E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjalët svlejnë

Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, kërkon takime institucionale mes partive të djathta pas miratimit të kodit të ri zgjedhor. Sipas Shehit, tryezat janë të rëndësishme për të mos mbetur niveli i komunikimit vetëm me fjalë apo deklarata, pa brumë nga krerët e partive për bashkëpunim parazgjedhor

Në një kohë kur kodi zgjedhor po shkon zyrtarisht drejt votës parlamentare, kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar (LZHK), Dashamir Shehi, thotë se pas kësaj duhet që të zhvillohen tryeza institucionale për të diskutuar për koalicionin. Sipas tij, deklaratat për bashkëpunim nuk janë të mjaftueshme për të vendosur sesi do të bashkëpunojnë partitë politike me njëra-tjetrën për zgjedhjet e ardhshme. Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar thotë për “Korrierin”, se forca e tij politike mbetet e hapur për të bashkëpunuar me të gjithë subjektet e djathta, mjafton që të ketë ftesa konkrete për bashkëpunim dhe më pas diskutime. Megjithatë, Shehu thekson se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, forca e tij politike do të jetë në zgjedhje me siglën e saj, duke mohuar kështu ndonjë mundësi shkrirjeje apo federatë me ndonjë subjekt tjetër politik. “Tani mundësitë e bashkëpunimit janë, por problemi është që të miratohet fillimisht kodi zgjedhor. Duhet të fillojmë të zhvillojmë takime institucionale dhe jo kështu, me deklarime publike. Jemi të gatshëm për të bashkëpunuar me çfarëdolloj grupi që i zgjeron mundësitë tona. Por ajo që është e rëndësishme, është që ne do të dalim në zgjedhje me siglën tonë të LZHK-së”, thotë Shehu. Ai thotë gjithashtu, se e mirëpret idenë për krijimin e një koalicioni gjithëpërfshirës të djathtë, ku të jenë të ftuar të gjithë partitë e djathta parlamentare dhe joparlamentare. Vetë Shehu, i përfolur në media për një bashkëpunim me bashkëpunëtorin e hershëm të tij, Spartak Ngjela, i cili po themelon partinë e re të quajtur “Ligj dhe drejtësi”, thotë se për një mundësi të tillë bashkëpunimi aktualisht nuk ka asgjë të vendosur.

Tryeza e djathtë

Pothuajse të gjithë aleatët e djathtë kanë kërkuar që të mblidhet tryeza e kryetarëve të partive aleate të koalicionit qeverisës për të diskutuar për mënyrën e bashkëpunimit për zgjedhjet e ardhshme. Madje, republikanët kanë përcaktuar edhe datën 15 nëntor, pra para se të miratohet kodi i ri zgjedhor. Megjithatë, një propozim i tillë nuk ka marrë akoma një përgjigje nga kryeministri Sali Berisha, i cili është njëkohësisht edhe kryetar i partisë më të madhe në kampin e djathtë. Tashmë kodi i ri zgjedhor po shkon drejt miratimit dhe duket se mbledhja e tryezës së djathtë do të bëhet pas pak ditësh, pasi edhe vetë aleatët pritet të rrisin presionin për të mësuar se cila do të jetë mënyra e bashkëpunimit me Partinë Demokratike për zgjedhjet e ardhshme. Aleatët e djathtë takohen ndërmjet tyre në mënyrë informale, megjithatë akoma nuk janë gjendur në të njëjtën tryezë me Berishën, ku tema e bisedës të jetë forma e koalicionit të ardhshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›