E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha pret politikanin nga Kosova Fatmir Limaj

Kryeministri Sali Berisha priti, të enjten, në një takim politikanin e njohur kosovar Fatmir Limaj. Në një prononcim, pas takimit me z. Limaj, z. Berisha u shpreh:

"Ishte shumë kënaqësi për mua të përshëndes e të pres sot, këtu, z. Fatmir Limaj, i cili, sëbashku me formacione të tjera, në krye të formacioneve të ushtrisë çlirimtare të Kosovës, luajti një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në çlirimin e Kosovës. Është fakt historik i pamohueshëm se z. Limaj dhe ushtria çlirimtare e Kosovës ishte aleati tokësor i Aleancës së Atlantikut të Veriut në betejën e madhe që kjo Aleancë zhvilloi në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të njeriut për qytetarët e Kosovës, pra, në ridimensionimin e Aleancës në një drejtim të ri pas rënies së perdes së hekurt. Por z. Limaj, siç mund të ndodhë, pati gjithashtu fatin të akuzohej nga gjykata e Hagës për ato që nuk kishte kryer dhe reagimi, qendrimi i tij ndaj ligjit kombëtar e ndërkombëtar e dëshmoi z. Limaj si një njeri të lirë, si një politikan me integritet të madh, dëshmoi se liria dhe vetëm ajo kishte qenë e mbetet ideali i tij. Tani është kthyer tek bashkëpunëtorët e tij dhe ka marrë vendin që i përket në Partinë Demokratike të Kosovës. Pata një diskutim të thelluar mbi zhvillimet në Kosovë, shprehëm së bashku kënaqësi të madhe për ecurinë realisht pozitive. Platforma që delegacioni i Kosovës paraqiti në Vjenë dëshmoi qartësisht se udhëheqja politike e Kosovës ka të gjithë vullnetin, të gjithë vendosmërinë për një Kosovë të lirë, demokratike, të qytetarëve të barabartë para ligjit, të pavarur, europiane. Dhe ky është një kontribut për paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë, por edhe në Ballkan".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›