Kryeministri Berisha dhe Kryeministri Prodi nënshkruajnë Marrëveshjen për Ekstradimin midis dy vendeve

- Në prani të dy kryeministrave, u nënshkruan edhe dy marrëveshje të tjera bashkëpunimi
Në prani të Kryeministrit të Shqipërisë, Zotit Sali Berisha dhe Kryeministrit të Italisë, Zoti Romano Prodi, u nënshkruan sot tre marrëveshje bashkëpunimi mes dy vendeve.
Kryeministri Berisha dhe Kryeministri Prodi nënshkruan Marrëveshjen për Ekstradimin midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë, si shtesë e Konventës Europiane për Ekstradimin e 13 dhjetorit 1957 dhe Konventës Europiane për Ndihmën Juridike për Çështjet Penale e 20 Prillit 1959. Marrëveshja ka si qëllim të lehtësojë zbatimin e tyre.
Në prani të dy kryeministrave, Ministri i Arsimit dhe Shkencës Genc Pollo dhe Ambasadori italian në Shqipëri Saba D’Elia nënshkruan Programin e tretë ekzekutiv të Marrëveshjes së Bashkëpunimit Shkencor dhe Teknologjik midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Italiane, për vitet 2008-2010.
Ndërsa ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Genc Ruli dhe përfaqësuesi i kompanisë italiane energjetike “ENEL” Fulvio Conti nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit midis Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës së Republikës së Shqipërisë dhe kompanisë "ENEL."