Topalli: Konkursi për parlamentin e ri, transparent dhe i hapur për publikun

Zëdhënësja e Kryetares së Kuvendit, Suela Ruseti dha sot një deklaratë për mediat, lidhur me ndërtimin e Kompleksit të ri Parlamentar. Nisur nga akuzat e Partisë Socialiste për projektin në fjalë, Ruseti tha se konkursi i zhvilluar ka qenë më transparenti dhe më i hapuri për publikun. Ajo i quajti qëndrimet e Partisë Socialiste dhe kryetarit të saj, Edi Rama, si deklarata politike të mbushura me shpifje dhe trillime. “Deklarata e shokut Edvin Kristaq Rama është një gënjeshtër fund e krye, jo vetëm në çdo fjali, jo vetëm në çdo fjalë, por në çdo germë dhe shifër të saj. Shoku Edvin Rama gënjen për gjithçka në lidhje me rikonstruksionin e sallës së seancave plenare, gënjen për apartamentin, gënjen për reklamat, gënjen për votimin në internet. Konkursi i Kompleksit Parlamentar ka qenë konkursi më i hapur, më publik, më transparent i të gjitha ndërtimeve, që janë bërë në vendin tonë. Në konkurs kanë qenë të ftuar studio më të mira Ndërkombëtare që kanë paraqitur projektet e tyre studiot më autoritare të arkitekturës Botërore pa përjashtuar asnjë. Nga këto studio më serioze në Botë dorëzuan me datë 08.03.2011, 12 projekte që u vlerësuan nga një juri e përbërë nga arkitekt më të shquar që kanë ndërtuar vepra arkitekturore më të bukura të Botës. Veç këtyre projekteve në mënyrë më transparente në një transmetim direkt në sy të të gjithë shqiptarëve në seleksionimin e tre projekteve më të mira”- u shpreh zëdhënësja Ruseti. Duke specifikuar renditjen e studiove fituese, çmimin e parë e mori studion Coophimmelb (L) OU; çmimin e dytë e mori studio Mario Cucinella/politecnica; çmimin e tretë e mori studio AMA, Paris arcihiture. “Këto janë studiot më të njohura të Botës”- tha Ruseti, duke shtuar se “fituesi i çmimit të parë Ëolfgang Prix është ylli i arkitekturës Botërore”. “Meqë Edvin Kristaq Rama vazhdon të derdh lot për mauzoleumin e babait të tij shpirtëror ai përpiqet të përbalt konkurrimit më të hapur, më transparent, të vizituar masivisht nga një numër i madh Shqiptarësh, që Shqipëria ka njohur në historinë e saj. Nuk ka patur ndonjëherë një juri të personaliteteve të këtij kalibri, pa folur për kryetarin e Jurisë, zoti Hans Ibelings, maja e kritikës arkitekturore Botërore. Po nuk ka patur ndonjëherë pjesëmarrje kaq të madhe në vlerësimin e projekteve për Kompleksin e ri Parlamentar. Sigurisht ka mundësi që për afera klienteliste, Z. Rama të kishte marrë angazhimin për studio të tjera. Transparenca e plotë e bëri që të zgjidhej më e mira, siç e meriton celebrimi i 100 Vjetorit të themelimit te Shtetit Shqiptar. Kryetarja e Kuvendit sqaron se nëse do t’i kishte shkuar ndonjëherë në mendje të abuzonte me fondet publike, duke trukuar konkurse apo sajuar konkurime, do të kishte vendosur të merrte teserën e Partisë Socialiste dhe të drejtonte Bashkinë e Tiranës. Kuvendi i Shqipërisë nuk është Bashkia e Tiranës, është modeli krejt i kundërt i saj”- deklaroi më tej zëdhënësja e kryetares së Kuvendit, Suela Roseti.