Fjodora merr në dorë “Jetën”
Fare qetë, pa bujë dhe zhurmë, gazetarja Fjodora Fjora është përzgjedhur për të drejtuar revistën e mirënjohur “Jeta”! Një ofertë që Fjodorës i ka ardhur nga drejtuesit e revistës dhe që nuk kishte si t’i thuhej jo. E pranishme më së shumti në median vizive, për Fjorën drejtimi i një reviste me traditë tashmë, sigurisht që është një sfidë e re. Megjithatë, jo domosdoshmërisht e vështirë! Përsa i përket ekranit, Fjodora do të jetë sërish e pranishme me emisionin e saj “Chic“ në Vizion Plus, ashtu sikurse nuk do të lërë pas dore edhe sipërmarrjet jashtë ekranit. Por kurioziteti i të gjithëve tashmë është se cilat do të jenë ngjyrat që Fjodora do t’i japë “Jetës”. E deri në daljen e numrit të saj të parë, që do të mësojmë diçka, na duhet të presim!