Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e diplomimit të studentëve të masterit në Fakultetin Ekonomik
Sot pasdite, Kryeministri Sali Berisha mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të studentëve të masterit në Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës. Në këtë ceremoni morën diplomimin master në administrim dhe në Studime Ekonomike Evropiane 105 studentë pasuniversitar.
Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha ndër të tjera theksoi:
"Me shumë mirënjohje dua t'ju falënderoj për këtë mundësi dhe privilegj që më dhatë për të ndarë me studentët e Fakultetit Ekonomik gëzimin e kësaj date të shënuar në jetën e tyre. Diplomimi i tyre si ekonomist në fusha të ndryshme është një kënaqësi shumë e madhe ndaj kam nderin të ndaj me ju gëzimin e vërtetë të kësaj dite. Gjithashtu, kam dëshirën të ndaj me ju moshën e kësaj dite. Natyrisht vitet nuk mund të ribëhen, por ajo që mund të bëhet për të patur moshën tuaj është vullneti që të gjithë sëbashku të mund të shpejtojmë ditën dhe kohën për ta sjellë Shqipërinë në moshën tuaj.
Ju siguroj se qeveria do të bëjë çdo përpjekje për të realizuar këtë qëllim të madh sëbashku me ju dhe me qindra e mijëra të tjerë të rinj shqiptarë. Bashkërisht do të transformojmë arsimin shqiptar në shembullin e shkëlqyer të Fakultetit Ekonomik. Do të modernizojmë të gjithë sistemin arsimor. Në 4 vjet do të dyfishojmë buxhetin në investime për arsimin, për dijen, për të rinjtë shqiptar. Do të bëjmë çdo përpjekje që ekselencat shqiptare brenda dhe jashtë vendit t'ia përkushtojnë energjitë e tyre Shqipërisë. Të sjellim Shqipërinë në moshën tuaj, do të thotë para së gjithash t'u japësh juve mundësinë që t'i përkushtoni asaj gjeninë tuaj krijuese, mendjen dhe pasionin tuaj për profesionin dhe për zhvillimin e vendit.
Sot deklaroj me vendosmërinë më të madhe se Shqipëria së shpejti do të jetë vendi më i lirë, më i lehtë për investimet dhe investitorët e huaj. Këtë nismë e kisha menduar ta deklaroja në një takim tjetër, por nuk ka takim më të shkëlqyer se ky për ta bërë këtë gjë. Kemi nevojë për ndihmën tuaj, kemi nevojë për idetë dhe mendimet tuaja. Ndaj ju ftoj ju dhe gjithë ekonomistët shqiptar të ndihmojnë në këtë proces. Mund të sillni pranë qeverisë të gjitha idetë dhe pikpamjet tuaja. Asgjë nuk do ta pengojë qeverinë për të afruar ditën në të cilën Shqipëria do të jetë vendi më i lirë dhe i përshtatshëm për investimet dhe investitorët e huaj. Magjia e tregut do të sjellë Shqipërinë në moshën tuaj.
Ju uroj nga zemra suksese të gjithëve dhe shpreh falënderimet për profesorët tuaj. Një falënderim të përzemërt për profesorët nga universitetet e SHBA-së e Gjermanisë, të cilët bënë të mundur që ky fakultet, brenda një harku kohor të shkurtër, të arrijë nivele shumë të rëndësishme në sistemin e edukimit të vendit.
Faleminderit dhe urimet më të përzemërta".