E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha uron besimtarët bektashinj me rastin e Ditës së Ashures

Me rastin e Ditës së Ashures, Kryeministri Berisha vizitoi sot në mesditë Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore në Tiranë, ku u prit nga Kryetari i saj, Baba Reshat Bardhi.

Duke u përcjellë të gjithë besimtarëve bektashinj, por edhe të gjithë besmitarëve shqiptarë, urimet më të përzemërta, Kryeministri Berisha evidentoi kontributin e bektashinjve në themelimin e doktrinës shqiptare, duke rikujtuar se edhe rilindasit e mëdhenj frashërllinj i përkisnin këtij komuniteti.

“Është rasti për t`u uruar të gjithë bektashinjve dhe të gjithë besimtarëve shqiptarë Ditën e shenjtë të Ashures, këtë ditë të madhe në historinë  e besimit për të gjithë shqiptarët. Është rasti për të falenderuar edhe njëherë Baba Reshatin, të gjithë klerin bektashian dhe klerin shqiptar për ndihmesën e çmuar dhe të jashtëzakonshme që dhanë për ripërtëritjen shpirtërore. Në këtë ditë të madhe është rasti të shprehim mirënjohjen e madhe ndaj kontributit të bektashinjve në Rilindjen Kombëtare, në formulimin dhe hartimin e doktrinës së shqiptarisë. Rilindasit e mëdhenj, frashërllinjtë e pavdekshëm ishin bektashinj, por Haxhi Bektashi që themeloi bektashizmin u përzu nga Perandoria për shkak se kërkoi që feja të jetë e ndarë nga shteti. Ndaj dhe këtej buron dhe laicizmi i madh i Naimit, Samiut, Abdylit dhe shumë bektashinjve të tjerë”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Më pas Kryeministri vizitoi ambjentet e selisë së re të bektashinjve, e cila është në ndërtim.
Kryeministri theksoi se qeveria do të gjejë mënyrën  që siç ka mbështetur komunitetet e tjera, të mbështesë edhe komunitetin bektashian në mënyrë që epiqendra botërore e bektazhizmit të përfundojë këtë tempull madhështor, në të cilin mund të gjejnë veten për lutje të gjithë bektashinjtë e Shqipërisë, por do të mund të njohin edhe kontributin atdhetar të këtij komuniteti ndër vite.         
“Është bërë një punë shumë e madhe dhe do t`i shqyrtojmë të gjitha mundësitë se si mund të kontribuojmë dhe ne në mënyrë që bektazhizmi botëror të përfundojë  këtë tempull si një nderim i madh për kontributin e bektashinjve në tërë historinë e shqiptarëve”, theksoi Kryeministri Berisha.  

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›