E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Universitetet private, faktor i rëndësishëm në reformimin dhe zhvillimin e sistemit arsimor në Shqipëri

Kryeministri Berisha vizitoi sot  Universitetin e Një York-ut në Tiranë, ku u takua me drejtues, studentë dhe pedagogë të këtij fakulteti. I shoqëruar nga Presidenti i Universitetit zoti Foutsis, Zëvendëspresidentja zonja Mimoza Pashko, rektori zoti Menxhejotis, si dhe pedagogë të tjerë, kryeministri Berisha vizitoi mjediset e këtij universiteti ku u ndal bibliotekën e studentëve në të cilën vlerësoi larminë e titujve që ajo përmbante, si dhe modernizimin e shërbimit  që ofronte për studentët.

Më pas, kryeministri Berisha u takua me studentë të degëve të ndryshme zhvilloi me ta një bashkëbisedim, si dhe iu përgjigj interesimit të tyre për tema të ndryshme.

Duke marrë fjalën, kryeministri Berisha përshëndeti stafin drejtues, dhe studentë për punën e bërë dhe emrin e mirë që i kanë dhënë këtij universiteti, duke konsoliduar në këtë mënyrë një traditë të çmuar atë të universiteteve private.

Kryeministri theksoi se qeveria sheh tek universitetet private një nga faktorët më të rëndësishëm dhe një prej risive më të mëdha të reformimit dhe të zhvillimit të sistemi arsimor në Shqipëri. “Universiteti juaj dhe universitet e tjera , për shkak të funksionimit të cilësive të parametrave që kanë arritur, ia dolën të kalojnë me sukses të plotë testin e liberalizmit të universiteteve publike në Shqipëri dhe jo vetëm që nuk pati një rënie , por janë në rritje kërkesat për universitet private.

Kryeministri i informoi studentët se buxheti real i vitit 2008 për arsimin, është dy herë më i madh se ç’ishte në vitin 2005, dhe kjo masë do të pasohet nga të tjera masa të rëndësishme, të cilat së bashku do të plotësojnë një seri kushtesh të domosdoshme  për rritjen e cilësisë në këto institucione. 

Kryeministri vlerësoi faktin që  universiteti i New York-ut dhe Universitet të tjera kanë në stafin e tyre pedagogë të rinj që kanë studiuar në perëndim, si dhe theksoi se qeveria nuk do të reshtë përpjekjet për kualifikimin e mëtejshëm të stafit mësimdhënës “Shpresoj që nga hapi i parë që ne bëmë me fondin e ekselencës të përfitojnë dhe pedagogët e këtij universitetit dhe asistentët e tij, si dhe pedagogët e universiteteve të tjera private, në mënyrë që ata të titullohen dhe gradohen në universitete më të mira të perëndimit dhe do të adaptojnë të njëjtin standard , njëlloj si për administratën publike apo universitet publike.”

Gjatë fjalës drejtuar studentëve, kryeministri kujtoi me nderim dhe mirënjohje të thellë, figurën e  zotit Gramoz Pashko, i cili është dhe themeluesi i Universitetit privat  të New Yorkut në Tiranë.  Duke vlerësuar zotin Pashko, si një prej intelektualëve më të shquar të kombit, kryeministri theksoi se ai ishte gjithashtu një prej themeluesve të partisë së parë opozitare në vend “Gramoz Pashko ishte një intelektual i madh i këtij kombi. Në një moment të caktuar kritik për vendin. Gramoz Pashko mori  një vendim , më të rëndësishmin e jetës së tij, për të themeluar bashkë me miqtë e tij, opozitën e parë shqiptare, dhe këtë askush më shumë se ai nuk e faktoi se nuk e beri për asnjë lloj ambicie personale, por sepse ishte i bindur se të vërtetat ekonomike, të vërtetat akademike ishin të vërteta të mëdha, por në hierarkinë e vlerave, në këtë rast në hierarkinë e të vërtetave, disa të vërteta të tjera ishin më eprore, ishin më të rëndësishme.” tha kryeministri.

Gjithashtu kryeministri Berisha theksoi se zoti Pashko u bë promotor dhe arkitekt i reformave kryesore të vendit, duke dhënë në këtë mënyrë kontribut të madh në zhvillimin e ekonomisë së tregut në Shqipëri, pa të cilën, theksoi  nuk ka dhe nuk mund të ketë demokraci të vërtetë.

Në këtë kontekst, Kryeministri nënvizoi se qeveria ndjek një politikë të hapur ndaj tregut dhe e respekton atë. “Qeveria që unë drejtoj, është shumë e zotuar që të vendosë standardet më liberale dhe ekonomike, e bindur se kjo është rruga më e sigurtë për të kapur kohën e humbur.”, u shpreh kryeministri

Duke garantuar se qeveria do të bëjë përpjekje të mëdha, për të investuar gjithnjë e më shumë në arsimin e lartë në Shqipëri, kryeministri shprehu bindjen se Universiteti i NEW York-ut në Tiranë do të vazhdojë të kryesojë në cilësinë që ofron, duke frymëzuar në këtë mënyrë të gjitha universitetet e tjera të ndjekin këtë rrugë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›