E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret një delegacion të Partisë Komuniste të Kinës

Sot pasdite, Kryeministri Berisha priti në një takim një Delegacion të Partisë Komuniste të Kinës, të kryesuar nga zoti Wan Jiarui, Kryetar i Departamentit Ndërkombëtar të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës.

Bashkëbiseduesit në takim vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve në të gjitha aspektet dhe ndanë të njëjtin vullnet për forcimin e tyre në të ardhmen. Ata u ndalën edhe në bashkëpunimin mes dy partive, në funksion të nxitjes së marrëdhënieve dypalëshe.

Kryeministri Berisha i njohu pjesëmarrësit në delegacion me zhvillimet pozitive në Shqipëri, veçanërisht me klimën e favorshme të krijuar për biznesin, duke u ndalur në nismën “Shqipëria një euro” dhe të tjerë hapa në këtë drejtim.

Kryetari i Delegacionit të Partisë Komuniste kineze, Wan Jiarui, falënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen, si dhe theksoi se delegacioni do të informojë biznesin kinez për zhvillimet e favorshme në sektorin e investime në Shqipëri, duke nxitur dhe inkurajuar sipërmarrësit kinezë të investojnë dhe të zgjerojnë aktivitetin e tyre në këtë vend.

Në takim merrte pjesë Sekretari Organizativ i Partisë Demokratike (PD), zoti Flamur Noga, Sekretari i Përgjithshëm i PD-se, zoti Ridvan Bode dhe Zëdhënësi i PD-së, zoti Gerti Bogdani.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›