E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjala e kryeministrit në mbledhjen e qeverisë gjatë paraqitjes së buxhetit shtesë të vitit 2006

Sot, Këshilli i Ministrave miratoi buxhetin shtesë për vitin 2006.

Duke përshëndetur anëtarët e qeverisë, drejtuesit dhe punonjësit e administratës, të cilët mundësuan realizimin për herë të parë të buxhetit shtesë, kryeministri Berisha ndër të tjera theksoi:

"Sot, nga kjo platformë, dëshiroj t'i drejtohem të gjithë qytetarëve shqiptarë.

Në analet e qeverisjes së një vendi dita e sotme përbën një ditë jashtëzakonisht të veçantë. Qeveria mblidhet për të miratuar buxhetin shtesë, ndërkohë që, gjatë 8 viteve, në asnjë rast dhe në asnjë vit të ardhurat nga doganat dhe tatimet nuk u realizuan. Qeveria ia doli jo vetëm të realizojë 100 për qind planin e përcaktuar, sëbashku me institucionet ndërkombëtare, por edhe të paraqitet sot para taksapaguesve shqiptare me buxhetin suplementar të saj.

Në 8 vjet nuk u realizuan asnjëherë të ardhurat nga taksat dhe tatimet për faktin tragjik se, siç thotë raporti i Bankës Botërore, në një pjesë të madhe të tyre ato përfundonin në kontot bankare dhe xhepat e zyrtarëve shqiptarë. Dhe këto nuk ishin disa dhjetra, por qindra milionë.

Le t'u referohemi të dhënave. Të ardhurat dhe tatimet këtë vit, duke llogaritur edhe efektin e uljes 30 për qind të sigurimeve shoqërore për çdo të punësuar, arrijnë në 340 milion euro. Nga këto, 200 milion i kthehen biznesit shqiptar, në mënyrë që ai të lehtësojë dhe zgjerojë veprimtarinë e tij. 140 milion të tjera kthehen në rrugë, ujësjellësa dhe punime të tjera të rëndësishme infrastrukturore.

Dëshiroj të informoj qytetarët shqiptarë, që kanë dëgjuar në mënyrë të përsëritur t'u thuhet se qeveritarë dhe zyrtarë të mëparshëm shpërdoronin qindra milionë dollarë, se deri tani kjo qeveri ia ka dalë t'u shpëtojë nga taksat e tyre nga xhepat dhe kontot e zyrtarëve e qeveritarëve afërsisht 500 milion euro dhe këto janë të gjitha qartësisht të kapshme dhe të verifikueshme.

340 milion është rritja, bashkë me efektin e uljes së taksave, e të ardhurave në krahasim me vitin e kaluar.

Për këtë vit, mbi 100 milionë janë kursyer nga të gjitha prokurimet publike që janë realizuar dhe po realizohen me një kosto 20-30 për qind më të lirë sesa një vit më parë. Ndonëse çmimi i energjisë elektrike dhe çmime të tjera janë rritur në mënyrë të ndjeshme, është zhdukur zarfi i zyrtarit dhe qeveritarit, i cili kapte shumën 20-30 për qind. Kjo nuk ka ndodhur kudo, pasi Edvini vazhdon t'i fusë në xhep, por së shpejti kjo do të ndodhë edhe në Tiranë. Këtu flas për buxhetin qendror. Pra, janë kursyer 100 milionë të tjerë nga çmimet më të ulta të prokurimeve publike si rezultat i garës së hapur, pjesëmarrjes masive të kompanive dhe zhdukjes së zarfit të zyrtarit.

Ndërsa 46 milion është kursimi i shpenzimeve operative.

Në tërësinë e tyre këto arrijnë në gjysmë miliard dollarë, të shpëtuara nga xhepat dhe kontot e kontrabandistëve, evazorëve fiskalë, zyrtarëve që bashkëpunonin me to dhe që rikthehen në arkën e publikut.

Kjo përbën një ditë vërtet të madhe në analet e qeverisjes së vendit, por edhe një detyrim të madh. Ju siguroj se ka akoma hapësirë më të madhe në të gjitha aspektet dhe ne nuk mund të kënaqemi aspak. Ne do të vazhdojmë të rendin pas çdo qindarke të publikut shqiptar. Paratë janë të publikut, të taksapaguesve, të qytetarëve.

Ne ia dolëm të nxjerrim nga labirinthet e krimit ekonomik korrupsionin gjysmë miliard dollarë. Do të vazhdojmë të rendim pas të tjerave, duke përmirësuar dhe konsoliduar performancën dhe administrimin fiskal."

Dëshiroj gjithashtu të shpreh mirënjohjen e thellë dhe falenderimin shumë të përzemërt për të gjithë ata, qindra dhe mijëra punonjës të kësaj administrate dhe drejtues të saj, që bënë të mundur këtë ditë të shumëpritur për shqiptarët.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›