bujqësore dhe blegtorale sepse atyre po u vjen koha të fitojnë vlerat që kanë. Është shumë e domosdoshme të bëhen edhe sqarime mediatike dhe të promovohet kjo situatë e re e krijuar në tregjet botërore që kanë bazë kryesore kalimin produkteve të naftës në certifikatën jeshile për prodhimin e energjisë nga etanoli.
Të ardhurat në buxhetin e shtetit me nivelin më të ulët të taksave në Europë parashikohen të jenë mbi 27 % të GDP-së, madje në vitin 2011 do të kapim nivelin 28 % të GDP-së, ndërsa shpenzimet parashikohet të qëndrojnë në nivelin 30-32 % të GDP-së. Në këtë vlerësim nuk janë përfshirë të ardhurat që do të përfitohen nga privatizimi i sektorëve strategjikë dhe unë e përgëzoj Ministrinë e Financave, sepse ne jemi të vendosur për kompensimin e ish-të përndjekurve dhe ish-pronarëve dhe do ta vlerësoja këtë si një qëndrim të përmbajtur të Ministrisë së Financave dhe e mbështes plotësisht këtë qëndrim. Shpresojmë që të ruajmë dhe do të ruajmë nivelin e investimeve për 2007-2008 nivel që arrin 10 % të GDP-së, një nga nivelet më të larta që mund të ekzistojë, por që diktohet nga niveli i prapambetur që ne kemi në infrastrukturën e vendit dhe mendoj se, asgjë nuk do të gjenerojë më shumë të ardhura për këtë vend se sa infrastruktura moderne e tij.
Ne jemi vend me shumë probleme, por edhe vend me shumë mundësi. Infrastruktura është jetike për shfrytëzimin e këtyre mundësive, dhe përparësitë tona nuk ndryshojmë; arsimi dhe shëndetësia janë përparësi konstante dhe në kuadrin makro-ekonomik të mandatit të ardhshëm këto mbeten përparësi të qeverisë.