Krimet e Rënda: Gjykata e Lartë na bllokoi hetimet e pronave të krimit
TIRANE – Një vendim unifikues i Gjykatës së Lartë duket se ka “penguar” hetimet e Prokurorisë për pronat e vendosura nga bandat kriminale. Bëhet fjalë për një vendim gjyqësor të dhënë në janar 2007 me gjyqtar kryesues të Kolegjit Thimjo Kondi ndërsa dokumenti përmban nr.2/2 i Regj.Themeltar dhe nr.1 vendimi. Çështja bën fjalë për shtetasin Xhevdet Troplini, i cili u arrestua në Durrës me akuzën e trafikimit të narkotikëve ndërsa më pas në banesën e tij u gjet një sasi e madhe parash në kesh, si dhe automjete luksoze të vendosura me fitimet e ardhura nga trafiku. Çështja bënte fjalë për sekuestrimin e pasurive: Objekte të ish-ndërmarrjes së Rritjes dhe Zënies së Peshkut Durrës, me sipërfaqe të përgjithshme prej 9.900 m2 dhe vlerat monetare prej 23.726.600 lekë, 20.505 euro dhe 203 dollarë amerikanë. Të gjitha këto pasuri u bllokuan pas arrestimit të Xhevdet Troplinit, për shkak se dosja penale ndaj tij për akuzën e trafikimit të 11 kileve heroinë u transferua nga Italia në Shqipëri dhe autoritetet e vendit tonë bënë njohjen e vendimeve dhe provave të mbledhura nga pala italiane. Duke gjykuar se vendimet e dhëna nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe Apeli i Krimeve të rënda kishin mangësi, pasi çështja duhej shqyrtuar nga pesë gjyqtarë për shkak të shumave të mëdha të pasurisë, Gjykata e Lartë vendosi rrëzimin e sekuestros mbi pronat e të akuzuarit për trafik droge dhe kthimin e parave. Vendimit më pas iu dha formë unifikuese, çka do të thotë se është një dokument i detyrueshëm për zbatim nga gjykatat dhe prokuroritë e vendit. Vendimi me pak fjalë ndalon Prokurorinë të bëjë sekuestro preventive për prona, objekte apo vlera monetare, që u përkasin personave të akuzuar për vepra penale që sjellin fitime të mëdha financiare. Duke penguar bllokimin e pronave para se pronarët e tyre të merren të pandehur, sipas Prokurorisë vendimi i Gjykatës së Lartë pengon marrjen e masave për të ndaluar tjetërsimin e pronave në fjalë. Ashtu sikurse për objektet e paluajtshme vendimi unifikues i firmosur nga ish-kryetari i Gjykatës së Lartë ndalon edhe bllokimin e shumave në kesh apo llogarive bankare që u përkasin të akuzuarve për vepra penale të krimit të organizuar, të cilat zakonisht janë fitimprurëse saqë të implikuarit ndërrojnë biznese dhe krijojnë pasuri të mëdha. Prokuroria e Krimeve të Rënda, që nga krijimi i saj ka zbuluar dhe bllokuar pronat e dhjetëra grupeve kriminale, ndërsa pas vendimit unifikues të Gjykatës së Lartë, hetimet në këtë drejtim janë “ngrirë”. tr.so