E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha përuron disa objekte infrastrukturore në Durrës

Sot paradite, kryeministri Sali Berisha përuroi përfundimin e disa objekte të rëndësishme infrastrukturore në Durrës. Të pranishëm në ceremoninë e përurimit ishin Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit Lulzim Basha, deputetë dhe banorë të Durrësit.

Kryeministri përuroi ndërtimin e objekteve:

- Rruga ura e Dajlanit-Mazoleumi në hyrje të Durrësit, në të cilën gjatë këtij viti janë bërë rreth 1.6 milion dollarë investime.

- Rruga Spitallë-Shënavlash, një segment i rëndësishëm i unazës së Durrësit dhe i lidhjes së portit me Porto Romanon, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 120 milion lekë.

Duke përshëndetur banorët e Durrësit, Kryeministri theksoi se qeveria do të ndërmarrë gjatë këtij viti dhe vitit të ardhshëm investimet më të mëdha për Durrësin, gjatë 15 viteve të fundit. Duke u ndalur në projektet e parashikuara për këtë qytet, kryeministri veçoi rrugën e Kënetës prej 5 milion dollarë, përfundimin së shpejti të projektit 22 milion dollarë për ndërtimin e terminalit të pasagjerëve në Portin e Durrësit, ndërhyrjet në ujësjellësin e qytetit, që kanë filluar të përmirësojnë situatën e furnizimit me ujë dhe hapjen e tenderit për ujësjellësin e ri të qytetit, një nga projektet kryesore të qeverisë për vitin e ardhshëm. Kryeministri bëri të ditur se këtë vit përfundon projekti për ujësjellësin e ri, ndërsa zbatimi i projektit do të nisë me buxhetin e ri dhe do të ketë në dispozicion të gjithë fondin e nevojshëm për ndërtimin e plotë të tij. Përpjekje serioze, u shpreh kryeministri, po bëhen gjithashtu për të përmirësuar rrjetin elektrik dhe situatën e furnizimit me energji elektrike për Durrësin.

"I shfrytëzuar në mënyrën më të egër dhe çnjerëzore nga klani i zemunit dhe klane të tjera të krimit të lidhura me portin, qyteti vuajti gjatë këtyre viteve në mënyrën më të pamerituar, edhe pse duhet të ishte porta e pasurimit jo vetëm i qytetarëve të Durrësit, por i mbarë shqiptarëve. Tani klanet një e nga një po marrin atë që u ka caktuar ligji dhe qytetarët do të kenë hapësirat që i meritojnë", u shpreh kryeministri.

Duke folur për universitetin e Durrësit, që këtë vit nis vitin e parë akademik, kryeministri vlerësoi se specifikë e këtij universiteti do të jetë përzgjedhja e stafit akademik. Gjithashtu në bashkëpunim me PNUD-in po zbatohet projekti për ‘kthimin e trurit' dhe tërheqja e elitës së mësimdhënies në këtë universitet.

"Durrësi, - nënvizoi kryeministri, - e meriton plotësisht universitetin, pasi trashëgimia e tij është e kulturës perëndimore më të zhvilluar. Ne po plotësojmë një boshllëk të pafalshëm në këtë qytet. Qytetarët e Durrësit dhe autoritetet vendore kanë menduar të japin si korpusin kryesor godinën e fermentimit, i cili u viktimizua nga klani qeveritar i zemunit, por që u nxorr nga kthetrat e tyre dhe do t'u kthehet të rinjve të Durrësit për të studiuar. Në këtë universitet do të studiojnë të rinj nga e gjithë Shqipëria. Qeveria do të japë mbështetje të gjithaanshme për zhvillimin e këtij universiteti."

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›