Zv/kryeministri Rusmali: Reforma në kerkimin shkencor, rrit mundësitë për kualifikim shkencor dhe konkurim dinjitoz
Reforma në kërkimin shkencor, përmes zhvillimit të politikave të reja, synon rritjen e efektivitetit të kërkimit shkencor dhe konkurimin dinjitoz. Këtë vlerësim, zëvendëskryeministri Ilir Rusmali e bëri, të shtunën, gjatë konferencës "Reforma e kërkimit Shkencor – një domosdoshmëri për zhvillimin e arsimit të lartë dhe shkencës në vendin tonë". Në takimin, e organizuar nën kujdesin e veçantë të zv/kryeministrit Rusmali, merrnin pjesë përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Akademisë së Shkencave dhe të Universiteteve, akademikë dhe pedagogë.
Z. Rusmali e konsideroi takimin mjaft të rëndësishëm për reformën e kërkimit shkencor në Shqipëri, duke nënvizuar se "jemi përpara disa projekteve kardinale që do të formojnë etapë në zhvillimin e kërkimit shkencor dhe të institucioneve që zhvillojnë këtë fushë". Z. Rusmali theksoi se në fushën e kërkimit shkencor, reformat ose kanë munguar ose kanë qenë sporadike, formale dhe pa rezultatin e nevojshëm. Për këtë shkak, - u shpreh z. Rusmali, - "qeveria e ka përfshirë reformën e kërkimit shkencor në programin e vet për zhvillimin e arsimit dhe shkencës, me qëllim që nëpërmjet ristrukturimit dhe zhvillimit të politikave të reja, të rrisë nivelin e arsimimit dhe efektivitetin e kërkimit shkencor, si rrugën kryesore që rrit mundësinë e brezit të ri shqiptar për shkollë dhe kualifikim shkencor, si dhe për konkurim dinjitoz në një treg pune gjithnjë e më të integruar".
Gjithashtu, z. Rusmali vlerësoi punën e grupit të ekspertëve, i ngritur me urdhër të Kryeministrit, i përbërë nga përfaqësues e lektorë, që kontribuojnë në fushën e kërkimit shkencor dhe mësimdhënies, si dhe mendimet e shprehura nga pjesëmarrësit në takim. Ai theksoi se këto diskutime do të vijojnë edhe më tej, të fokusuara në grupe, me qëllim që të realizohet, pas një kohe shumë të gjatë në Shqipëri, reforma e kërkimit shkencor. Zv/kryeministri vuri në dukje se takimi i sotëm është vetëm fillimi i një pune shumë të rëndësishme dhe se platforma e hartuar nga Grupi i Ekspertëve po shtrohet në të gjitha grupet e interesuara.