E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, Sejdiu merr çmimin “Lider i shquar botëror”

 

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, është nderuar gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara me çmimin “Lider i shquar botëror”. Çmimi është ofruar për herë të parë nga Universiteti Shtetëror i Arizonës. “Distinguished Global Leadership” iu dorëzua Presidentit Sejdiu në Feniks, Arizona, në një ambient solemn me udhëheqës të universitetit, profesorë, studentë si dhe shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në këtë vend. Në emër të universitetit çmimin e dorëzoi Anthony “Bud” Rock, zëvendës/presidenti i Universitetit Shtetëror të Arizonës. Ai theksoi se ndarja e këtij çmimi vlerëson punën e shquar të Presidentit Sejdiu si lider që ka ndihmuar në mirëkuptimin ndërkombëtar dhe ndërkulturor, nëpërmjet kontributeve të tij profesionale dhe që ka demonstruar lidership dhe të arritura të mëdha në nivel kombëtar e ndërkombëtar. Ndërsa gjatë fjalimit të tij të falënderimit, Presidenti Sejdiu theksoi se Kosova do t’ia dijë gjithmonë për nder Shteteve të Bashkuara për ndihmën që kanë dhënë për çlirimin e Kosovës dhe për ndërtimin, zhvillimin dhe përkrahjen e vazhdueshme. Sejdiu zhvilloi një takim të veçantë me udhëheqësit e këtij institucioni, me të cilët bisedoi për vazhdimësinë dhe zgjerimin e bashkëpunimit me Universitetin e Prishtinës dhe institucionet kosovare. Sejdiu u njoftua se në ASU, përpos të tjerash, ka filluar së realizuari edhe programi për studimet e gjuhës shqipe. Ndërsa gjatë vizitës në “College of Liberal Arts and Sciences”, Presidenti Sejdiu mbajti një takim me profesorë të këtij fakulteti, ku krahas trajtimit të kontributit të ASU për edukimin në Kosovë dhe perspektivës së zgjerimit të bashkëpunimit, foli edhe lidhur me zhvillimet politike, ekonomike e sociale në Kosovë, duke iu përgjigjur kështu interesimit të stafit akademik të këtij universiteti. Sejdiu u takua edhe me një grup studentësh kosovarë, që aktualisht janë duke ndjekur programin e studimeve master në ASU. Gjatë qëndrimit në Arizona, Presidenti Sejdiu u nderua edhe me mirënjohje nga organizata “Shqipja e Arizonës” për kontributin e dhënë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, si dhe mbështetjen e përhershme për komunitetin shqiptaro-amerikan. Në takimin me shqiptarët në Arizona, Presidenti Sejdiu shkëmbeu mendime lidhur me punën dhe qëndrimin e tyre në këtë vend. Pas kësaj vizite Presidenti Sejdiu ka udhëtuar për në Uashington DC, ku gjatë javës do të ketë një varg takimesh me zyrtarë të lartë të shtetit, si Sekretaren e Shtetit, Hilari Klinton. Për në Uashington kanë udhëtuar edhe Kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, të cilët do të jenë pjesë e takimit me zonjën Klinton. Më pas, Sejdiu do të qëndrojë edhe në Nju Jork, ku do të ketë takime me përfaqësues të vendeve të ndryshme në OKB.

Beogradi injoron thirrjet e Thaçit

Zyrtarët në Beograd nuk i kanë marrë seriozisht deklaratat e Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, se funksionarët shtetërorë serb në të ardhmen do të arrestohen nëse hyjnë pa leje nga Prishtina në territorin e Kosovës. Sipas tyre, këto deklarata vlejnë vetëm për opinionin publik të shqiptarëve të Kosovës. Ata janë zotuar të mos ua vënë veshin atyre, por ka edhe hije dyshime se pas këtij aksioni qëndron një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare. Shefi i Zyrës së shtypit të Qeverisë serbe, Milivoje Mihajloviç tha për gazetën “Politika”, se nuk do të ndodhë asnjë ndryshim në sjelljen e funksionarëve të shtetit nëse do t’i duhet të shkojnë në Kosovë. “Kosova është nën protektoratin e Kombeve të Bashkuara dhe bashkëbiseduesi ynë i vetëm është UNMIK dhe misionet paqësore që kanë ardhur sipas autorizimeve të sekretarit të Përgjithshëm të KB, pra EULEX”, tha Mihajlloviç. Zëdhënësja e Partisë Demokratike (DS) të presidentit Tadiç, Jelena Trivan, ka theksuar se nuk ka pasur komunikim me institucionet e panjohura në Kosovë, e as që ekziston qëllimi që të ketë iniciativa të tilla në të ardhmen.

Serbia duhet të njohë Kosovën
Presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç, ka sugjeruar se Serbia duhet të njohë pavarësinë e Kosovës. “Serbia nuk ka pasur kapacitete për të vendosur pushtetin në Kosovë dhe as për të vazhduar bisedimet, sepse nuk ka ofruar asgjë më shumë se autonomi për Kosovën”, tha Mesiç në një deklaratë për televizionin e Serbisë. Sipas tij, Kosova tani ka kufijtë e saj dhe 55 shtete e kanë njohur pavarësinë. Mesiç shtoi se, megjithëkëtë, Kosova ende ka nevojë për ndihmën ndërkombëtare.

Moska e njeh Kosovën vetëm pas Beogradit
Ambasadori rus pranë Bashkimit Evropian, Vladimir Çizhov, duke komentuar deklaratat e Thaçit se Moska mund ta njohë Kosovën, tha se kjo edhe mund të ndodhë, por jo para Serbisë. Diplomati rus mendon se nuk do të rritet shpejt numri i vendeve që do ta njohin Kosovën. “Brenda BE-së pesë shtete nuk e kanë njohur Kosovën, dhe disa nga këto shtete mbrojnë fort pozicionin se nuk do ta njohim Kosovën, madje edhe nëse Beogradi e bën këtë”, tha Çizhov.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›