Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave u miratuan një sërë projektligjesh të rëndësishme:
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT "PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8950, DATË 10.10.2002, "PËR GJENDJEN CIVILE", TË NDRYSHUAR"
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
Propozimin e projektligjit "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8950, datë 10.10.2002, "Për gjendjen civile", të ndryshuar", për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8950, DATË 10.10.2002, "PËR GJENDJEN CIVILE", TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I :
Në ligjin nr.8950, datë 10.10.2002, "Për gjendjen civile", të ndryshuar, të bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Neni 1
Pas pikës 3, të nenit 2, shtohen pikat 3/a e 3/b , me këtë përmbajtje:
"3/a. Vendbanim është njësia e qeverisjes vendore, ku shtetasi ka banesën e vet, për një periudhë më të gjatë se një vit.
3/b. Vendqendrim është njësia e qeverisjes vendore, ku shtetasi ka banesën e vet, për një periudhë më shumë se 45 ditë dhe më pak se një vit.".
Neni 2
Në pikën 1, të nenit 8, "Përbërësit dhe veçoritë e gjendjes civile të shtetasve", pas fjalës "... vendbanim..." shtohet "... vendqendrim...".
Neni 3
Në pikën 1, të nenit 11, fjala "...të përhershëm..." dhe fjalia e dytë shfuqizohen.
Neni 4
Në nenin 12 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Titulli i nenit ndryshohet dhe bëhet "Transferimi, bashkimi familjar dhe deklarimi i vendqendrimit".
2. Pas pikës 4, shtohet pika 4/1, me këtë përmbajtje:
"4/1. Shtetasit, që qendrojnë në një njësi vendore për më shumë se 45 ditë dhe më pak se një vit janë të detyruar të deklarojnë pranë zyrës së gjendjes civile vendqendrimin e tyre. Deklarimi regjistrohet në zyrën e gjendjes civile të vendqendrimit. Zyra e gjendjes civile të vendqendrimit të shtetasit njofton zyrën e gjendjes civile të vendbanimit, e cila bën shënimin përkatës.".
3. Në pikën 5, shtohen fjalët "...ose të deklarojë vendqendrimin, jo më vonë se 45 ditë nga ardhja në vendqendrimin e tij.".
4. Në pikën 7, pas fjalës "...civile...", të shtohet "...dhe deklarimin e vendqendrimit...".
Neni 5
Pas shkronjës "a", të pikës 2, të nenit 19, shtohen shkronjat "a/1" e "a/2", me këtë përmbajtje:
"a/1. Regjistri themeltar i gjendjes civile, me vendbanim.
a/2. Regjistri themeltar i gjendjes civile, me vendqendrim.".
Neni 6
Në fund të pikës 1, të nenit 21, shtohet paragrafi me këtë përmbajtje:
" Në varësi nga natyra e vendbanimit apo vendqendrimit të shtetasve, zyra e gjendjes civile mban:
Regjistrin themeltar të gjendjes civile, me vendbanim;
Regjistrin themeltar të gjendjes civile, me vendqendrim.".
Neni 7
Pas pikës 1, të nenit 24, shtohet pika 1/a me këtë përmbajtje:
"1/a. Për krijimin e regjistrave themeltarë të gjendjes civile, me vendqendrim, përdoren të dhënat e përditësuara, që përmbajnë regjistrat e përkohshëm të shtetasve, të krijuara në zbatim të ligjit nr.9296, datë 21.10.2004, "Për verifikimin, identifikimin e shtetasve nga njësitë e qeverisjes vendore", dhe të ligjit nr.9087, datë 19.6.2003, "Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar.".
Neni 8
Kudo të ligj emërtimi " Ministria e Pushtetit Vendor dhe e Decentralizimit", zëvendësohet me "Ministria e Brendshme".
Neni 9
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në "Fletoren zyrtare".
K R Y E T A R I
JOZEFINA TOPALLI
* * *
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT "PËR CERTIFIKATAT ELEKTRONIKE TË GJENDJES GJYQËSORE"
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
Propozimin e projektligjit "Për certifikatat elektronike të gjendjes gjyqësore", për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
P R O J E K T L I GJ
PËR
CERTIFIKATAT ELEKTRONIKE TË GJENDJES GJYQËSORE
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Objekti
Ky ligj ka për qëllim përcaktimin e rregullave për administrimin e regjistrit të gjendjes gjyqësore, nëpërmjet rrugës elektronike.
Neni 2
Përkufizime
Në zbatim të këtij ligji termat e mëposhtëm kanë këtë kuptim:
1. "Regjistër i gjendjes gjyqësore" – regjistri manual i gjendjes gjyqësore, regjistri themeltar elektronik i gjendjes gjyqësore dhe regjistri elektronik i gjendjes gjyqësore.
2. "Regjistër manual i gjendjes gjyqësore" – hedhja e të dhënave me shkrim në regjistër, sipas përcaktimeve të neneve 481 e në vazhdim, të kreut të III, të Kodit të Procedurës Penale, e që në vijim do të quhet "regjistri manual".
3. "Regjistër themeltar elektronik i gjendjes gjyqësore" – banka elektronike e të dhënave për dënimet penale dhe rehabilitimin, të nxjerra në bazë të vendimeve penale të formës së prerë të gjykatave shqiptare, për shtetas shqiptarë, të huaj apo pa shtetësi, ku përpunohen të dhënat në mënyrë automatike dhe manuale, duke garantuar ruajtjen, përpunimin dhe mosndërhyrjen në këtë sistem, pa autorizimin përkatës. Regjistri i mësipërm nuk është "on-line" dhe në vijim quhet "regjistri themeltar elektronik".
4. "Regjistër elektronik i gjendjes gjyqësore" – banka elektronike e të dhënave, vetëm për faktin nëse personi është ose jo i dënuar. Këto të dhëna, nxirren nga "regjistri themeltar" vetëm me ndërhyrjen e personit të autorizuar nga titullari i zyrës. Ky regjistër në vijim quhet "regjistri elektronik".
5. "Përpunim automatik i të dhënave" – përfshin operacionet e hedhjes së të dhënave në regjistrin themeltar, i cili kryhet vetëm nga punonjësi i autorizuar, duke garantuar ruajtjen e të dhënave, kryerjen e veprimeve logjike dhe/ose aritmetike mbi këto të dhëna, marrjen e tyre nga institucionet përkatëse, gjykata dhe prokuroria, dhe kalimin e këtyre të dhënave në regjistrin elektronik, vetëm nga ky person.
6. "Certifikatë elektronike e gjendjes gjyqësore"- informacioni i përftuar në rrugë elektronike nga regjistri elektronik i gjendjes gjyqësore, ku evidentohet ekzistenca e dënimeve penale, të dhëna nga gjykatat shqiptare, në ngarkim të shtetasve shqiptarë, të huaj ose pa shtetësi, dhe në vijim quhet "certifikatë elektronike".
7. "Certifikatë manuale e gjendjes gjyqësore" – dokumenti i lëshuar nga "Regjistri themeltar elektronik", në mënyrë të shkruar, prej titullarit të zyrës së gjendjes gjyqësore dhe që në vijim quhet "certifikatë manuale".
8. "Vetëdeklarimi i personit" – deklarimi që bën personi përpara institucionit publik ose privat, shqiptar ose të huaj, për faktin nëse është apo jo i dënuar, shoqëruar me autorizim me shkrim dhe me dokument identifikimi, për të lejuar institucionin të bëjë verifikimet e nevojshme.
9. "Formular i vetëdeklarimit"- formulari i hartuar nga Ministria e Drejtësisë dhe i miratuar nga Këshilli i Ministrave, i cili përbën vetëdeklarimin, si dhe të dhënat e nevojshme për identifikimin e personit vetëdeklarues, dhe që u shpërndahet institucioneve të autorizuara nga Këshilli i Ministrave.
Neni 3
Zyra e gjendjes gjyqësore
Zyra e gjendjes gjyqësore funksionon në Ministrinë e Drejtësisë. Organizimi dhe struktura e saj miratohet nga ministri i Drejtësisë.
Zyra e gjendjes gjyqësore mban dhe përpunon të dhënat në të dyja bankat e të dhënave elektronike, në regjistrin themeltar elektronik të gjendjes gjyqësore, në regjistrin elektronik të gjendjes gjyqësore, si dhe në regjistrin manual të gjendjes gjyqësore.
Neni 4
Shënimet dhe heqja e tyre
Shënimet dhe heqja e tyre në/nga regjistrat e gjendjes gjyqësore bëhen sipas përcaktimeve të Kodit të Procedurës Penale dhe Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
Neni 5
Përpunimi i të dhënave dhe mbrojtja e tyre
Përpunimi automatik i të dhënave në regjistrin themeltar elektronik dhe në regjistrin elektronik bëhet vetëm nga personi i autorizuar nga titullari i zyrës së gjendjes gjyqësore.
Hedhja e të dhënave, ruajtja e tyre, kryerja e veprimeve logjike mbi këto të dhëna, mbrojtja nga ndryshimet, marrja dhe shpërndarja e tyre bëhen nëpërmjet jo më pak se tri niveleve të sigurisë, të përcaktuara nga një subjekt i licencuar në këtë fushë, dhe nëpërmjet kodeve hyrëse, që administrohen vetëm nga titullari i zyrës.
Titullarit të zyrës i ndalohet t'u japë të dhëna të tretëve për nivelin e sigurisë.
Neni 6
Administrimi i regjistrit elektronik
Regjistri elektronik i gjendjes gjyqësore administrohet nga zyra e gjendjes gjyqësore.
Regjistri elektronik jep të dhëna vetëm për faktin nëse personi është apo jo i dënuar. Ky regjistër nuk jep të dhëna për dënimet penale. Këto të dhëna nuk mund të përftohen në mënyrë elektronike, por personi i interesuar ose i autorizuar duhet t'i drejtohet zyrës së gjendjes gjyqësore për të marrë një informacion më të zgjeruar.
Titullari merr masat që regjistri elektronik të përditësohet çdo 24 orë, si dhe të njoftojë organet përkatëse në rast se vëren se ka patur ndërhyrje të paligjshme në këtë sistem.
Neni 7
Certifikatat elektronike
Certifikatat elektronike përbëjnë vetëm të dhëna për faktin nëse shtetasi është apo jo i dënuar në bazë të një vendimi gjyqësor, të formës së prerë.
Personi i padënuar ose i rehabilituar pajiset me certifikatë elektronike në të cilën shënohet "I padënuar".
Personit të dënuar nuk i lëshohet certifikatë elektronike. Ai ka të drejtë të pajiset me certifikatë manuale.
Të dhënat për vendimet penale nuk pasqyrohen asnjëherë në certifikatën elektronike, por vetëm në certifikatën manuale.
Neni 8
Vetëdeklarimi i gjendjes gjyqësore
Shtetasit e Republikës së Shqipërisë, si dhe shtetasit e huaj ose pa shtetësi lejohen të vërtetojnë gjendjen e tyre gjyqësore nëpërmjet vetëdeklarimit para institucioneve publike ose private, shqiptare ose të huaja, ku kërkohen të dhëna për gjendjen e tyre gjyqësore.
Vetëdeklarimi duhet të shoqërohet edhe me një autorizim të nënshkruar nga shtetasi, i cili autorizon këto institucione të verifikojnë gjendjen gjyqësore në regjistrin elektronik.
Vetëdeklarimi dhe autorizimi përbëjnë dokumente zyrtare dhe paraqitja në to e të dhënave të rreme ndëshkohet sipas dispozitave të Kodit Penal.
Neni 9
Shpërndarja e certifikatave elektronike
Shpërndarja në rrugë elektronike e certifikatave elektronike të regjistrit elektronik kryhet duke garantuar sigurinë e sistemit të të dhënave dhe të fshehtësisë së të dhënave personale të shtetasve, nëpërmjet disa niveleve sigurie, të përcaktuara në nenin 5, të këtij ligji.
Institucionet, publike ose private, vendase ose të huaja, në bazë të formularit të vetëdeklarimit, mund të kërkojnë në mënyrë elektronike marrjen e certifikatës elektronike nga zyra e gjendjes gjyqësore, e cila duhet të përgjigjet brenda 24 orësh nga paraqitja e saj.
Titullari i zyrës verifikon çdo 24 orë nëse marrja e këtyre të dhënave nga subjektet është bërë në përputhje me detyrimet e këtij ligji.
Neni 10
Shpërndarja e certifikatave manuale
Certifikatat manuale përftohen sipas përcaktimeve të nenit 484, të Kodit të Procedurës Penale.
Drejtuesit, inspektorët dhe specialistët e Ministrisë së Drejtësisë, për t'u këshilluar me të dhënat e regjistrit manual dhe me regjistrat elektronikë, duhet të kenë autorizim periodik ose të posaçëm nga ministri i Drejtësisë ose nga zyrtari i ngarkuar prej tij. Për punonjësit e zyrës, autorizimi lëshohet nga titullari i zyrës së regjistrit gjyqësor.
Neni 11
Sanksionet
Ndërhyrja e paligjshme në regjistrat elektronikë ose në transmetimet kompjuterike përbën vepër penale dhe përhapja e të dhënave për gjendjen gjyqësore të personave nga punonjësit e autorizuar për përpunimin automatik të të dhënave dënohet sipas dispozitave të kodit penal.
Neni 12
Nxjerrja e akteve nënligjore
Këshilli i Ministrave, brenda 15 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, përcakton subjektet që mund të paraqesin kërkesë për marrjen e certifikatës elektronike pranë zyrës së gjendjes gjyqësore.
Ministri i Drejtësisë, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, përcakton rregullat e hollësishme për marrjen e certifikatave në rrugë elektronike, sipas nenit 10, të këtij ligji.
Shtetasit shqiptarë ose të huaj, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, vërtetojnë gjendjen e tyre gjyqësore vetëm nëpërmjet vetëdeklarimit.
Neni 13
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në "Fletoren zyrtare".
K R Y E T A R I
JOZEFINA TOPALLI
* * *
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT "PËR SISTEMIN E TAKSAVE VENDORE"
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
Propozimin e projektligjit "Për sistemin e taksave vendore", për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
P R O J E K T L I GJ
PËR
SISTEMIN E TAKSAVE VENDORE
Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1, 83, pika 1, 113, pika 1, shkronja "ç", 155, dhe 157, pika 3, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I :
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti i ligjit
Objekt i këtij ligji janë taksat e bashkive dhe të komunave.
Neni 2
Qëllimi i ligjit
Ky ligj përcakton rregullat për mënyrën e ushtrimit të të drejtave dhe të detyrave nga organet e qeverisjes vendore, për vendosjen e taksave vendore, mbledhjen dhe administrimin e tyre.
Neni 3
Përkufizime
Në zbatim të këtij ligji:
1. termat e përdorura do të kenë të njëjtin kuptim me termat e përcaktuara në nenin 2, të ligjit nr.8652, datë 31.7.2000, "Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore.
2. "Tokë bujqësore" nënkupton tokën e përcaktuar si të tillë në regjistrin e zyrave të regjistrimit të pasurisë.
3. "Zyrë e taksave" nënkupton njësinë organizative që, me vendim të këshillit të bashkisë ose komunës, ngarkohet për administrimin e taksave vendore.
4. "Organe tatimore të pushtetit qendror" nënkupton Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe degët e tatim-taksave në rrethe.
5. "Nivel tregues i taksës" nënkupton nivelin e taksës mbi biznesin e vogël, i parashikuar në aneksin 5, që i bashkëlidhet këtij ligji.
6. "Arkë regjistruese" nënkupton kasat regjistruese elektronike, të detyrueshme për lëshimin e kuponave tatimorë nga biznesi, në përputhje me vendimin e Këshillit të Ministrave dhe me udhëzimin e ministrit të Financave.
Neni 4
Zbatimi i sistemit tatimor në Republikën e Shqipërisë
1. Bashkitë, komunat dhe organet tatimore të pushtetit qendror i ushtrojnë të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre fiskale për taksat vendore, në përputhje me ligjin nr.8560, datë 22.12.1999, "Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, e çdo akt tjetër detyrues, për sistemin tatimor në Republikën e Shqipërisë, për aq sa këto të fundit nuk bien në kundërshtim me këtë ligj dhe me ligjin nr.8652, datë 31.7.2000, "Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore".
2. Zyra e taksave të bashkisë apo komunës vendos e zbaton sanksione për shkelje të procedurave e të detyrimeve fiskale vendore, të përcaktuara në ligjin nr.8560, datë 22.12.1999, "Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar.
3. Policia bashkiake ose e komunës mbështet inspektorët e taksave të bashkisë ose komunës në veprimtarinë e tyre, kur gjykohet e nevojshme dhe në përputhje me rregullat e përcaktuara nga këshilli i bashkisë ose i komunës, sipas nenit 5, të këtij ligji.
4. Organet tatimore të pushtetit qendror, për administrimin në tërësi të sistemit tatimor, ndërmarrin edhe veprime, vlerësimi dhe kontrolli, për çështje, që lidhen ose ndikojnë në administrimin e tatimeve ose të taksave kombëtare. Zyrat e taksave të bashkive dhe të komunave njoftojnë dhe mbështesin organet tatimore të pushtetit qendror, kur u kërkohet prej këtyre të fundit.
5. Organet tatimore të pushtetit qendror, me kërkesë të bashkisë ose komunës mbështesin veprimtarinë e tyre për administrimin e taksave vendore. Palët mund të bashkëpunojnë në bazë të mirëkuptimit ose të një marrëveshjeje.
6. Zgjidhja e mosmarrëveshjeve ndërmjet bashkive, komunave, ndërmjet bashkive dhe komunave, këtyre të fundit dhe organeve tatimore të pushtetit qendror, për çështje, që kanë të bëjnë me kompetencën ose juridiksionin mbi taksën vendore, bëhet me mirëkuptim. Në të kundërt, palët i drejtohen gjykatës.
7. Pranë çdo bashkie dhe komune krijohet regjistri i taksave vendore dhe taksapaguesve vendorë. Forma dhe kodifikimi i këtij regjistri përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave, në përputhje me këtë ligj dhe me ligjin nr.8560, datë 22.12.1999, "Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar.
8. Ministri i Financave dhe ministri i Brendshëm nxjerrin udhëzime, në zbatim të këtij neni, për sigurimin e uniformitetit, minimal e të domosdoshëm, të standardeve procedurale e të raportimit të sistemit të taksave vendore.
Neni 5
Rregulla të përbashkëta për taksat vendore
Me përjashtim të rasteve kur në këtë ligj përcaktohet shprehimisht ndryshe, këshilli i bashkisë ose i komunës:
a) bën edhe kategorizime më të hollësishme, në përputhje me kushtet dhe interesat vendore, brenda kategorive minimale të bazës së taksës, të përcaktuar në këtë ligj;
b) vendos për nivelin e taksës, brenda kufijve të përcaktuar në këtë ligj, për çdo kategori e nënkategori të bazës së taksës;
c) përcakton numrin e kësteve të pagimit të taksës dhe afatet e kryerjes së tyre, si dhe kushtet lehtësuese në rastet e pagesës së plotë dhe përpara afateve të detyrimeve fiskale;
ç) përcakton:
i) detyrat dhe përgjegjësitë e zyrës së taksave;
ii) mënyrën e mbledhjes së taksës, përfshirë zgjedhjen e agjentit fiskal dhe detyrimet e ndërsjella;
iii) rastet e ndërhyrjes së policisë bashkiake e të komunës, në mbështetje të administrimit të taksave vendore;
iv) rregullat e raportimit, të dokumentimit e kontrollit të taksave vendore;
v) kriteret dhe procedurat e marrëdhënieve me taksapaguesit, përfshirë të drejtën e tyre të ankimimit;
vi) mënyrat e zbatimit të sanksioneve për kundërvajtje administrative.
Neni 6
Përjashtimi nga taksat
Përjashtohen nga taksat vendore të gjitha subjektet e parashikuara shprehimisht në këtë ligj apo në ligje të tjera të veçanta.
Neni 7
Ankimi
Ankimi i taksapaguesit në nivel vendor, kundër vendimit a veprimit të zyrës së taksave, bëhet te kryetari i bashkisë ose i komunës, sipas kritereve dhe rregullave të vendosura nga këshilli bashkiak ose komunal, në përputhje me nenin 4, të këtij ligji. Taksapaguesi ka të drejtë të ankohet në gjykatë kundër vendimit të kryetarit të bashkisë a komunës.
Neni 8
Të drejtat e tatimpaguesit
Tatimpaguesi kërkon të drejtat në përputhje me procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë dhe me këtë ligj.
KREU II
TAKSAT VENDORE
Neni 9
Llojet e taksave vendore
Në taksat vendore përfshihen:
1. taksa vendore mbi biznesin e vogël;
2. taksa mbi pasurinë e paluajtshme, në të cilën përfshihen taksa mbi ndërtesat dhe taksa mbi tokën bujqësore;
3. taksa e fjetjes në hotel;
4. taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja;
5. taksa mbi kalimin e së drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme;
6. taksa e regjistrimit të përvitshëm të mjeteve;
7. taksa për zënien e hapësirave publike;
8. taksa e tabelës;
9. taksa të përkohshme.
KREU III
TAKSA VENDORE MBI BIZNESIN E VOGËL
Neni 10
Subjektet e tatimit mbi biznesin e vogël
1. "Biznes" është çdo veprimtari ekonomike nga çdo subjekt, që ka për qëllim realizimin e fitimit.
2. "Vendndodhje e biznesit" është çdo dyqan, njësi e veçantë ose vende të tjera të palëvizshme, ku kryhet biznes. Kur nuk ekziston një vend fiks biznesi, vendndodhja e biznesit, që ushtrohet nga një person fizik, është banesa private e taksapaguesit.
3. Çdo subjekt, i cili kryen një biznes, me anë të të cilit realizohet, gjatë vitit fiskal, një e ardhur bruto vjetore (qarkullim) më e vogël ose e barabartë me 8 000 000 (tetë milionë) lekë, i nënshtrohet detyrimit të pagesës së taksës vendore mbi biznesin e vogël.
4. E ardhura nga taksa vendore mbi biznesin e vogël i takon asaj njësie të qeverisjes vendore, në territorin e juridiksionit të së cilës gjendet vendndodhja e biznesit.
5. Taksa vendore mbi biznesin e vogël llogaritet si detyrim vjetor i taksapaguesit. Periudha e detyrimit vjetor fillon më 1 janar dhe përfundon më 31 dhjetor të vitit në vazhdim. Nëse veprimtaria e biznesit krijohet ose pushon brenda kësaj periudhe, detyrimi i taksapaguesit llogaritet proporcionalisht vetëm për periudhën e ushtrimit të kësaj veprimtarie.
Neni 11
Kategoritë e bazës dhe nivelet e taksës vendore
mbi biznesin e vogël
1. Kategoritë minimale të bazës së taksës vendore mbi biznesin e vogël dhe nivelet treguese të taksës, për çdo kategori, jepen në aneksin 5, që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Detyrimi i taksës për t'u paguar nga çdo biznes, në çdo vendndodhje biznesi, përcaktohet në përputhje me kategorinë e biznesit, që kryhet në kohën e regjistrimit dhe riregjistrimit të tij. Kategoritë e biznesit paraqiten në aneksin 5, që i bashkëlidhet këtij ligji.
3. Kur një subjekt kryen më shumë se një lloj biznesi, në të njëjtin vend, që përkon me kategori të ndryshme të bazës së taksës, niveli tregues i taksës, në varësi të kategorisë, përcaktohet sipas llojit të veprimtarisë, që ka qarkullim më të madh vjetor. Për përcaktimin e detyrimit fiskal, llojet e tjera të biznesit, që kryhen në këtë vend, vlerësohen të të njëjtit tip dhe qarkullimi llogaritet si shumë e qarkullimeve të të gjitha këtyre bizneseve.
4. Niveli tregues i taksës, për çdo kategori biznesi, në varësi të qarkullimit vjetor, të ndarë sipas intervaleve prej 1 milion lekë, duke filluar nga vlera minimale prej 2 milionë lekësh, jepen në aneksin 5, që i bashkëlidhet këtij ligji. Për bizneset me qarkullim deri në dy milionë lekë, detyrimi fiskal tregues është i fiksuar, për çdo kategori biznesi dhe nuk varet nga qarkullimi. Për bizneset me qarkullim më të madh se 2 milionë lekë deri në 8 milionë lekë në vit, detyrimi fiskal tregues është i barabartë me shumën e detyrimit për bizneset, me qarkullim deri në 2 milionë lekë, shtuar me vlerën, që del nga shumëzimi i madhësisë prej 1,5 për qind me vlerën në lekë të mesit të çdo intervali, prej 1 milion lekësh, sipas së cilit ndahet intervali i qarkullimit 2-8 milionë lekë, përjashtuar rastet e ambulantëve dhe të transportit, të cilat kanë një mënyrë tjetër taksimi, që tregohet në të njëjtin aneks, që i bashkëlidhet këtij ligji.
5. Këshilli bashkiak ose komunal vendos për nivelin e taksës, që do të zbatojë, për çdo kategori minimale të bazës së taksës, të parashikuar në aneksin 5, të këtij ligji, në kufijtë plus-minus 30 për qind të nivelit tregues të taksës për kategorinë përkatëse dhe për çdo interval të qarkullimit, në përputhje me udhëzimet përkatëse.
6. Kur këshilli bashkiak a komunal, për një kategori minimale të bazës së taksës, miraton nënkategori, ai përcakton detyrimisht edhe nivelin e taksës për secilën nënkategori. Niveli i taksës, për çdo nënkategori, është brenda kufijve, të përcaktuar në pikën 5, të këtij neni.
7. Bizneset, që kanë kasa regjistruese dhe nëpërmjet tyre provojnë qarkullimin e saktë vjetor, mund të kërkojnë që, detyrimi fiskal t'u llogaritet, sipas së njëjtës formulë si më sipër, por bazuar në vlerësimin e drejtpërdrejtë të qarkullimit.
8. Këshilli bashkiak ose komunal vendos për lehtësimin a përjashtimin nga detyrimi për pagimin e taksave për taksapaguesin, veprimtaria e të cilit, si biznes i vogël, është dëmtuar nga veprimi i forcave madhore. Në këtë rast, lehtësimi ose përjashtimi është i përkohshëm dhe kohëzgjatja përcaktohet, rast pas rasti, nga këshilli i bashkisë ose komunës, me propozimin e kryetarit të njësisë së qeverisjes vendore.
Neni 12
Regjistrimi dhe licencimi
1. Taksapaguesi regjistron çdo vendndodhje të biznesit, pranë bashkisë a komunës përkatëse.
2. Regjistrimi, për herë të parë, bëhet përpara se taksapaguesi të fillojë biznesin. Gjatë këtij regjistrimi taksapaguesi detyrohet të japë të dhënat e mëposhtme:
a) vendimin e gjykatës për regjistrimin, kur regjistrimi në gjykatë është i detyrueshëm;
b) certifikatën personale me fotografi;
c) adresën e vendndodhjes së biznesit;
ç) llojin e biznesit, që kryen në atë vendndodhje;
d) çdo të dhënë ose dokument tjetër, që mund të përcaktohet me
udhëzim të ministrit të Financave.
3. Taksapaguesi është i detyruar të riregjistrohet, për çdo vit kalendarik, që vijon, jo më vonë se data 31 mars, vetëm nëse ka ndryshime në vendndodhjen ose llojin e biznesit, që kryen. Procedurat e riregjistrimit pranë bashkisë apo komunës përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave.
4. Bashkia a komuna bën regjistrimin e taksapaguesit, kur ai nuk regjistrohet ose nuk riregjistrohet në kohën e duhur. Ky regjistrim ka të njëjtin efekt me regjistrimin ose riregjistrimin e kryer nga vetë taksapaguesi dhe shoqërohet me sanksione, sipas nenit 17, të këtij kreu.
5. Bashkia ose komuna pajis me certifikatë regjistrimi çdo taksapagues, i cili ka përfunduar procesin e regjistrimit ose të riregjistrimit, në përputhje me udhëzimin. Në certifikatë shënohen numri i identifikimit të taksapaguesit, lloji i veprimtarisë dhe adresa e vendndodhjes së biznesit. Numri i identifikimit është unik, në shkallë kombëtare, dhe përcaktohet me udhëzim të ministrit të Financave, sipas nenit 4, të këtij ligji.
6. Kur taksapaguesi kryen një biznes në më shumë se një vendndodhje, ai pajiset me certifikatë regjistrimi, për çdo vendndodhje të biznesit, dhe taksa llogaritet më vete për çdo vendndodhje.
Neni 13
Detyrimi për informim
1. Taksapaguesi njofton, me shkrim, bashkinë ose komunën, brenda një periudhe prej 15 ditësh, për çdo ndryshim në të dhënat e paraqitura, kur është regjistruar ose riregjistruar.
2. Taksapaguesi ka detyrimin të afishojë dukshëm, në vendndodhjen e biznesit, certifikatën e regjistrimit. Nëse nuk ka një vendndodhje fikse për veprimtarinë ekonomike, taksapaguesi detyrohet ta paraqesë certifikatën sa herë që i kërkohet nga nëpunësi përgjegjës i bashkisë ose komunës, si dhe nga organet tatimore të pushtetit qendror.
Neni 14
Pagesa
1. Taksa paguhet në katër këste të barabarta. Kësti i parë paguhet brenda datës 20 prill. Kësti i dytë jo më vonë se data 20 korrik, kësti i tretë jo më vonë se data 20 tetor dhe kësti i fundit jo më vonë se data 20 janar e vitit të ardhshëm fiskal.
2. Nëse tatimpaguesi në çastin e regjistrimit ka dhënë informacion të pasaktë dhe kur shuma për t'u paguar është më e madhe se sa shuma e paguar, zyra e taksave, duhet ta njoftojë tatimpaguesin, i cili paguan detyrimin tatimor shtesë, brenda 30 ditësh nga marrja e njoftimit. Kur tatimpaguesi, brenda 30 ditësh nga marrja e njoftimit nga zyra e taksave nuk paguan detyrimin tatimor shtesë, zbatohen sanksionet përkatëse.
3. Kur një biznes mbyllet gjatë vitit dhe vlera e detyrimit tatimor, që duhet të paguajë tatimpaguesi, është më e vogël se tatimi i paguar, diferenca i kthehet tatimpaguesit, brenda 30 ditësh nga marrja e njoftimit për mbylljen e biznesit. Kthimi i diferencës dhe afati zbatohen edhe, në çdo rast, kur vlerësohet nga organi përkatës se detyrimi i tatimpaguesit është më i vogël se ai i paguar efektivisht.
4. Taksa e mbledhur, në mbështetje të këtij ligji, transferohet në buxhetin e bashkisë ose komunës, ku ka vendndodhjen biznesi i taksueshëm.
Neni 15
Mbajtja e regjistrimeve
1. Tatimpaguesi detyrohet të mbajë librin e shitjeve (qarkullimit) dhe librin e blerjeve, ku regjistrohen çdo ditë shitjet dhe blerjet ditore. Formati i këtyre librave përcaktohet me udhëzim të ministrit të Financave.
2. Tatimpaguesit, shitës me pakicë të mallrave ose të shërbimeve, të pajisur me arkë regjistruese, lëshojnë kupon tatimor, për çdo shitje. Tatimpaguesit e tjerë, shitës me pakicë të mallrave ose të shërbimeve, të papajisur me arkë regjistruese, për çdo shitje të kryer, lëshojnë dëftesë tatimore. Për shitjet me shumicë, tatimpaguesit lëshojnë faturë të thjeshtë tatimore. Mënyra e lëshimit të këtyre dokumenteve përcaktohet me udhëzim të ministrit të Financave.
3. Libri i shitjeve (qarkullimit) dhe fatura e thjeshtë tatimore prodhohen dhe shpërndahen nga organet tatimore, në përputhje me udhëzimin e ministrit të Financave.
Neni 16
Verifikimi
Taksapaguesi është i detyruar të paraqesë çdo dokument, të përcaktuar në këtë kre, për detyrimin për pagimin e taksave, kur këto i kërkohen nga inspektori i zyrës së taksave, në juridiksionin e së cilës ushtrohet biznesi, si dhe nga inspektori i organeve tatimore të pushtetit qendror, si dhe t'i lejojë ata të hyjnë në mjediset, ku ushtrohet biznesi, për qëllime verifikimi të të dhënave të regjistrimit dhe për kontrollin e certifikatës së regjistrimit.
Neni 17
Kundërvajtjet dhe sanksionet
1. Në kuptim të këtij kreu, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative:
a) Mosregjistrimi ose mosriregjistrimi i vendndodhjes së veprimtarisë ekonomike a mospagimi i taksës, brenda afatit të caktuar dhe dënohet me gjobë, të barazvlefshme me 25 për qind të detyrimit për taksën.
b) Paraqitja e të dhënave të pasakta ose të paplota në çastin e regjistrimit ose të riregjistrimit dhe dënohet me gjobë 10 000 (dhjetë mijë) lekë. Kjo gjobë paguhet së bashku me detyrimin e taksës shtesë, sipas pikës 2, të nenit 14, të këtij ligji.
c) Mosafishimi ose mosparaqitja e certifikatës së regjistrimit në përputhje me nenin 13, të këtij ligji dhe dënohet me gjobë 10 000 (dhjetë mijë) lekë.
ç) Në rastet kur taksapaguesi nuk lejon nëpunësit përkatës të hyjnë në mjediset e biznesit, ai dënohet me gjobë 10 000 (dhjetë mijë) lekë.
2. Gjobat paguhen në favor të bashkisë dhe komunës, brenda 15 ditëve nga data kur organi përkatës ka nxjerrë vlerësimin.
3. Nëse taksapaguesi nuk paguan taksën, gjobën dhe taksën shtesë, zyra e taksës tërheq certifikatën e regjistrimit dhe e mbyll biznesin, deri në çastin e kryerjes së pagesës. Nëse detyrimet nuk shlyhen edhe pas afatit 6-mujor nga mbyllja e biznesit, zyra e taksës mund të vendosë konfiskimin e pasurive të regjistruara në emër të biznesit ose të tatimpaguesit për atë masë, që mbulon detyrimet fiskale të papaguara.
Neni 18
Ankimi
1. Taksapaguesi ka të drejtë të ankohet, me shkrim, për shumën dhe mënyrën sesi janë vlerësuar detyrimet e tij të taksave, të kërkojë rimbursime, si dhe të apelojë kundër çdo veprimi a mosveprimi të zyrës së taksave.
2. Çdo ankim paraqitet te kryetari i bashkisë ose komunës, brenda 30 ditëve nga marrja dijeni për aktin administrativ, i cili shqyrton ankimin dhe merr vendim brenda 30 ditëve nga çasti i depozitimit. Ankimi ndaj këtij vendimi në gjykatë bëhet brenda 30 ditëve nga çasti i marrjes dijeni për vendimin e mësipërm.
3. Kur shqyrtohet një ankim, subjekti ankimues ka të njëjtat të drejta me zyrën e taksave.
4. Apelimi nuk mund të tërhiqet në rastet kur sillen fakte shtesë, që vërtetojnë se shuma e detyrimit për taksën e vlerësuar nuk është e saktë.
Neni 19
Kualifikimi si biznes i vogël
1. Bashkitë dhe komunat, sa herë që vlerësojnë se një biznes nuk përmbush kushtet për t'u kualifikuar si biznes i vogël, kryejnë çregjistrimin e tij dhe njoftojnë organin tatimor të pushtetit qendror përkatës. Që nga ky çast tatimpaguesi dhe veprimtaria e tij vendosen nën juridiksionin e organit tatimor të pushtetit qendror.
2. Organet tatimore të pushtetit qendror mund të kryejnë vetë ose në bashkëpunim me bashkinë dhe komunën verifikimin e përmbushjes së kushteve të kualifikimit të një biznesi si biznes i vogël. Kur ato vërejnë raste të mospërmbushjes së këtyre kushteve, kryejnë regjistrimin e këtij biznesi dhe e kalojnë atë nën juridiksionin e tyre. Organi tatimor i pushtetit qendror njofton, menjëherë, bashkinë a komunën përkatëse, e cila kryen çregjistrimin e tatimpaguesit, me të marrë këtë njoftim.
3. Kur organet tatimore të pushtetit qendror vlerësojnë se një veprimtari biznesi, e regjistruar si subjekt i tatimit mbi vlerën e shtuar, plotëson kushtet për t'u kualifikuar si veprimtari e biznesit të vogël, kryejnë çregjistrimin e saj dhe njoftojnë për këtë qëllim bashkinë ose komunën përkatëse për regjistrimin si veprimtari e biznesit të vogël. Që nga ky çast, taksapaguesi dhe veprimtaria e tij vihen nën juridiksionin e bashkisë ose komunës. Për qëllimet e këtij vlerësimi, përveç kërkesës dhe të dhënave të paraqitura nga vetë taksapaguesi, organet tatimore të pushtetit qendror pranojnë dhe shqyrtojnë edhe informacionet e dhëna ose kërkesat e kryera nga bashkia apo komuna.
4. Ndaj vlerësimeve të organit tatimor të pushtetit qendror apo të bashkisë ose komunës, të kryera sipas pikave të mësipërme, të këtij neni, tatimpaguesi mund të ankohet, sipas rastit, në sistemin e administratës tatimore, qendrore ose vendore, në përputhje me ligjin "Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë" dhe më pas në gjykatë.
KREU IV
TAKSA MBI PASURINË E PALUAJTSHME
Neni 20
Përcaktimi dhe llojet
1. Taksës mbi pasurinë e paluajtshme i nënshtrohen të gjithë personat, fizikë ose juridikë, vendas ose të huaj, pronarë të pasurive të mësipërme, në territorin e Republikës së Shqipërisë, pavarësisht nga niveli i shfrytëzimit të këtyre pasurive. Bëjnë përjashtim rastet kur në ligj parashikohet ndryshe. Detyrimin për taksën mbi pasurinë e paluajtshme e ka, sipas rastit, pronari ose bashkëpronari, sipas pjesës, që zotëron.
2. Në taksat mbi pasurinë e paluajtshme përfshihen:
a) taksa mbi ndërtesat;
b) taksa mbi tokën bujqësore.
Neni 21
Rregulla të përbashkëta të taksës për pasurinë e paluajtshme
1. Taksat llogariten si detyrim vjetor i taksapaguesit. Nëse pasuria e taksueshme krijohet, tjetërsohet ose zhduket brenda kësaj periudhe, detyrimi i taksapaguesit llogaritet proporcionalisht vetëm për periudhën e së drejtës së pronësisë.
2. Kategoritë minimale të bazës së taksës dhe nivelet treguese të taksës për çdo kategori minimale të bazës për taksën mbi ndërtesën dhe për taksën mbi tokën bujqësore jepen, përkatësisht, në anekset 1 e 2, që i bashkëlidhen dhe janë pjesë përbërëse e këtij ligji.
3. Këshilli bashkiak ose komunal vendos për nivelin e taksës, që do të zbatohet për çdo kategori minimale të bazës së taksës, të parashikuar në anekset 1 e 2, në kufijtë plus-minus 30 për qind të nivelit tregues së taksës për kategorinë përkatëse.
4. Kur për një kategori minimale të bazës së taksës, këshilli bashkiak ose komunal miraton nënkategori, ai, detyrimisht, përcakton edhe nivelin e taksës për secilën nënkategori. Niveli i taksës për çdo nënkategori është brenda kufijve të përcaktuar në pikën 3, të këtij neni.
5. Këshilli bashkiak ose komunal vendos për lehtësimin ose përjashtimin nga detyrimi për pagimin e taksave për:
a) personat, të cilët kanë të ardhura nën minimumin jetik, sipas kritereve të përcaktuara në nivel kombëtar;
b) taksapaguesin, pasuria e të cilit është dëmtuar nga veprimi i forcave madhore. Në këtë rast, lehtësimi ose përjashtimi është i përkohshëm dhe kohëzgjatja përcaktohet nga këshilli bashkiak ose komunal, në raport me dëmin e shkaktuar, deri në vlerën 75 për qind.
Neni 22
Taksa mbi ndërtesat
1. Baza e taksës mbi ndërtesat është sipërfaqja e ndërtimit në metër katror e ndërtesës ose e pjesës së saj, mbi dhe nën nivelin e tokës dhe për çdo kat. Sipërfaqja në pronësi të taksapaguesit përcaktohet sipas dokumenteve, që e vërtetojnë këtë pronësi. Kategoritë minimale të ndërtesave, për efekt të bazës së taksueshme, jepen në aneksin 1, që i bashkëlidhet këtij ligji. Për çdo kategori minimale të ndërtesave, këshilli bashkiak ose komunal mund të miratojë nënkategorizime të ndërtesave, që ndodhen brenda territorit, që mbulon.
2. Niveli i taksës caktohet në lekë për metër katror. Detyrimi për takësn llogaritet si shumëzim i nivelit të taksës me bazën e taksueshme.
3. Të ardhurat e realizuara nga taksa mbi ndërtesat i takojnë 100 për qind bashkisë ose komunës, ku realizohet kjo taksë.
4. Përjashtohen nga taksa mbi ndërtesën:
a) pronat e shtetit dhe të njësive të qeverisjes vendore, që përdoren për qëllime jofitimprurëse;
b) ndërtesat e banimit, që shfrytëzohen nga qiramarrës me qira të paliberalizuara;
c) ndërtesat, që përdoren nga komunitetet fetare.
Neni 23
Taksa mbi tokën bujqësore
1. Baza e taksës mbi tokën bujqësore është sipërfaqja e tokës bujqësore, në hektar, në pronësi të taksapaguesit. Sipërfaqja e tokës në pronësi përcaktohet sipas dokumenteve, që e vërtetojnë atë. Kategoritë minimale të tokave bujqësore jepen në aneksin 2, që i bashkëlidhet këtij ligji. Për çdo kategori minimale të tokës bujqësore, këshilli bashkiak ose komunal mund të miratojë nënkategorizime.
2. Niveli i taksës caktohet në lekë për hektar. Detyrimi i taksës llogaritet si shumëzim i nivelit të taksës me bazën e tatueshme. Nivelet treguese të taksës, për çdo kategori minimale të bazës së taksës, jepen në aneksin 2, të këtij ligji.
3. Përjashtohen nga taksa tokat bujqësore, që mbillen me kultura drufrutore dhe vreshtari për pesë vitet e para nga çasti i mbjelljes.
4. Taksa e mbledhur, në mbështetje të këtij ligji, transferohet në buxhetin e bashkisë ose të komunës, ku është vendndodhja e biznesit të taksueshëm.
Neni 24
Vërtetimi i pronësisë për efekt të detyrimit për pagimin e taksave
Për efekt të detyrimit për pagimin e taksave të taksapaguesit, zyrat e taksave të bashkisë dhe të komunës njohin dokumentet e vërtetimit të pronësisë, sipas regjistrit të zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Për këtë, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme u japin të dhëna, pa shpërblim, bashkive dhe komunave, për pasuritë e paluajtshme të regjistruara pranë tyre. Zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme njoftojnë rregullisht, çdo 3 muaj, bashkitë dhe komunat për regjistrimet e reja, të kryera, dhe për ndryshimet e gjendjes së pronave. Nëse prona nuk është e regjistruar në regjistrin e pasurisë së paluajtshme, për efekt të detyrimit për pagimin e taksës nga taksapaguesit, zyrat e taksave të bashkisë dhe të komunës, për vërtetim pronësie njohin vërtetimin e pronësisë, vendimet e komisionit të kthimit dhe kompensimit të pronës, vendimet e privatizimit ose dokumentet e tjera, të lëshuara nga organet përkatëse shtetërore, në përputhje me legjislacionin përkatës, në fuqi.
Në rastin e mungesës së dokumentacionit të vërtetimit të pronësisë, bashkitë/komunat sigurojnë të dhëna nga persona juridikë, fizikë dhe individë, nëpërmjet vetëdeklarimit. Në mungesë të këtyre të dhënave, këshilli i bashkisë/komunës vendos për madhësinë e sipërfaqes së tatueshme, sipas verifikimeve të komisioneve të ngritura prej tij dhe me metoda të tjera.
Neni 25
Pronat, që shtrihen në territorin e më shumë se një njësie të qeverisjes vendore
Në rast se një pronë shtrihet në territorin e më shumë se një bashkie ose komune, pavarësisht nga vendbanimi i pronarit, secila njësi vendore e trajton pjesën e pronës, që ndodhet brenda territorit të vet, si pronë më vete dhe zbaton mbi të dispozitat e këtij ligji.
KREU V
TAKSA TË TJERA VENDORE
Neni 26
Taksa e fjetjes në hotel
1. Për qëllim të këtij ligji, me "hotel" kuptohet çdo veprimtari, që jep strehim kundrejt pagesës dhe përfshin emërtimet hotel, motel, stabiliment turistik, pension, shtëpi pritjeje, turizëm familjar dhe çdo objekt tjetër, që përdoret për këtë qëllim.
2. Baza e taksës së fjetjes në hotel është çmimi i fjetjes, sipas rastit, për dhomë ose për person, për një natë.
3. Niveli i taksës është deri në 5 për qind të çmimit të fjetjes.
4. Këshilli bashkiak ose komunal mund të miratojë kategori dhe nënkategori për klasifikimin e hoteleve, si dhe të vendosë për nivelin përkatës të taksës, brenda kufijve të përcaktuar në pikën 3, të këtij neni.
5. Detyrimi për taksën llogaritet si shumëzim i nivelit të taksës së vendosur nga bashkia ose komuna me çmimin e fjetjes dhe numrin e netëve të qëndrimit të hotel.
6. Detyrimi për taksën i takon klientit, që strehohet në hotel, detyrim i cili mbahet nga hoteli për llogari të bashkisë ose të komunës, në territorin e së cilës ndodhet hoteli. Në faturën e hotelit shënohet çmimi i fjetjes dhe mbi të vlera e taksës.
7. Derdhja e të ardhurave për këtë taksë nga hoteli në favor të bashkisë apo komunës, në juridikionin e së cilës ndodhet vendndodhja e tij, bëhet brenda datës 5 të muajit pasardhës.
Neni 27
Taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja
1. Baza e takës është vlera në lekë e investimit të ri, që kërkohet të kryhet. Klasifikimi si investim i ri dhe vlerat përkatëse përcaktohen në përputhje me legjislacionin në fuqi për dhënien e lejes së ndërtimit.
2. Niveli i taksës shprehet si përqindje e vlerës së investimit dhe është 1 deri në 3 për qind të kësaj vlere, ndërsa për bashkinë e Tiranës është 2 deri 4 për qind e saj.
3. Këshilli bashkiak ose komunal mund të miratojë kategori dhe nënkategori për klasifikimin e investimeve, të cilat mund të përdoren për vendosjen e nivelit të taksës.
4. Detyrimi për taksën i takon investitorit. E ardhura nga taksa, për çdo rast, mblidhet nga organi, që lëshon lejen e ndërtimit, dhe arkëtohet, për çdo rast, për llogari të bashkisë ose të komunës, që mbulon territorin ku do të bëhet investimi.
5. Nëse objekti, për të cilin do të bëhet investimi, shtrihet në territorin e më shumë se një njësie vendore ose kur objekti ndikon në infrastrukturën e një njësie tjetër vendore, të ardhurat nga taksa ndahen proporcionalisht ndërmjet tyre, në përputhje me raportet përkatëse të shtrirjes së objektit dhe të ndikimit të investimit në infrastrukturën e secilës njësi.
Neni 28
Taksa mbi kalimin e së drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme
1. Taksa mbi kalimin e së drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme vendoset për ndërtesat dhe të gjitha pasuritë e paluajtshme, në çastin e kalimit të së drejtës së pronësisë mbi to. Taksa paguhet nga personi, që kalon të drejtën e pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme, para kryerjes së regjistrimit, në përputhje me aktet ligjore në fuqi.
2. Baza e taksës mbi kalimin e së drejtës së pronësisë për ndërtesat është sipërfaqja e ndërtimit, pronësia e së cilës transferohet. Kategoritë e ndërtesave, për efekt të bazës së taksueshme, jepen në aneksin 3, që i bashkëlidhet këtij ligji. Niveli i taksës caktohet në lekë për metër katror të bazës së taksës. Detyrimi tatimor llogaritet si shumëzim i nivelit të taksës me bazën e tij.
3. Baza e taksës për kalimin e së drejtës së pronësisë për pasuritë e tjera të paluajtshme është vlera e shitjes së tyre. Niveli i taksës caktohet në përqindje dhe niveli tregues i taksës është 2 për qind. Detyrimi tatimor llogaritet si shumëzim i nivelit të taksës me bazën e tij.
4. Vjelja e kësaj takse bëhet nga zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, të cilat, në rolin e agjentit të taksave, përfitojnë 3 për qind të shumës së arkëtuar dhe diferencën e derdhin për llogari të buxhetit përkatës të bashkisë ose të komunës, në territorin e së cilës ndodhet pasuria, jo më vonë se data 30 e muajit pasardhës.
Neni 29
Përjashtime nga pagimi i taksës mbi kalimin e së drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme
1. Përjashtohen nga pagimi i taksës mbi kalimin e së drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme:
a) Enti Kombëtar i Banesave, Ministria e Financave dhe organet e qeverisjes, qendrore e vendore;
b) Personat, të cilët janë subjekt i tatimit mbi të ardhurat vetjake, në mbështetje të ligjit nr.8438, datë 28.12.1998, "Për tatimin mbi të ardhurat";
c) Subjektet, që dhurojnë pasuri të paluajtshme, kur përfitues të drejtpërdrejtë janë:
i. institucionet dhe entet shtetërore e publike, qendrore e vendore;
ii. bashkësitë fetare ose organizatat jofitimprurëse, kur dhurimi lidhet me atë pjesë të veprimtarisë së tyre pa qëllim fitimi. Në këto raste dhuruesi, pasi ka marrë vërtetimin nga këshilli bashkiak ose komunal për përjashtimin nga taksa, bën regjistrimin e pasurisë së paluajtshme të dhuruar. Në çastin e regjistrimit, dhuruesi paguan pjesën, që i takon agjentit të taksave.
2. Në rastet kur pranohet nga vetë palët ose kur vërtetohet ligjërisht simulim i dhurimit për llogari të një shitjeje, për shmangie nga taksa, zbatohen taksa sa dyfishi i vlerës, pavarësisht nga përgjegjësitë e tjera, sipas ligjeve në fuqi.
Neni 30
Taksa e regjistrimit të përvitshëm të mjeteve të transportit rrugor
1. Baza e taksës është lloji i mjetit të transportit rrugor.
2. Niveli i taksës shprehet në një kuotë të caktuar, sipas llojit të mjetit. Kategoritë dhe nivelet sipas mjeteve, përcaktohen në aneksin 4, që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Detyrimi për taksën i takon pronarit të mjetit.
4. E ardhura nga taksa, për çdo rast, mblidhet nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, drejtoritë rajonale, para kryerjes së kontrollit teknik vjetor të mjetit. Taksa derdhet për llogari të bashkisë ose komunës, ku pronari i mjetit ka vendbanimin ose selinë, brenda datës 10 të muajit pasardhës.
5. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor dhe Drejtoria e Qarkullimit Rrugor, në rolin e agjentit të taksave, përfitojnë, përkatësisht, 10 për qind dhe 2 për qind të shumës së arkëtuar.
6. Policia e Qarkullimit Rrugor kontrollon pagimin e kësaj takse nga zotëruesit e mjeteve dhe, kur vëren se nuk është paguar, zbaton gjobë, të barabartë me masën e taksës. Nëse taksa apo gjoba nuk paguhen brenda 10 ditëve, ajo bllokon mjetin deri në pagesën e tyre.
7. Për mjetet, që regjistrohen për herë të parë, taksa paguhet e plotë, pavarësisht nga data e regjistrimit dhe është e vlefshme për 365 ditë.
Neni 31
Përjashtimi nga pagimi i taksës së regjistrimit të përvitshëm të mjeteve të transportit rrugor
Përjashtohen nga pagimi i taksës së regjistrimit të përvitshëm mjetet në pronësi të trupit diplomatik dhe të organizatave ndërkombëtare të akredituara në Republikën e Shqipërisë, që gëzojnë statusin diplomatik, në bazë të parimit të reciprocitetit.
Neni 32
Taksa të tjera
Këshilli bashkiak ose komunal vendos bazën dhe nivelin për:
a) taksën për zënien e hapësirave publike;
b) taksën e tabelës.
Neni 33
Taksat e përkohshme vendore
Këshilli bashkiak ose komunal, kur e gjykon të domosdoshme, vendos taksa me karakter të përkohshëm, në interes të përgjithshëm të banorëve të territorit në juridiksionin e vet.
KREU VI
KUNDËRVAJTJET ADMINISTRATIVE DHE SANKSIONET
Neni 34
Kundërvajtjet administrative dhe sanksionet
1. Përbëjnë kundërvajtje administrative, kur nuk përbëjnë vepër penale, shkeljet e mëposhtme:
a) Mosregjistrimi ose mosriregjistrimi i taksapaguesit dhe/ose i bazës së taksës, si dhe mospagimi i taksës brenda afatit të caktuar, dënohen me gjobë, të barazvlefshme me 25 për qind të detyrimit për taksën.
b) Paraqitja e të dhënave, të pasakta ose të paplota, për identitetin e taksapaguesit dhe/ose të bazës së taksës, në çastin e regjistrimit ose të riregjistrimit, dhe dënohet me gjobë 10 000 (dhjetë mijë) lekë.
c) Moslejimi nga taksapaguesi i nëpunësve përkatës të hyjnë në mjedise, për të kryer verifikimet e detyrimit fiskal, dhe dënohet me gjobë 10 000 (dhjetë mijë) lekë.
2. Gjobat paguhen në favor të bashkisë dhe komunës, brenda 15 ditëve nga data kur organi përgjegjës ka nxjerrë vlerësimin.
3. Nëse detyrimet fiskale, përfshirë edhe gjobat, nuk shlyhen brenda 6 muajve nga marrja e njoftimit, zyra e taksës mund të vendosë konfiskimin e pasurive të regjistruara në emër të biznesit ose të tatimpaguesit, për atë masë, që mbulon detyrimet fiskale të papaguara.
KREU VII
TARIFAT VENDORE DHE ADMINISTRIMI I TYRE
Neni 35
Tarifat vendore dhe administrimi i tyre
1. Çdo pagesë tjetër në buxhetin e bashkisë, të komunës ose qarkut klasifikohet si tarifë kur:
a) përkon me përcaktimet e paragrafit të tretë, të nenit 16, të ligjit nr.8652, datë 31.7.2000, "Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore";
b) nuk është taksë bashkiake ose komunale, si dhe gjobë e lidhur me to, në përputhje me këtë ligj.
2. Tarifat vendosen dhe administrohen në përputhje me ligjin nr.8652, datë 31.7.2000, "Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore". Me përjashtim të rasteve të përcaktuara ndryshe, në këtë ligj ose në ligje të tjera, që rregullojnë funksionet dhe tarifat e lidhura me to, këshilli bashkiak dhe ai komunal vendosin për llojet e tarifave, nivelin, rregullat bazë për administrimin dhe mbledhjen e tyre, si dhe përcaktojnë nëse tarifat do të mblidhen nga vetë strukturat bashkiake a komunale apo nga një agjent. Në rastin e agjentit, këshilli vendos rregullat bazë kufizuese në raport me agjentin, ndërsa kryetari i bashkisë ose i komunës bën përzgjedhjen e agjentit, si dhe lidh kontratën me të.
KREU VIII
DISPOZITAT KALIMTARE DHE TË FUNDIT
Neni 36
Fillimi i ushtrimit të kompetencave
1. Ushtrimi i kompetencave të këtij ligji nga bashkitë, komunat dhe qarqet fillon më datë 1 janar 2007.
2. Organet tatimore të pushtetit qendror, nga njëra anë dhe bashkitë e komunat, nga ana tjetër, bashkëpunojnë për të bërë kalimin e kompetencave për administrimin e taksës vendore mbi biznesin e vogël dhe të të gjithë dokumentacionit përkatës, si dhe për mënyrën e procedimit, brenda vitit kalendarik 2006.
Çdo bashki e komunë kompensohet financiarisht, në përpjesëtim me koston e ulur të shpenzimeve administrative të administratës tatimore qendrore, për shkak të kalimit të kompetencave të administrimit në pushtetin vendor. Ky kompensim përdoret nga bashkitë e komunat për të përballuar koston administrative shtesë për administrimin e kësaj takse.
Neni 37
Nxjerrja e akteve nënligjore
Ministri i Financave nxjerr aktet e nevojshme për zbatimin e këtij ligji, në përputhje me përgjegjësitë e dhëna, sipas neneve 8 e 9, të ligjit nr.8560, datë 22.12.1999, "Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë.".
Neni 38
Shfuqizime
Ligji nr.7805, datë 16.3.1994, "Për tatimin mbi pasurinë", paragrafi i dytë, i nenit 51, të ligjit nr.8405, datë 17.9.1998, "Për urbanistikën", të ndryshuar, ligji nr.8982, datë 12.12.2002, "Për sistemin e taksave vendore", të ndryshuar, nenet 32/1, 32/2, 32/3, 32/4, 32/5, 32/6, 32/7, 32/8, të ligjit nr.8438, datë 28.12.1998, "Për tatimin mbi të ardhurat", të ndryshuar, ligji nr.8978, datë 12.12.2002, "Për taksën vendore për biznesin e vogël", të ndryshuar, si dhe të gjitha dispozitat e tjera, ligjore dhe nënligjore, për aq sa bien në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.
Neni 39
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi më 1 janar 2007.
K R Y E T A R I
JOZEFINA TOPALLI
* * *
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT "PËR DISA SHTESA NË LIGJIN NR.9072, DATË 22.5.2003, "PËR SEKTORIN E ENERGJISË ELEKTRIKE", TË NDRYSHUAR"
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
Propozimin e projektligjit "Për disa shtesa në ligjin nr.9072, datë 22.5.2003, "Për sektorin e energjisë elektrike", të ndryshuar", për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA SHTESA NË LIGJIN NR.9072, DATË 22.5.2003, "PËR SEKTORIN E ENERGJISË ELEKTRIKE", TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I :
Në ligjin nr.9072, datë 22.5.2003, "Për sektorin e energjisë elektrike", të ndryshuar, të bëhen këto shtesa:
Neni 1
Pas shkronjës "k", të nenit 8, shtohet shkronja "l", me këtë përmbajtje:
"l. Miraton rregullat dhe procedurat, sipas së cilave bëhen shkëmbimi dhe shitja e energjisë elektrike te furnizuesit vendas e të huaj.".
Neni 2
Pas nenit 65, shtohet neni 65/1, me këtë përmbajtje:
"Neni 65/1
Enti Rregullator i Sektorit të Energjisë Elektrike, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, miraton rregullat dhe procedurat sipas së cilave bëhen shkëmbimi dhe shitja e energjisë elektrike për shoqëritë publike, që kryejnë këto veprime.".
Neni 3
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në "Fletoren zyrtare".
K R Y E T A R I
JOZEFINA TOPALLI
* * *
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT "PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8560, DATË 22.12.1999, "PËR PROCEDURAT TATIMORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË", TË NDRYSHUAR"
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
Propozimin e projektligjit "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8560, datë 22.12.1999, "Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar", për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8560, DATË 22.12.1999, "PËR PROCEDURAT TATIMORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË", TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I :
Në ligjin nr.8560, datë 22.12.1999, "Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Neni 1
Pas pikës 7, të nenit 17/2, "Detyrat e Policisë Tatimore", shtohet pika 7/1, me këtë përmbajtje:
"7/1. Verifikon në vend numrin e punonjësve të punësuar te punëdhënësi dhe vendos penalitetet, e përcaktuara në nenin 52/3, të ligjiT, për çdo punonjës të padeklaruar në administratën tatimore.".
Neni 2
Pika 2, e nenit 30, "Pajisja me certifikatë tatimore", ndryshohet, si më poshtë vijon:
"2. Për t'u pajisur me certifikatë tatimore, tatimpaguesi duhet të paraqesë vetëm vendimin e gjykatës dhe të plotësojë formularin "Kërkesë për regjistrim". Administrata tatimore përpunon kërkesën për certifikatë tatimore, brenda 5 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës. Tatimpaguesi regjistrohet vetëm një herë, në çastin e fillimit të veprimtarisë ekonomike.".
Neni 3
Pika 3, e nenit 30, "Pajisja me certifikatë tatimore", shfuqizohet.
Neni 4
Pas nenit 52/2, shtohet neni 52/3, me këtë përmbajtje:
"Neni 52/3
Shkeljet dhe dënimet për mosregjistrimin ose mosdeklarimin e punonjësve për sigurimet shoqërore e shëndetësore
1. Mosdeklarimi i çdo punonjësi në administratën tatimore konsiderohet shkelje dhe, përveç detyrimit për pagimin e shumës së kontributeve të sigurimeve, shoqërore e shëndetësore, të papaguara, apo të tatimeve të papaguara, dënohet edhe me 10 000 (dhjetë mijë) lekë gjobë, për çdo punonjës të padeklaruar. Në këtë rast, gjoba për çdo punonjës të padeklaruar vendoset në vend nga punonjësi i policisë tatimore apo çdo punonjës tjetër i administratës tatimore, i autorizuar për këtë qëllim.
2. Vlerësimi i shumës së kontributeve apo i shumës së tatimeve, që duhet të paguajë tatimpaguesi sipas pikës 1, të këtij neni, bëhet nga punonjësit e vlerësimit, në bazë të të dhënave të punonjësve të policisë tatimore apo të çdo punonjësi tjetër të administratës tatimore, të autorizuar për kontrollin e numrit të punonjësve.".
Neni 5
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në "Fletoren zyrtare".
K R Y E T A R I
JOZEFINA TOPALLI
* * *
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT "PËR NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR.8976, DATË 12.12.2002, "PËR AKCIZAT", TË NDRYSHUAR"
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
Propozimin e projektligjit "Për një ndryshim në ligjin nr.8976, datë 12.12.2002, "Për akcizat", të ndryshuar", për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
P R O J E K T L I GJ
PËR
NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR.8976, DATË 12.12.2002, "PËR AKCIZAT", TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I :
Neni 1
Shtojca 1, bashkëlidhur ligjit nr.8976, datë 12.12.2002, "Për akcizat", të ndryshuar, zëvendësohet me shtojcën 1, që i bashkëlidhet këtij ligji.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në "Fletoren zyrtare".
K R Y E T A R I
JOZEFINA TOPALLI
* * *
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT "PËR NJË SHTESË NË LIGJIN NR.8981, DATË 12.12.2002, "PËR MIRATIMIN E NIVELEVE TË TARIFËS DOGANORE", TË NDRYSHUAR"
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
Propozimin e projektligjit "Për një shtesë në ligjin nr.8981, datë 12.12.2002, "Për miratimin e niveleve të tarifës doganore", të ndryshuar", për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
P R O J E K T L I GJ
PËR
NJË SHTESË NË LIGJIN NR.8981, DATË 12.12.2002, "PËR MIRATIMIN E NIVELEVE TË TARIFËS DOGANORE", TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I :
Neni 1
Pas nenit 1/3, të ligjit nr.8981, datë 12.12.2002, "Për miratimin e niveleve të tarifës doganore", të ndryshuar, shtohet neni 1/4 me këtë përmbajtje:
"Neni 1/4
Reduktohen në 0 për qind tarifat doganore për disa nga kodet doganore të kapitujve 84, 85 e 87, të nomenklaturës së mallrave, sipas aneksit, që i bashkëlidhet këtij ligji.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në "Fletoren zyrtare".
K R Y E T A R I
JOZEFINA TOPALLI
* * *
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT "PËR NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR.7928, DATË 27.4.1995, "PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR", TË NDRYSHUAR"
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit "Për një ndryshim në ligjin nr.7928, datë 27.4.1995, "Për tatimin mbi vlerën e shtuar", të ndryshuar", për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
P R O J E K T L I GJ
PËR
NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR.7928, DATË 27.4.1995, "PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR", TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Pika 2.1, e nenit 26, "Importimi i mallrave", të ligjit nr.7928, datë 27.4.1995, "Për tatimin mbi vlerën e shtuar", të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:
"2.1 Për makineritë dhe pajisjet e importuara, nga personat e tatueshëm, në kuptim të këtij ligji, në funksion të veprimtarisë së tyre ekonomike, pavarësisht llojit të saj, zbatohet skema e shtyrjes së pagesës së TVSH-së, deri në gjashtë muaj. Sipas kësaj skeme, TVSH-ja nuk paguhet në doganë në çastin e importit.
Këshilli i Ministrave përcakton, me udhëzim, skemën e shtyrjes së pagesës.".
Neni 2