Kryeministri Berisha: Shërbimet publike elektronike lehtësojnë biznesin dhe rrisin transparencën
- Përurohet qendra e re e shërbimit të tatimpaguesve
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në përurimin e Ndërtesës së re të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtorisë së Shërbimit dhe Regjistrimit të Tatimpaguesve. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm Zëvendëskryeministri Gazmend Oketa, Ministri i Financave Ridvan Bode, Drejtori i Misionit të USAID në Shqipëri, zoti Eduart Landau, Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, zonja Gerta Picari, si dhe punonjës të kësaj administrate.
Duke e vlerësuar këtë ngjarje jashtëzakonisht të rëndësishme, në fjalën e tij Kryeministri Berisha theksoi se veprimtaria tatimore është e lidhur me të gjitha aspektet e jetës së një shoqërie dhe të një vendi në tërësi. “Unë konsideroj këtë një ngjarje jashtëzakonisht të rëndësishme, një kthesë rrënjësore në historinë e shtetit shqiptar, sepse në të gjitha procedurat, proceset e një shteti, veprimtaria tatimore është ndërfaqja më delikate , por dhe më e rëndësishme e tij, ndërfaqja që ka të bëjë së pari, me moralin e shtetit , më shumë se të gjitha të tjerat, ka të bëjë me zhvillimin e biznesit, promotor i të gjitha zhvillimeve të tjera, ka të bëjë me fytyrën sociale, imazhin social të vendit. Pra tatimet janë të lidhura me të gjitha aspektet e jetës së një shoqërie, e jetës së një vendi."
Kryeministri u shpreh se inagurimi i kësaj procedure të re shënon një kthesë rrënjësore në trajtimin e këtij procesi me të cilën synohet tu ofrohet taksapaguesve shqiptarë, shërbimet më cilësore dhe më të kultivuara. Por, vijoi Kryeministri, qëllimi më madhor është të luftohet korupsioni, duke rritur transparencën në procesin e taksambledhjes.
Ndër të tjera, Kryeministri theksoi se korrupsioni në tatime errëson më shumë se çdo gjë tjetër perspektivën e zhvillimit të një vendi. “Asgjë nuk rëndon më shumë imazhin e një administrate, imazhin e nje shteti se sa korrupsioni në tatime.”
Duke përgëzuar për rezultatet e arritura në këtë drejtim, Kryeministri vuri në dukje se hapsirat për të luftuar fenomenin e korrupsionit janë të mëdha. “Duke qenë i vetëdijshëm se hapsirat janë të mëdha për luftën kundër këtij fenomeni, unë personalisht dua tu përgëzoj ju, me sinqeritet për rezultatet që ju keni arritur dhe në rast se në Shqipëri ka rezultate të kapshme, të cilat rrezatojnë dukshëm në të gjitha aspektet janë rezultatet tuaja.”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri nënvizoi se rezultatet e arritura kanë lënë gjurmë në jetën e çdo qytetari dhe se është në meritën e punonjësve të tatimeve, të doganave , si dhe të investitorëve shqiptarë, që viti i ri buxhetor nis me investime të tre apo katërfishuara krahasuar me tre vjet më pare.
Ky projekt i realizuar me asistencën e USAID, në kuadrin e Pragut të Sfidës së Mijëvjeçarit, do të ndihmojë në mënyrë të vecantë zhvillimin e reformës tatimore në vend, duke sjellë një ndryshim rrënjësor të performancës së administratës tatimore, për tiu përgjigjur maksimalisht ritmit të reformave të ndërrmara nga qeveria. Me ndërtimin e kësaj godine krijohen kushte funksionale të përmasave bashkohore, duke i dhënë në këtë mënyrë dimensione të reja aktivitetit të administratës tatimore.
Drejtoria e re e Shërbimit dhe Regjistrimit të Tatimpaguesve do të ofrojë për tatimpaguesit e mëdhenj, informacionin e nevojshëm mbi legjislacionin tatimor, si dhe asistencë për kuptimin e këtij legjislacioni, ndihmë për plotësimin e formularëve tatimorë dhe të deklaratave tatimore, asistencë direkte në deklarimin elktronik të tatimeve, si dhe shërbime të tjera.
Duke theksuar se këto arritje janë vetëm hapat e parë të rëndësishme në përpjekjet për të luftuar informalitetin, Kryeministri vuri në dukje se taksa on-line është zgjidhja kyçe për të ndryshuar situatën dhe për të shmangur përfundimisht pazaret që errësojnë imazhin e shtetit në tërësi. “Unë sërish jam i bindur se janë vetëm hapat e parë të rëndësishëm, sepse në përpjekjen tuaj për të luftuar informalitetin ëshë parimi i madh i ndershmërisë dhe kushteve të barabarta për biznesin. Në përpjekjen tuaj për të shmangur pazaret që nxijnë aq shumë imazhin tuaj, dhe të shtetit në tërësi, taksa on-line është levë Arkimedi për të ndryshuar situatën.” - tha kryeministri.
Ndër të tjera, Kryeministri falenderoi përzemërsisht Drejtorin e Misionit të USAID në Shqipëri, zotin Landau, ambasadorin Danilovic si dhe të gjithë punonjësit, të cilët në harkun kohor të një viti iu dhuruan shqiptarëve tre projekte të zbatuara që do të sjellin ndryshime rrënjësore në veprimtarinë e shtetit dhe të vendit. Duke rikujtuar inagurimin e "ONE STOP SHOP" vetëm pak javë më parë, nisjen e punës për prokurimin elektronik si dhe fillimin e zbatimit të taksës elektronike, Kryeministri u shpreh se në mënyrë të suksesshme këto procese hynë në moshën dixhitale, për të përfituar prej tyre çdo qytetar shqiptar.
“Unë dua tu falenderoj shumë përzemërsisht zoti Landau, ju , ekipin tuaj, të falenderoj amabasadorin Danilovic, të gjithë punonjësit që në harkun kohor 1 vjecar ju dhuruan shqiptarëve tre projekte të zbatuara, të cilat do të sjellin ndryshime rrënjësore në veprimtarinë e këtij shteti dhe të këtij vendi. Se bashku inaguruam regjistrin elektronik elektronik të "ONE STOP SHOP" dhe vendosëm që të ecim drejt "ONE STOP SHOP" për licensa dhe leje. Nisi puan për prokurimin elektronik, sot taksa elektronike. Kjo është sjellja e këtyre proceseve në moshën dixhitale. Ka një apel që psikologjia jonë , praktika jonë me shpejtësi të përshtatet me këto procedura nga të cilat përfiton çdo qytetar shqiptar."
Në fjalën e tij, ndër të tjera, Kryeministri u shpreh:
“Kanë kaluar vetëm pak javë dhe sërish ne mblidhemi së bashku për të inaguruar një projekt tjetër madhor të Sfidës së Mijëvjeçarit, inagurimin e zyrave të reja të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe shërbimit elektronik, të shërbimit të pagesave të detyrimeve fiskale. E konsideroj këtë një ngjarje jashtëzakonisht të rëndësishme, një kthesë rrënjësore në historinë e shtetit shqiptar, sepse, në të gjitha procedurat e proceset e një shteti, tatimet janë ndërfaqja më delikate, por dhe më e rëndësishme e tij, ndërfaqja që ka të bëjë së pari me moralin e shtetit, më shumë se të gjitha të tjerat, ka të bëjë me zhvillimin e biznesit, promotor i të gjitha zhvillimeve të tjera, ka të bëjë me imazhin social të vendit. Pra, tatimet janë të lidhura me të gjitha aspektet e jetës së një shoqërie, e jetës së një vendi.
Duke inaguruar këtë ndërtesë, sëbashku me këtë procedurë të re, ne shënojmë një kthesë rrënjësore në trajtimin e këtij procesi, kthesë në të cilën ne synojmë t'u ofrojmë taksapaguesve shqiptarë shërbimet më cilësore, më të kultivuara si respekt dhe mirënjohje ndaj tyre. Me këtë procedurë, qëllimi më madhor është të luftojmë korrupsionin, të rrisim transparencën në procesin e taksambledhjes. Asgjë nuk rëndon më shumë imazhin e një administrate dhe të shtetit në tërësi, sesa korrupsioni në tatime. Asgjë nuk errëson më shumë zhvillimin e një vendi sesa ky korrupsion. Duke qenë i vetëdijshëm se hapsirat janë të mëdha për luftën kundër këtij fenomeni, unë personalisht dua t'u përgëzoj me sinqeritet për rezultatet që keni arritur dhe dua t'u them se këto rezultate rrezatojnë dukshëm në të gjitha aspektet.
Dy vjet më parë në Këshillin e Ministrave, në Komitetin e Planifikimit të Integruar, ne kemi zhvilluar debate të gjëra për paketën fiskale. Unë, së bashku me drejtuesit tuaj, kemi vendosur uljen e taksave jo vetëm sepse ne u përkasim atyre që besojnë se ulja e barrës fiskale nxit një zhvillim më të fuqishëm , investime më të mëdha, por, para së gjithash, sepse ne donim të kalibronim nivelin e taksave, me të ardhurat që duhet të siguroheshin. Sot, do të dëshiroja që shqiptarët në tërësi t'u shprehin mirënjohjen ju, sepse ndonëse me një ulje drastike të taksave, me nje ulje që kap 50 % për biznesin e vogël, me nje ulje që shkon rreth 130 % mbi tatimin mbi të ardhurat personale, me nje ulje që do të jetë 150 % për tatim fitimin, ju ia keni dalë, në sajë të një procesi transparent, në sajë të një kalimi nga pazari tek ligji, të garantoni të ardhurat, të rrisni të ardhurat nga 22 % të prodhimit të brendëshëm në 27 %. Këto rezultatet kanë rrezatuar në jetën e mbarë qytetarëve të vendit.
Është merita juaj, e punonjësve të doganave, merita e investitorëve dhe biznesit shqiptar që ne nisim vitin e ri buxhetor me investime të tre apo katërfishuara krahasuar me tre vjet më parë. Duke theksuar këto, unë sërish jam i bindur se janë vetëm hapat e parë të rëndësishme, sepse në përpjekjen tuaj për të luftuar informalitetin është parimi i madh i ndershmërisë dhe kushteve të barabarta për biznesin. Në përpjekjen tuaj për të shmangur pazaret që nxijnë aq shumë imazhin tuaj dhe të shtetit në tërësi, taksa on-line është “leva e Arkimedit” për të ndryshuar situatën.
Unë dua t'ju falenderoj shumë përzemërsisht zoti Landau, ju, ekipin tuaj, të falenderoj amabasadorin Daniloviç, të gjithë punonjësit, që në harkun kohor 1 vjeçar ju dhuruan shqiptarëve tre projekte të zbatuara, të cilat do të sjellin ndryshime rrënjësore në veprimtarinë e këtij shteti dhe të këtij vendi. Së bashku inaguruam regjistrin elektronik të "ONE STOP SHOP" dhe vendosëm që të ecim drejt "ONE STOP SHOP", për licensa dhe leje, ka nisur puna për prokurimin elektronik, ndërsa sot nis zbatimi i taksës elektronike. Kjo do të thotë se këto procese kanë ardhur në moshën dixhitale. Mbetet vetëm që psikologjia jonë, praktika jonë të përshtatet me shpejtësi me këto procedura nga të cilat përfiton çdo qytetar shqiptar.”