E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flachi, sërish rezulton pozitiv

Francesco Flachi ka rezultuar sërish pozitiv, pas kontrollit të bërë në fund të ndeshjes Brescia-Modena, më 19 dhjetor të vitit 2009. Rezultatet kanë treguar se sulmuesi italian ka përdorur sërish kokainë, të cilës ia kishte parë sherrin në vitin 2007, kur ishte diskualifikuar me 2 vjet moslojë, deri në shkurt të vitit 2009.

Këtë vendim e kishte marrë Komisioni i Apelit i Federatës së Futbollit të Italisë (FIGC), me 21 qershor të vitit 2007. Këtë dënim e kishte konfirmuar edhe Tribunali Arbitrar i Sportit (TAS), me seli në Lozanë të Zvicrës. Flachi kishte rezultuar pozitiv në kokainë në testin e bërë me 28 janar 2007, pas ndeshjes kundër Inter.

Në atë kohë, futbollisti luante për Sampdoria. Pasi i kishte përfunduar diskualifikimi, Flachi, i cili është afër 35 vjetëve, ishte angazhuar nga Empoli, ndërsa ishte rikthyer në fushë në fund të shkurtit të vitit të kaluar, në derbin e Serie B kundër Livornos. Verën që shkoi, ai ishte transferuar tek Brescia, fanellën e së cilës e ka veshur deri tash. Në një të ardhme të afërt pritet të dihet më shumë për dënimin që mund ta marrë ky futbollist. Ndoshta, ky është fundi i një karriere kontroverse të sulmuesit italian.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›