Fjala e mësueses për Lulzim Bashën
Në stadiumin “Asllan Rusi”
Unë kam një vajzë në Gjermani. E kam vizituar disa herë. Por, kur shkova këtë radhë, ndjeva një lehtësi dhe një gëzim të jashtëzakonshëm. Shkoja si qytetare europiane. Ato radhët e gjata para ambasadave, ankthi se do ta marr apo nuk do ta marr vizën, - i përkisnin një kohe të shkuar. Në aeroport më priti vajza. Ajo punon në aeroportin e Frankfurtit. Më tregoi se aty ajo kishte takuar shumë nëna dhe baballarë shqiptarë që shkonin të shihnin fëmijët e tyre. Por, njëkohësisht, ishte e entuziazmuar se asnjë nga vizitorët nuk kishte shkelur rregullat e vendosura për liberalizimin e vizave. E gjitha kjo u realizua falë përpjekjeve tepër të frytshme të qeverisë Berisha por, sidomos, të ministrit Basha, i cili bëri një punë të madhe mbi rregullat e vendosura. Ai doli në ekran para auditorit. Me fjalën e tij të qetë dhe, i përzemërt prej natyre, na shpjegoi neve, dëgjuesve, se përse duhej të ishim të përpiktë në respektimin e këtij akti të merituar për shqiptarët, që ishin bunkerizuar për një gjysmë shekulli nga një diktaturë rrënimtare. Fjalët e tij, të shqiptuara me sinqeritet dhe urtësisht, krijuan bindje te dëgjuesit dhe u mirëpritën prej tyre. Do të thosha edhe se, duke respektuar kriteret e BE-së, të cilat ministri Basha na i përcolli me ndjenjë, bindje dhe dashurí, ato këshilla të qarta në të mirë të vendit u përvetësuan aq mirë në masën e dëgjuesve, sa Shqipëria doli e nderuar në korrektesën ndaj faktorit ndërkombëtar. Ndërsa dy vende, njëri prej të cilëve ishte Serbia, u kritikuan nga ky faktor për abuzimin e kushteve, vendi ynë doli i paqortueshëm në respektimin e afateve kohore. Nder për vendin tonë, për qeverinë e tij, për Lulzim Bashën. Por ky nuk është i vetmi sukses i punës së kryer nga z. Basha. Unë nuk dua të flas për sukseset e tij, se ato dihen nga të gjithë dhe shihen përditë. Ai është ministri i suksesshëm i tri dikastereve që ka pas drejtuar. Këto nuk mund të mohohen. Unë sot dua të flas për formimin e tij qysh në fëmijëri, si mësuese kujdestare, madje. Pa një formim të shëndoshë në rini nuk mund të priten rezultate të mira në vijim të jetës. Fëmijëria dhe rinia janë si themeli i një shtëpie. Në Gjermani kam dëgjuar se ofendimi më i rëndë për një njeri ishte: -Ty të mungojnë vitet e fëmijërisë! Po si ka qenë fëmijëria dhe rinia e Lulit? Unë e kam pasur në klasën kujdestare. Tipari kryesor që e karakterizonte ishte vullneti dhe thjeshtësia. Ishte e pamundur të mos e kryente një detyrë, cilado të ishte kjo. Korrektesa dhe respekti për mësuesit dhe bashkëmoshatarët ishin tipare të tjera të tij. Ai ishte altruist dhe detyrat që mësuesja kujdestare, - unë në këtë rast, - i ngarkoja për të ndihmuar disa nga nxënësit që nuk ecnin si duhet në mësimet, ai i merrte me seriozitet dhe ishte një ndihmës i vërtetë e i përkushtuar. Ai ishte dashamirës dhe nxënësit pranonin me qejf të mësonin me të. Unë mbaj mend shumë episode që i tregojnë këto cilësi; por nuk është as koha as vendi që të zgjatem këtu. Zakonisht në kujtesën e mësuesve mbeten ose nxënësit shumë arrakatë, ose ata që shkëlqejnë si në sjellje, ashtu edhe në mësime. Dhe Luli ishte ndër ata që shkëlqente. Nuk ka kënaqësi më të madhe për një mësues kur sheh nxënësit e tij të përparojnë dhe të japin, më vonë, kontribute të shquara për shoqërinë dhe për vendin. Dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe. I edukuar në një familje të thjeshtë, me kërkesa të forta morale dhe studimore dhe i rritur pa privilegjet e pakicës së asaj kohë, duke shkëlqyer me aftësinë e vet pa përkrahjen e askujt, siç ndodhte - përkundrazi, - me mjaft nga ata që quheshin “të Bllokut”, apo që ishin në lidhje me të. *** Kisha vite pa e takuar Lulin nga afër. E takova në rrethana të hidhura. Para gjashtë muajsh u nda nga jeta një kolegia jonë, mësuese e fillores së Lulit. Sigurisht ne, shoqet e saj, u mblodhëm për t’i dhënë lamtumirën e fundit. Në çastin që shoqja jonë po varrosej, ndalon një makinë. Dhe, prej saj, zbret Luli. Erdhi që t’i jepte lamtumirën e fundit mësueses së tij të fillores, me gjithë punët e shumta që kishte. Ishte një e papritur që na mallëngjeu. Nuk gjendeshin gazetarë, se ai nuk erdhi për shou. Erdhi thjesht si një njeri që kishte dashuri për mësuesen, që në hapat e parë të jetës së tij. Ne kemi të drejtë ta çmojmë gjestin njerëzor dhe të jemi krenare që e kemi pas nxënës. Duke qenë njeri në kuptimin e vërtetë të fjalës, mund të punosh me dashuri për njerëzit dhe të jesh i suksesshëm në punën me ta. Nëse respekton prindërit, gruan, mësuesit, njerëzit në përgjithësi, mund të punosh denjësisht dhe në mënyrë të frytshme për shoqërinë. Prandaj unë jam e bindur që, edhe si kryetar bashkie, puna e tij do të spikasë. Ne, që e njohim në thellësi të shpirtit dhe që kemi besim absolut në intelektin dhe në aftësinë e tij, jemi tërësisht të bindur se Lulzim Basha mund të japë një kontribut të paharruar, ashtu si në Autostradën e mahnitshme të Kombit, edhe në transformimin e kryeqytetit tonë, në përmasa të papara. Tirana mund të jetë kryeqendra moderne me planimetri të respektuar, me frymëmarrje aspak asfiksuese, me një ekologji krejt të ndryshme nga ajo e sotmja, me të gjitha rrugët e rrugicat e asfaltuara, ku makinat të ecin normalisht, ku çdo qytetar të jetë i dëgjueshëm në bashki dhe ta gjejë portën gjithmonë hapur për zgjidhjen e problemeve të tij. Dhe jo të gjendet përpara një ndërtese njeri pa njeri! Suksese, Luli, në detyrën e re. Unë, si gjithnjë, do të krenohem me ty. Banorët e Tiranës do të krenohen me punën tënde.
...