Fjala e kryeministrit Sali Berisha në Kuvendin e Kosovës
Sot pasdite, kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Kryeparlamentarin e Kosovës, Kolë Berisha dhe anëtarë të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës. Kryeministri Berisha, mbajti në vazhdim, një fjalë drejtuar deputetëve.
Në fjalën e tij, ndër të tjera, kryeministri u shpreh:
"Më lejoni para së gjithash, t'ju percjellë juve si përfaqësues të popullit të Kosovës, në emër të Qeverisë dhe qytetarëve të Shqipërisë përshëndetjet më të përzemerta, mirënjohjen më të thellë dhe mbështetjen e plotë dhe të gjithanshme për ecjen tuaj përpara në përpjekjet për realizimin e aspiratës tuaj legjitime.
Unë vij në Kosovë, vetëm tre ditë pas përvjetorit të shtatë të clirimit të Kosovës dhe vetëm tre ditë mbasi Shqipëria firmosi me Bashkimin Evropian Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, duke lënë kështu prapa tranzicionin dhe duke konsoliduar në mënyrë të pakthyeshme rrugën e saj drejt bashkimit me familjen e popujve dhe shteteve evropiane .
Kombi shqiptar ecën i lirë dhe i sigurt drejt të ardhmes. Kosova dhe Shqiperia si dy motra ecin drejt BE dhe integrimit euroatlantik.
12 qershori i vitit 1999 është një ngjarje e madhe në historinë e lirisë dhe paqes jo vetëm për Kosovën por për të gjithë Ballkanin, Europën, NATO-n dhe vendet e saj anëtare.
Në këtë përvjetor dua të shpreh mirënjohjen më të thellë atyre që shndërruan në realitet ëndrrën e lirisë së qytetarëve të Kosovës, ëndrrën time të madhe.
Zoti i bekoftë ata, vendet dhe kombet e tyre.
Por unë këtu para jush dua të përulem me nderim të madh për qëndresën mbinjerëzore të qytetarëve të Kosovës, sakrificën e tyre sublime për liri, dinjitet, nder dhe identitet kombëtar e europian. Unë gjithashtu dua të shpreh admirimin tim për ju të dashur deputete dhe deputetë të Kosovës që brenda pak viteve shndërruat këtë kuvend në tempull të vërtetë, promotor të shfrytëzimit dhe mbrojtjes së vlerave të lirisë, të hartimit dhe miratimit të ligjeve, normave, akteve të ndërtimit të demokracisë, shtetit ligjor të Kosovës Europiane, Kosovës së qytetarëve të barabartë para ligjit, pavarësisht nga përkatësia etnike, Kosovës që ecën e sigurtë drejt hapësirave të integrimit Euroatlantik.
Gjatë qëndrimit në Kosovë pata rastin të takohem me personalitetet më të larta të vendit, me Kryeadministratorin, Presidentin, Kryeministrin, Kryetarin e Parlamentit, dhe do te takoj me tej udhëheqësit kryesore politike, përfshi edhe ata të komuniteteve të pakicave dhe me kënaqësi konstatoj, se mesazhi i përbashkët i gjithë këtyre takimeve të frytshme është të punojmë së bashku pa dallime kombëtare, racore e fetare për të ndërtuar një Kosovë europiane.
Gjatë kësaj vizite, por edhe nga ndjekja e vazhdueshme dhe e zhvillimeve në Kosovë, konstatoj me kënaqësi se në Kosovë është arritur progres i dukshëm dhe i ndjeshëm në ruajtjen e stabilitetit e qetësisë së brendshme, në realizimin progresiv të standarteve të kerkuara për një shoqëri e shtet demokratik e multietnik, si dhe përballimin me zotësi dhe qartësi politike, me qytetari dhe profesionalizëm të lartë të procesit të negociatave. Këto arritje frymëzuese e shpresëdhënëse kanë ardhur si rezultat i dëshirës tuaj dhe të përbashkët dhe vullnetit te qartepër të ndërtuar institucione demokratike gjithëpërfshirëse e funksionuese, bazuar në vlerat perëndimore, që garantojnë respektimin e të drejtave dhe lirive të individit dhe të pakicave në një shoqëri dhe vend të lirë.
Kjo punë e begatë që është bërë nuk do të kish qenë kaq e arritur pa ndihmën e faktorit ndërkombëtar dhe UNMIK-ut e KFOR-it në vecanti. Këta burra dhe gra nga e gjithë bota sollën gjithë këto vite në Kosovë eksperiencat më të mira të vendeve të tyre dhe i aplikuan këtu tek ju, së bashku me ju rindertuan Kosovën, ndërtuan institucionet demokratike dhe shtetin ligjor, shoqërinë civile, garantuan rendin, qetësinë, stabilitetin në territorin e Kosovës dhe e rezatuan atë në mbarë rajonin. Për këtë duhet të jeni mirënjohës jo vetëm ju por edhe të gjithë ne përreth jush.
Zotërinj deputetë,
Ne sot ndodhemi përpara një momenti historik për Kosovën, në të cilin procesi ndërkombëtar për statusin e Kosovës po ecën drejt përmbylljes. Unë bashkohem me gjithë personalitetet e larta që takova në Kosovë se procesi politik drejt statusit është në rrugën e duhur dhe se e ardhmja e Kosovës duhet të jetë shtet i pavarur e sovran, demokratik dhe i integruar në BE dhe NATO.
Shqipëria ka qenë dhe do të mbetet faktor i rëndësishëm, aktiv dhe konstruktiv për zgjidhjen e çeshtjes së Kosoves. Qëndrimi i Shqipërise për Kosovën është i qartë: Ne mbështesim fuqimisht përpjekjet e Komunitetit Ndërkombëtar, Këshillit të Sigurimit, Grupit të Kontaktit dhe Misionin të të Dërguarit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Marti Ahtisarit së bashku me përfaqësuesit e Kosovës për gjetjen e një zgjidhjeje, që merr parasysh vullnetin e plotë të popullit te Kosovës. Shqipëria gjithashtu mbështet fuqimisht parimet bazë të formuluara nga keto organe ndërkombëtare, mbi të cilat do të ndërtohet kjo zgjidhje: jo kthim në situatën para vitit 1999, jo ndarje të Kosovës dhe jo bashkim me një vend apo pjesë të një vendi tjetër.
Ne mendojmë se prezenca ndërkombëtare civile dhe ushtarake është e domosdoshme në Kosovë edhe në periudhen e pas statusit.
Gjithashtu, është momenti që të shprehim mirenjohjen për punën dhe kontributin e Shefit të UNMIK-ut, Soren Jessen-Petersen. Ne besojmë se puna e shkëlqyer e Z. Petersen në Kosovë do të vijohet edhe më tej nga UNMIK deri në përfundim të negociatave dhe në sigurimin e statusit final të Kosovës.
Për Shqipërinë, pavarësia e Kosovës është zgjidhja e vetme që garanton paqe dhe stabilitet në Kosovë, por jo vetëm në Kosovë por dhe në vendet e tjera përreth.
Paqja, stabiliteti dhe konsolidimi i tyre në Kosovë kanë një rëndësi të madhe për Shqipërinë, për Maqedoninë, Malin e Zi dhe Ballkanin në tërësi. Por konsolidimi i tyre është një proces i vështirë dhe jetik. Trashegimia e hidhur, varfëria, dobësia e shtetit ligjor, korrupsioni, krimi i organizuar, terrorizmi janë faktorë që e rrezikojnë sigurine dhe stabilitetin si në Kosovë ashtu edhe në vende të tjera të rajonit.
Por në Kosovë, sikunder ne Ballkanin e tërë, rëndësi të dorës së parë për paqen dhe stabilitetin ka respektimi i lirive dhe të drejtave të pakicave, gjuhes, kultures, arsimit, besimeve fetare të tyre.
Qëndrimi ndaj anëtarëve të pakicave në tërësi, dhe pakicës serbe në vecanti, është një provë dhe përgjegjësi e madhe morale dhe ligjore, kombëtare dhe ndërkombëtare e qytetarëve shqiptarë në Kosovë, provë e vizionit të tyre për Kosovën europiane dhe të pavarur, prove e qëndrimit të tyre ndaj interesit jetik kombëtar, por edhe provë e mirënjohjes ndaj atyre që për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të tyre njerëzore cliruan Kosovën. Unë përshëndes platformën e decentralizimit dhe kuadrin ligjor të garantimit të lirive dhe të drejtave të njeriut, të udhëheqjes suaj politike si dokumente të shkëlqyer që mishërojnë parimet e konventes europiane për të drejtat e minoriteteve dhe asaj të autonomisë locale dhe rajonale të qeverisjes vendore, dhe kam besim të madh në përkushtimin tuaj të plotë për jetësimin tyre. Unë jam i sigurt se trashëgimia kulturore, fetare, kisha dhe manastiret e serbëve, pasuri e çmuar e Kosoves dhe mbare Europës, do të mbrohet dhe ruhet siç është ruajtur në shekuj nga shqiptaret.
Qeveria e Kosovës ka bërë dhe bën përpjekje serioze për rikthimin e të shpërngulurve në Kosovë. Por të gjitha këto nuk mund të zëvëndësojnë rëndësinë jetike të faljes, pajtimit shoqëror, amnistisë në Kosovë.
Prandaj nga kjo katedër nderi, ju bëj thirrje vëllazërore qytetarëve të Kosovës dhe në veçanti, atyre dhjetra mijëra nënave dhe baballarëve, vëllezërve dhe motrave që kanë humbur më të dashurit e tyre, të gjejnë forcat shpirtërore për të falur. Të falësh nuk do të thotë kurrë të harrosh, përkundrazi është mënyra më fisnike që të nderosh dhe përjetësosh kujtimin e më të dashurit tënd. Kjo është rruga e vetme për të shndërruar në virtyt, madje në virtytin më të arrirë, sakrificën e tij sublime dhe për të shndërruar në dritën e të ardhmes shpirtin e njeriut tënd të dashur, për të lartësuar sebashku me të ngrehinën madhështore të Kosovës se lire.
Te falesh dëshmon se di të dallosh viktimën nga fajtori, dhe se e ke të qartë se Miloshevici nuk ishte vetëm armiku yt, por se ai ishte armik edhe i popujve të tjerë dhe i vet serbëve, i mbarë njerëzimit. Pajtimi shoqëror në Kosovë është në interesin jetik kombëtar dhe këtu e kam fjalën për interësin kombëtar në tërësi.
Ky interes kërkon të mbahet gjithnje parasysh qëndrimi ndaj pakicës serbe ka një rëndësi shumë të madhe për marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan dy kombe, që në interesin e tyre më të mirë por edhe në traditen dhe mësimin e mrekullueshëm të kombeve të qytetëruar duhet të marrin të gjitha përgjegjësitë dhe të hapin një kapitull të ri bashkëpunimi, miqësie, integrimi në Europë.
Por unë dua gjithashtu t'ju drejtoj një thirrje miqësore anëtarëve dhe përfaqesuesve të pakicave serbe në Kosovë duke kërkuar garantimin plotësisht të lirive dhe të drejtave që ju takojnë, të përfshihen në jetën aktive të vendit të tyre dhe të japin ndihmesën e tyre në konsolidimin e bashkëjetesës, harmoninë ndëretnike në Kosovë si interesi më i mirë i tyre dhe fëmijëve të tyre.
Të nderuar deputetë,
I nderuar zoti Kryetar,
Dëshiroj të nënvizoj se Shqipëria dhe Kosova kanë interesa të përbashkëta në të gjitha fushat, për të cilat është punuar, por kërkohet akoma më shumë në të ardhmen. Kosova, nëpërmjet porteve të Shqiperise (Shengjinit) afrohet me Europen. Këtij synimi i shërben edhe përshpejtimi i punës për realizimin e projektit të rrugës Durrës-Morinë. Duhet gjithashtu një intensitet dhe interes më i lartë dhe i dyanshëm në rritjen e shkëmbimeve tregtare, turistike, krijimin e një rrjeti unik të energjetikës, zhvillimin e lidhjeve arsimore, shkencore e kulturore.
Republika e Shqipërisë e konsideron Kosovën pjesë te proceseve demokratike e integruese në rajon e më gjërë. Prandaj kemi mbështetur dhe do të vijojmë edhe në të ardhmen të mbështesim përfshirjen dhe përfaqësimin tuaj në të gjitha nismat shumëpalëshe, në rritjen e shkëmbimeve politike dhe në zgjerimin e bashkëpunimit tuaj me vendet e rajonit, të Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Të nderuar deputetë,
Në përfundim, më lejoni t'ju siguroj edhe njëherë mbështetjen e plotë të Qeverisë së Shqipërisë për përparimin pozitiv të proceseve që tashmë kanë marrë udhë në Kosovë për ndërtimin e një shteti të lirë, të pavarur, demokratik e multietnik që garanton dhe respekton të drejtat e njeriut dhe të pakicave, i një shteti të ri të orientuar drejt integrimit euro-atlantik. Një Kosovë faktor paqe, stabiliteti në Ballkan.
Rroftë Kosova!
Faleminderit!