Fjalimi i parë në Kongres, Obama: Ja sfidat me të cilat përballem
Presidenti Obama mbajti në orët e vona mbrëmë një fjalim të përbashkët përpara të dy Dhomave të Kongresit, ku për herë të parë do t’u drejtohet amerikanëve lidhur me sfidat me të cilat përballet vendi. Fjalimi konsiderohet një ngjarje e rëndësishme politike në SHBA dhe pritet që fokusi i tij të jetë kryesisht ekonomia. Obama do ta shfrytëzojë fjalimin për të parashtruar planet dhe përparësitë e tij, një përshkrim të shkurtër të të cilave ai e dha në samitin për çështjet ekonomike në Shtëpinë e Bardhë, ku ishin mbledhur ligjvënës dhe ekspertë për të diskutuar mbi mënyrat e uljes së deficitit buxhetor. Duke premtuar përgjysmimin e deficitit brenda katër vjetësh, Obama theksoi se shuma që ai trashëgon nga deficitet e lëna prej administratës Bush është 1.3 trilionë dollarë. Mes pjesëmarrësve në Samit ishte senatori Xhon Mekein, rivali republikan i Obamës në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar dhe anëtari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Erik Kantor, i cili luajti rol kryesor në përpjekjet për të bashkuar republikanët që t’i kundërviheshin paketës së stimulit ekonomik. Ai tha se e mirëpriste rastin për dialog në Shtëpinë e Bardhë. Ndërkohë shumica e amerikanëve janë shprehur optimistë për planin e Presidentit Obama, që ka të bëjë me ringjalljen e ekonomisë dhe përpjekjet e tij për të punuar me përfaqësuesit e të dy partive. Një muaj pas marrjes së postit të presidentit, 68 për qind e amerikanëve përkrahin punën e Obamës, sipas sondazheve të fundit nga “Uashington Post” dhe “ABC”. Ndërsa, sipas një ankete tjetër, 63 për qind e të anketuarve e kanë vlerësuar pozitivisht punën e Presidentit Obama dhe 75 për qind e amerikanëve shprehen optimistë për mandatin e tij katërvjeçar. Rezultatet e këtyre anketave janë publikuar në prag të paraqitjes së sotme të parë të Presidentit Obama në mbledhjen e përbashkët të dy Dhomave të Kongresit, ku pritet të flasë për planin urgjent për shpëtimin e ekonomisë.