Lika, njeriu surprizë te turqit e Haxhetepes
Jetmir Halilaj
Pak ditë më parë ka shënuar një eurogol me Haxhetepen, të cilin Gilman Lika e vlerëson si më të bukurin e karrierës së tij. “Ishte një gjuajtje nga jashtë zonës, rreth 30 metra. Topi mori një trajektore të çuditshme dhe as vetë nuk e besova që u fut në portë. Mendoj se shumë shpejt do ta hedhin në ‘you tube’. Ishte fantastik. Dua që në të ardhmen të shënoj edhe me Kombëtaren një të tillë”, ka thënë mesfushori për “Panorama”. Haxhetepe e tij fitoi në fushën e saj me rezultatin 3-1 kundër Ankarasporit dhe golin e dytë të vendësve e shënoi shqiptari. Haxhetepe është në vendin e fundit, por golin e Gilman Likës e kanë festuar sikur ekipi e ka siguruar tashmë kualifikimin. “Në fund u bë festë e madhe, tifozët nuk përmbaheshin, por edhe drejtuesit e klubit ishin në delir. Nuk më kishin parë sytë një festë të tillë”, tregon mesfushori i Kombëtares shqiptare.
Surpriza
Goli kundër Ankarasporit ishte surpriza e dytë që u bënte 22-vjeçari shqiptar drejtuesve të klubit turk. Këta të fundit, madje as vetë trajneri i skuadrës nuk e dinte se Lika më 11 shkurt do të grumbullohej me Kombëtaren ‘A’ të Shqipërisë. “Në klub erdhi ftesa dhe askush nuk u ndje. Thjesht më njoftuan dhe më udhëzuan se kur duhet të kthehesha. Pas ndeshjes, kur u ktheva të gjithë filluan të më uronin dhe nuk po e kuptoja arsyen. Ishte tamam si një festë. Fillimisht mendova se po talleshin ngaqë barazuam, ose ndoshta nuk u kishte pëlqyer loja ime. Vetëm pas disa minutash trajneri më sqaroi se askush nuk e dinte që do të shkoja të luaja me skuadrën e parë. Madje, më bënë komplimente për paraqitjen, ndonëse unë isha ende i mërzitur që nuk arritëm të fitonim”, është shprehur mesfushori i majtë. Ai shpreson që të sigurojë një vend në përfaqësuese në të ardhmen, megjithëse është i ndërgjegjshëm se nuk do ta ketë të lehtë.
Vllaznia
Të dielën ka pasur dy gëzime në një ditë. Jo vetëm që ka shënuar një gol spektakolar në kampionatin turk, por është kënaqur edhe me faktin që Vllaznia, skuadra e tij e zemrës, rimori vendin e parë në kampionatin shqiptar. “Sigurisht që u gëzova. Vllazninë e kam shumë për zemër. Dua që ata të fitojnë titullin këtë vit, sepse jam i bindur se mund ta realizojnë një objektiv të tillë”, ka thënë shkodrani. Me skuadrën kuqeblu, Lika ka luajtur për katër sezone ku ka zhvilluar 89 ndeshje dhe ka shënuar gjashtë gola.