Gjelbërimi i Tiranës, mision i pamundur
Gjelbërimi është një nga prioritetet parësore të shpallura, si nga mazhoranca dhe nga opozita, por sipas statistikave zyrtare, numri i hapësirave të gjelbra për frymë në kryeqytet është ulur vazhdimisht. Prej vitit 2000 e deri më sot, banorët e Tiranës kanë humbur 1 metër katror gjelbërim për person, ndërkohë që investimet në vitet e fundit janë minore, në mos inekzistente.
Nisma e fundit e kryebashkiakut Rama është “një anëtar, një pemë” dhe sipas burimeve nga bashkia kjo do të sjellë ripërtëritjen e hapësirave të humbura gjatë 9 viteve të kaluara. Në të njëjtën kohë, zyrtarisht, Bashkia e Tiranës informon se kryesisht do të mëshohet në pemët dekorative krah rrugëve dhe në parkun e Liqenit Artificial, por nuk është parashikuar asnjë hapësirë e re e gjelbër për kryeqytetasit.
Sakaq, Liqeni Artificial vetëm në vitet e fundit ka humbur një pjesë të territorit të vet, i cili me vendim të KRRT-së dhe KRRTRSH-së është kthyer në zonë ndërtimi, duke ulur më tej hapësirën e gjelbër në Tiranë.
Gjelbërimi
E ndërkohë që bashkia vijon të mbjellë pemë në bulevardet dhe rrugët e qytetit, hapësirat e gjelbra nuk ndryshojnë. Ambientalistët bëjnë të ditur se me gjelbërim mund të kuptohet vetëm parqe dhe jo pemët e rrugëve. Të njëjtin mendim ndan edhe kryetari i njësisë bashkiake numër 10, z. Gerti Bogdani, për të cilin zotimi i kryebashkiakut është vetëm demagogji.
“Gjelbërimi është diçka e dukshme dhe e matshme. Nuk është si rritja ekonomike që ndihet në mënyrë të tërthortë. Ndërkohë që njerëzit e ndjejnë rritjen ekonomike, edhe pse ajo kanalizohet për të arritur në xhepat e tyre, ata nuk mund të dallojnë gjelbërimin, që duhet të ishte diçka e kapshme. Kjo tregon qartazi se bashkia ka dështuar në këtë fushë. Nëse zoti Rama thotë se ka rritur hapësirat e gjelbra, atëherë ai llogarit edhe lulet që mbajnë qytetarët në ballkonet e apartamenteve, siç thotë një kolegu juaj”, -përfundon ai.
Në daljet e fundit publike, kryebashkiaku Rama ka deklaruar vazhdimisht se hapësirat jeshile po rriten, por i vetmi rast ku janë mbjellë pemë në një hapësirë të gjelbër ka ndodhur pak ditë më parë. E në këtë rast, pemët janë mbjellë në Parkun e Liqenit Artificial, duke mos shtuar asnjë metër të ri gjelbërim.
“Ky park është për të gjithë ata që dëshirojnë një qytet t'i ketë të dyja pamjet; edhe pamjen e zhvillimit intensiv dhe dinamik urban, edhe pamjen e natyrës së mbrojtur dhe të ruajtur, në funksion të njerëzve që e jetojnë qytetin", – kishte deklaruar z. Rama gjatë mbjelljes së 500 pemëve në parkun artificial.
Bashkia e Tiranës nuk ka deklaruar për asnjë hapësirë të re të gjelbër në kryeqytet dhe buxheti i fundit nuk parashikon krijimin e parqeve në zonat e urbanizuara, përveç pemëve në zonat ekzistuese dhe në rrugët e kryeqytetit.
Pemët dekorative
Pemët dekorative kanë qenë fusha ku ka mëshuar bashkia e kryeqytetit dhe në të gjitha këto raste ka qenë biznesi ai që ka financuar. “Një pyetje me vend që duhet bërë është se ku shkojnë taksat e gjelbërimit. Taksa në fjalë është rritur ndërkohë që edhe ato pemë që mbillen, janë me fondet e biznesit”, – kundërshton Bogdani. Sipas tij, paratë e mbledhura nga taksat shkojnë për të mbuluar deficitin buxhetor të kryeqytetit dhe në asnjë rast nuk shkojnë në destinacionin e tyre. “Përfshirja e biznesit në gjelbërim është një hap pozitiv, por biznesit mund t’i jepet shtysë edhe në forma të tjera. Ne kemi propozuar që të jepen hapësira nën administrimin e biznesit dhe në bazë të performancës së tyre mjedisore, t’u bëhet ulje në taksa, kjo do të inkurajonte më shumë sipërmarrjet private”, – thotë Bogdani.
E ndërkohë që premtimet venë e vijnë, duket se askush nuk ka një projekt të qartë për zhvillimin e hapësirave të gjelbra në kryeqytet. Hapësirat ekzistuese janë të veçuara dhe shumica e gjelbërimit është grumbulluar në Liqenin Artificial, pa të cilën Tirana do të mund të quhej fare pa gjelbërim. Zonat që janë larg liqenit nuk mund të ndjejnë gjelbërimin në një qytet të betonizuar.
“Një qytetar, një pemë” është kthyer në lajtmotiv të Bashkisë së Tiranës, e ndoshta ka ardhur çasti që hapësirat e gjelbra të mos jenë më vetëm në liqenin artificial, por të shpërndara në mbarë kryeqytetin shqiptar, për të mos e kthyer gjelbërimin e Tiranës në një mision të pamundur.