E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet në port 55 kg kanabis në autoveturën e emigrantit

DURRËS 50 qese me lëndë narkotike të llojit canabis sativa janë gjetur nga efektivat e policisë antidrogë në pikën e kontrollit të portit të Durrësit, në një mjet me targa angleze. Rreth orës 22.30 të ditës së enjte, gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip Nisan me targa W 425 WKK, policia ka zbuluar lëndën narkotike me peshë totale 55.6 kg. Mjeti në fjalë është pronë e shtetasit Gentian Turja, 34 vjeç, nga Tirana, i cili vitet e fundit jeton në Angli si emigrant. Ai është arrestuar menjëherë sapo prokurori i gatshëm ka kërkuar ndalimin e tij, për akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike. 50 qeset me kanabis sativa ishin fshehur në pjesë të ndryshme të autoveturës së tij, pas sediljeve, në vendet bosh të parakolpit të autoveturës si dhe në pjesën e bagazhit. Lënda narkotike mendohet të kalonte nga porti i Durrësit me një nga tragetet e linjës drejt Italisë dhe më pas të përfundonte për tregun britanik, ku Gentian Turja punon dhe jeton si emigrant. Burimet policore e kanë zbuluar këtë sasi droge në sajë të bashkëpunëtorëve të saj në terren, të cilët kanë dhënë informacione të sakta për identitetin e drejtuesit dhe autoveturën ku gjendej lënda narkotike. A.K.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›