E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me grupet e interesit në sektorin e telekomunikacioneve

Sot paradite, kryeministri Berisha zhvilloi një takim të hapur me grupet e interesit në sektorin e telekomunikacionit. Takimi u përqendrua në diskutimin mbi masat që po ndërrmerren nga qeveria në kuadrin e liberalizimit të mëtejshëm të tregut të telekomunikacionit dhe informacionit elektronik.

Duke marrë fjalën në takim, kryeministri Berisha vlerësoi teknologjitë e reja të zhvillimit të informacionit dhe komunikimit, si kryefjalën e zhvillimit të sotëm në botë, me një ndikim të fuqishëm në fusha të rëndësishme si ajo e arsimit, shëndetsisë dhe në mënyrën e jetesës së njeriut.

Duke iu referuar të kaluarës, kryeministri u shpreh se fatkeqësisht Shqipëria zë një ndër vendet me shkallën më të ulët të implementimit të teknologjisë së informacionit.

"Në qeverisjen e kaluar telekomunikacioni, ERT-ja po jo vetëm ato, u futën në një garë të ethshme se si ta transformojnë këtë koorporatë në një piramidë të vërtetë për qytetarët shqiptarë. Koorporata e telekomit u shndërrua në një korporatë tërësisht të interesave klienteliste, të grupeve të ngushta dhe jo të qytetarëve. Kjo situatë situatë e mbajti thellësisht të frenuar futjen e tekonologjisë së informacionit në shoqërinë shqiptare. Viktimat e vërteta të kësaj politike ishin qytetarët shqiptarë, të cilëve u janë imponuar cmimet më absurde, ishin fëmijët, për të cilët interneti u shndërrua në një mollë të ndaluar".

Kryeministri Berisha parashtroi si nevojë emergjente hartimin e politikave liberale, të cilat duhet të synojnë transformimin tërësor të tregut të telekomunikacioneve, nëpërmjet uljes së ndjeshme të çmimit dhe rritjes së cilësisë së shërbimit.

Kryeministri theksoi rëndësinë e vendosjes së telekomit në një rol ndihmës për qytetarët dhe interesat e tyre. Në këtë kontekst, kryeministri Berisha kërkoi rishikimin e cmimit për përdorimin e internetit nga familjarët, duke synuar një ulje të ndjeshme të tij nën nivelin mesatar të BE. "Ligji i ri i komunikimit elektronik duhet të përgatitet brenda këtij viti dhe të miratohet. Përgëzoj amendamentet e paraqitura të cilat japin një përgjigje problemeve më emergjente, por natyrisht zbatimi është kushti më kryesor, tha në vazhdim kryeministri.

Si një çështje me rëndësi, kryeministri veçoi përdorimin e frekuencave të shkurtra, të administruara nga ERT, të cilat duhet të bëhen disponibël në mënyrën më të thjeshtë dhe më të shpejtë për operatorët e tjerë.

Duke iu drejtuar kompanive private që operojnë në këtë sektor, kryeministri Berisha kërkoi angazhimin serioz të tyre në respektimin e rregullave të tregut. "Nuk mohoet se ka patur deformime enorme dhe moszbatime të ligjit të 2004, sepse ligji në 2004 i heq monopolin Albtetlekomit, por nga ana tjetër nuk mund të mos theksohet se ka patur edhe nga ato subjekte që u bënë akorë në këtë spekullim të madh kombëtar dhe të dëmshëm për vendin.", tha kryeministri.

Në përfundim të fjalës, kryeministri garantoi se qeveria do të vendosë standarte më liberale dhe se do të plotësohet ligji për telekomunikacionet në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha grupet e interesit.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›