E Shtunë, 31 Tetor 2026

Z. Berisha: Shqipëria, një vend me shumë avantazhe për investitorët italianë

- Fjala e Kryeministri Sali Berisha në takimin me sipërmarrës italianë dhe shqiptarë, zhvilluar të premten, në Tiranë, me temë "Italia dhe Shqipëria: marrëdhëniet ekonomike e tregtare, vizione dhe mundësi të reja -

"Miku im Adolfo,
Zoti Ambasador,
Zotërinj ministra,
Të nderuar përfaqësues të ICE,
Të nderuar biznesmenë italianë dhe shqiptarë,

Së pari, dua t'ju falenderoj shumë përzemërsisht, falenderoj mikun tim Adolfo Urso, ambasadorin Iannucci, përfaqësues të ICE-s, biznesmenët italianë për praninë e tyre sot, këtu, organizimin e këtij takimi, në vazhdën e përpjekjeve të mëdha të të dy qeverive të vendeve tona, për të promovuar potencialet e mëdha të Shqipërisë, për të inkurajuar biznesmenët italianë të investojnë në Shqipëri.

Takimet dhe shkëmbimet midis qeverive të vendeve tona, komuniteteve respektive të biznesit, po bëhet tashmë një praktikë, e cila në mënyrë të padiskutueshme do të konsolidohet më tej dhe do të sjellë dobi për të dy vendet tona. Ajo çka është për t'u shënuar në mënyrë të veçantë është fakti që ky partneritet intensiv gjatë kësaj periudhe ka dhënë frytet e para të rëndësishme. Kështu, në kuadrin e koperacionit italian janë nënshkruar një seri marrëveshjes të rëndësishme dhe sot ne nënshkruajmë marrëveshjen për një kredi prej 27 milion euro për të mbështetur biznesin e vogël në Shqipëri. Rezultate konkrete janë shënuar në fushën e investimeve private. Dy banka italiane janë shtuar në sektorin bankar shqiptar, Imi Sao Paolo dhe Banka Italiane e Zhvillimit. Një kompani italiane është përzgjedhur për rrugën Fier-Vlorë, disa projekte serioze të investitorëve italiane janë në diskutim midis qeverisë dhe atyre për investime të rëndësishme në turizëm. Po kështu projekte të mëdha në fushën e energjisë po diskutohen në fushën e ndërtimit të hidrocrentraleve, por dhe të termocentraleve me gaz likuid. Ndërkohë në këtë klimë një seri kundërshtirash të trashëguara janë në zgjidhje e sipër. Mendoj se ky fillim shënon vërtet një faqe të re në marrëdhëniet midis biznesit të të dy vendeve tona.

Në takimin e mëparshëm unë ju kam informuar për programin e qeverisë, për politikat që ne donin të ndërmerrnim, politikat për investimet e huaja, infrastrukturën. E kam bërë këtë në mënyrë që të krijonit njohjen dhe besimin e duhur për ta konsideruar Shqipërinë si një vend ku ju duhet të vendosnit fitimet, kursimet dhe të ardhmen tuaj. Sot unë vij këtu me mesazhin e thjeshtë: është koha për të investuar në Shqipëri, është koha për të investuar, sepse si asnjëherë më parë nuk ka patur një klimë kaq të favorshme për investimet italiane. Gjithashtu, potencialet investuese që ekzistojnë janë të jashtëzakonshme. Dëshiroj të detajoj këto konstatime. Politikisht investimet italiane kanë sot mbështetjen maksimale. Të dy qeveritë tona i konsiderojnë këto investime prioritet të rëndësishëm. Ndaj dhe po punojmë konkretisht sëbashku për të nxitur këto investime. Madje të gjithë drejtuesit kryesorë shtetërorë italianë, përfshirë presidentin Berluskoni, zvkryeministrin Fini, presidentin Kazini, ministrin dhe mikun tim Urso janë të agazhuar personalisht për të mbështetur këto investime. Siç mund të keni konstatuar, vërtet për mua, personalisht, këto investime janë prioritet dhe angazhim i përditshëm, ndaj dhe nuk kam vonuar asnjëherë dhe nuk do të vonoj asnjëherë t'ju takoj dhe t'ju pres. Derën time, dyert e ministrave i keni dhe do t'i keni gjithnjë të hapura. Ne qendrojmë, ju mbështesim ju, në mënyrë që të keni suksesin që meritoni në investimet tuaja në Shqipëri.

Nuk mund të lë pa përmenduar dhe falenderuar angazhimin e jashtëzakonshëm të ambasadorit Iannucci, zyrës së ICE-s në Tiranë, të cilët çdo ditë punojnë me përkushtim të madh për t'i kontribuar suksesit tuaj, suksesit tonë të përbashkët. Unë mund t'ju them se korrespondenca dhe takimet e mia më të shpeshta me ambasadorin kanë të bëjnë me problemet e biznesit, me mënyrën sesi ne duhet të mbështesim e të zgjidhim problemet tuaja. Së fundi, kemi rënë dakort që të krijojmë një tryezë të përbashkët në mënyrë që problemet, që ju hasni gjatë procesit të projekteve të investimeve tuaja, të mund t'i zgjidhim në një kohë sa më të shpejtë.

Përsa i përket kuadrit ligjor dhe ekonomik në Shqipëri çdo ditë fuqizohet një ambient shumë miqësor dhe me barriera gjithnjë në rënie për biznesin dhe investimet. Para pak ditësh qeveria miratoi ligjin në të cilën ne shkurtojmë nga 42 në 8 ditë kohën për regjistrimin e biznesit dhe për të gjitha kërkesat e tjera, përveç konflikteve gjyqësore, që kanë lidhje me regjistrin tregtar pas regjistrimit të biznesit. Ne gjithashtu kemi përgjysmuar koston e themelimit të biznesit. Po punohet me hartimin e politikave fiskale, të cilat duhet të jenë inkurajuese për investimet dhe biznesin. Në Shqipëri, edhe dje e diskutova me ministrin Urso, po punojmë për konceptin e distrikteve, zonave, parqeve industriale. Me një kompani shumë serioze Mckenzi është përpunuar koncepti i zonës industriale Tiranë-Durrës. Ju e dini kjo zonë ka kushte të veçanta për t'u bërë njëra nga zonat më dinamike të kontinentit, por le ta bëjmë fillimisht të Ballkanit. Kjo zonë ka portin, aeroportin, ka infrastrukturën pothuajse të ngritur, ka krahun e punës më të lirin, më dinamikun, më të riun në Europë. Unë rastisa politikan, por po të kisha qenë biznesmen i një vendi tjetër, para se të mendoja të shkoja në kontinente të tjera do të isha ndalur në këtë zonë. Pasi sëbashku me ekspertë italianë t'i krijojmë një kuadër ligjor të përshtatshëm dhe ta shndërrojmë këtë vërtet në zonën e biznesit, në zonën e investimeve, në zonën ku çdo investitor të dëshirojë të vendosë investimet e tij. Ne jemi të angazhuar në një reformë tërësore të pronësisë, do të zgjidhim problemet e pronësisë, problemet e ekstralegalitetit, në këtë mënyrë do të fuqizohet tregu dhe vështirësitë që lindin nga çështjet e pronësisë shpresojmë se do të marrin zgjidhje të shpejtë.

Shqipëria, siç e dini, për çdo investitor italian të veriut është më afërt se jugu i Italisë. Por kjo është e vërtetë dhe për investitorët e jugut për veriun e Italisë. Është fqinj, është një vend, i cili ndahet nga Italia me një distancë fare të shkurtër, është një vend, në të cilin njerëzit e flasin italishten si gjuhën e dytë të tyre, me të cilët mund të komunikohet lirshëm, është një vend me shumë avantazhe për investitorët italianë.

Unë dua t'ju siguroj ju, siç theksova dhe në Romë, se tek qeveria shqiptare do të gjeni një mik të vërtetë, një mik, i cili do të përpiqet me të gjitha focat t'ju lehtësojë juve përpjekjet tuaja për të investuar. Nuk është e nevojshme të rikujtoj se në doktrinën e susksesit persistenca është kushti i parë. Le të persistojmë që të kemi sukses sëbashku.
Faleminderit".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›