Sqarim i Zëdhënësit të Kryeministrit, z.Dritan Mishto
Media e shkruar ka botuar sot lajmin sikur Kryeministri Berisha ka deklaruar dje në qytetin e Fierit shkrirjen e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimin e Pronave.
Këto shkrime janë të pavërteta dhe mesa duket, kanë për bazë keqkuptimin e deklaratës së Kryeministrit të bërë dje në Fier, në të cilën bëhej fjalë për Agjencinë e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave Publike ndaj qeverisjes vendore. Kjo agjenci ndodhet pranë Ministrisë së Brendshme.
Kryeministri Berisha deklaroi në qytetin e Fierit se agjencia duhet të përshpejtojë ritmet e transferimit të pronave tek qeverisja vendore. Gjatë takimeve të djeshme në qytetin e Fierit, Kryeministri ka shprehur mbështetje të plotë për Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave si dhe ka kërkuar nga qeveritarët vendorë të mbështesin fuqishëm kërkesat e kësaj agjencie, si një kusht përcaktues për ecurinë e reformës së pronësisë.
Kryeministri ka kërkuar nga qeveritarët vendorë që bashkë me qeverinë qëndrore të shpallin prioritetin më të parë të tyre, përfundimin sa më shpejtë të reformës së pronësisë.