E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha: Duhet ti jepet fund abuzimit me lejet e ndërtimit

- Kryeministri Berisha: E domosdoshme që në kuadrin ligjor të përcaktohen sanksione më të rrepta ndaj kompanive që nuk respektojnë afatet dhe kontratat.

Në takimin për diskutimin e ligjit të ri të urbanistik, Kryeministri u shpreh se është e rëndësishme ti jepet fund abuzimit me lejet e ndërtimit, nga firma të ndryshme ndërtuese. Duke theksuar se duhet ketë një qëndrim më të prerë ndaj lejeve të ndërtimit, Kryeministri nënvizoi se firmat ndërtuese duhet të kenë parësore respektimin e afateve të veprave të tyre, duke respektuar në këtë mënyrë komunitetin. “Ajo që ndodh sot me disa kompani ndërtimi është e papranueshme, pasi ato tregojnë mungesë të plotë respekti për komunitetin. Ata marrin kontratën dhe vazhdojnë me kalendat greke, duke rendur pas kontratave të tjera . Kjo në mënyrë absolute duhet të marrë fund.” tha Kryeministri

Duke vënë në dukje se Ministria përkatëse do të rishqyrtojë çdo kontratë, në se kompania ndërtuese nuk i përgjigjet në çdo pikë të gjitha stadeve të përmbushjes së saj, Kryeministri theksoi se ky ligj dhe ligje të tjera do të parashikojnë sanksione më të rrepta për shkeljen e kontratës.

“Ne jemi një vend kohëhumbur. Është në interesin më të mirë që secili prej nesh të ndërgjegjësohet për këtë. Një komb i vogël, me kohën më të madhe të humbur. Kjo do të thotë që ne do të rendim për të kapur kohën. Nuk mund të pranojmë që lejet e ndërtimit të shndërrohen në letra bixhozi. Nuk mund të pranojmë që interesi publik të diktohet nga financat e ngushta familjare. Interesi publik është vetëm zhvillimi. Ndaj dhe ligji duhet ta përcaktojë tërësisht këtë. Do të ketë lehtësi maksimale, por nëse nuk respektohet kontrata dhe afatet nga firma, kjo leje do të humbase, sepse aty ku ndërtohet është një detyrim shoqëror.”  tha Kryeministri.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›