Këshilli i Ministrave miraton buxhetin shtesë të vitit 2006
Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave miratoi buxhetin shtesë të vitit 2006. Ky buxhet u bë i mundur si rrjedhojë e përmirësimit të mbledhjes së të ardhurave fiskale nga administrata doganore dhe tatimore gjatë këtij viti. Vlera totale e këtij buxheti është 13 miliard lekë.
Buxheti do të përdoret sipas këtyre zërave kryesorë
1. Parashikohen 10.4 miliardë lekë për investime publike. Me këtë shtesë investimet në totalin e shpenzimeve rriten nga 18.5 për qind, i planifikuar në fillim të vitit 2006, në 22 për qind.
Nga kjo shumë, rreth 9.9 miliardë lekë do të përdoren për sektorin rrugor, ku do të financohen 29 projekte për ndërtimin e rrugëve si mëposhtë:
- 11 projekte ndërtim rrugësh, të cilat janë projekte në vazhdim dhe për të cilat ka kontratë të lidhur si rrugën Papër-Vidhas, Vidhas-Kombinati Metalurgjik, Sopot-Qafë Morinë, Vlorë-Orikum, Palasë-Dhërmi etj.;
- 8 projekte të segmenteve të rrugës Kalimash-Kukës, Rrëshen-Kalimash dhe Kukës-Morinë;
- 10 projekte të tjera rrugësh nacionale, të cilat janë projekte në vazhdim si: rrugët paralele të superstradës Tiranë-Vorë, rruga Qendër-Kamëz-Kthesa e Zall Herrit, Unaza Kavajë, rruga Palasë-Dhërmi, Has-Qafë Prush, rruga Transballkanike Vlorë, rruga lidhëse superstrada-qyteti Lezhë dhe unaza Shkodër.
Krahas ndërtimit të këtyre rrugëve është parashikuar financimi i 11 projekteve me vlerë 330 milion lekë për rrëshqitjet në akse nacionale, pjesa më e madhe e të cilave janë projekte me kontratë të lidhur.
Një shumë prej 2.9 miliardë lekë është parashikuar për të financuar një sërë projektesh të tjera për sistemim asfaltim dhe riveshje, qëllimi i të cilave është të përmirësojnë gjendjen teknike të rrjetit rrugor kombëtar. Buxheti parashikon financimin e rreth 55 projekte të tillë me shtrirje në të gjithë vendin.
Buxheti shtesë parashikon gjithashtu financimin e 8 projekteve për ndërtim urash dhe mbikalime me vlerë 253.6 milionë lekë, ku përfshihen ura e Kamzës, e Gomsiqes, e Peshkëpisë (Vlorë) dhe ura e Zalbbastarit, si dhe mbikalim këmbësorësh në Bahçallëk, rikonstruksioni i urës Bovillë dhe ura e Stojanit në Përmet.
Rreth 556 milionë lekë parashikohen për sektorin e ujësjellës kanalizimeve. Edhe në këtë sektor parashikohet të financohen rreth 77 projekte, me shtrirje në të gjithë vendin. Parashikohen ndërtime ujësjellësash, rehabilitime ujësjellësash në shumë komuna dhe qytete, si dhe blerje elektropompash, të cilat do të përmirësojnë ndjeshëm furnizimin me ujë.
2. Në buxhetin shtesë parashikohen rreth 1.9 miliardë lekë për financimin në formën e grantit konkurues për njësitë e qeverisjes vendore, i cili do të shpërndahet mbi bazën e projekteve që njësitë e qeverisjes vendore do të paraqesin dhe të kritereve të përcaktuara në ligjin mbi buxhetin 2006.
3. 385 milion lekë për Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit për të kompensuar një pjesë të detyrimeve që rrjedhin nga politika e subvencionit të akcizës së karburanteve për fermerët dhe peshkimin. Ndërkohë parashikohet edhe përmirësimi i mëtejshëm i skemës nisur nga rezultatet e deritanishme në zbatimin e saj. Ministria e Bujqësisë ka planifikuar financimin me 200 milion lekë të 9 projekteve për ndërtimin dhe rikonstruksionin e argjinaturave mbrojtëse për mbrojtjen nga gërryerja e lumenjve.
4. Gjithashtu buxheti parashikon financimin e një sërë projektesh të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve etj..