Fjalët fluturake!
Shtëpia botuese “Naimi”, me mbështetjen e Fondacionit Kulturor “Saadi Shirazi” hodhi në qarkullim librin “Fjalë të urta perse”, përkthyer dhe krahasuar në shqip nga përkthyesja e njohur Drita Lazri. Botimi i këtij libri plotëson një hapësirë shumë të rëndësishme të bibliotekës shqipe, duke pasur parasysh komunikimin dhe ndikimin e ndërsjellët historik midis kulturës perse dhe asaj shqiptare. Procesi i ngjizjes, kryerjes dhe formalizmit të proverbave, si të tilla, kalon nëpër një mekanizëm shumë të ndërlikuar në pikëpamje gjuhësore dhe në pikëpamje të kohës gjatë së cilës ato marrin trajtën përfundimtare. Më pas, kjo urtësi popullore në trajtë sentencash kërkon po aq kohë për t’u përcjellë dhe pranuar nga një kulturë, gjuhë dhe komunitet tjetër. Botimi i fjalorit të proverbave perse në gjuhën shqipe na jep rastin për të njohur disa të vërteta krahasuese midis dy kulturave. Në traditën perse, urtësia proverbiale shprehet në dy forma të dallueshme: në formën e fjalëve të urta popullore anonime dhe në formën e fjalëve fluturake apo të sentencave të lidhura me emra personalitetesh të shquar të dijes dhe letërsisë, sidomos të traditës klasike perse, si Saadiu, Rumiu, Hafizi e të tjerë. Kurse në traditën shqiptare, fjalët e urta janë thuajse të gjitha pa autorësi, janë thesar popullor. Por nuk është rasti këtu të merremi me shkaqet dhe faktorët filologjikë apo socialë që kanë bërë këtë dallim. Së dyti, interesimi për fjalët e urta perse në traditën shqiptare ka nisur qysh në periudhën e Rilindjes. Në fjalorin e proverbave të Sami Frashërit ka dhe të tilla që referohen tek një burim pers (dhe ky fond proverbash nuk është përfshirë në botimet e fjalëve të urta shqiptare deri më sot). Kurse Naimi ka mjaft poezi me këshilla morale, të quajtura edhe “fjalë fluturake”, njësoj si në persisht, madje mund të jetë një idiomë e kalkuar prej Naimit (vëllimi me poezi të Rumiut botuar në anglisht para dy-tri vjetësh, quhet pikërisht “Fjalë fluturake“ (“Flying worlds”). Përkthyesit e letërsisë perse në shqip, Fan Noli, Vexhi Buhara, Hafiz Ali Korça, gjithashtu kanë evidentuar mjaft proverba perse, sidomos të tilla që lidhen me një autor. Edhe në antologjitë e mendimit, duke përfshirë atë të prof. Nasho Jorgaqit, ka proverba perse për të bukurën. Ndërsa studiues të tjerë, jo vetëm kanë përkthyer proverba perse, por kanë bërë dhe sprova për të krahasuar modelet e formimit të tyre. Fjalët e urta perse janë pjesë e një shtegtimi kulturor krahas pasurisë leksikore dhe asaj frazeologjike, po edhe mjeteve të fjalëformimit. Natyrisht jo të gjitha janë të përftuara në shqip prej ndikimit, por një pjesë mund të konsiderohet si ndikim, për shembull ato që kanë dhe në shfaqjen gjuhësore persizma apo orientalizma. Përmendim disa prej tyre si: qelepir ha një thes me kripë dhe proverbi analog në persisht: kur hoxha është falas mund të martojmë tërë minjtë e shtëpisë. Një tjetër në shqip është: oxhaku s’bëhet buxhak dhe proverbi analog në persisht: megjithëse ka rënë nga kali nuk e ka humbur zotnillëkun. Në përkthimin e fjalëve të urta perse në shqip nga filologia Drita Lazri vërehen disa shkallë ngjashmërie dhe pangjashmërie midis tyre dhe proverbave shqip. Botimi i librit “Fjalë të urta perse”, me përkthimin në shqip nga Drita Lazri, përbën një kontribut të vyer për pasurimin e bibliotekës shqiptare, duke iu dhënë jo vetëm lexuesit në përgjithësi, por edhe studiuesve e albanologëve një pikë reference për të kuptuar më mirë proceset letrare dhe kulturore, si dhe autorët shqiptarë, veçanërisht ata të Rilindjes, të cilët, për arsye tashmë të njohura, janë formatuar edhe nën ndikimin e kulturës dhe letërsisë perse.