E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mos e ndotni imazhin e Afrikës

Samuel Eto'o e ka mbrojtur kontinentin e tij, pas sulmit me armë ndaj autobusit të përfaqësueses së Togos, ku mbeten të vdekur tre persona, nga kontingjenti togolez.

Ky atentat zgjoi interesim në tërë botën, ndërsa Adebayor dhe shokët e tij vendosën të mos merrnin pjesë në Kupën e Afrikës, e cila po mbahet në Algjeri. Sulmuesi i Interit kërkon që të mos njolloset emri i Afrikës, me ngjarje të tilla.

“Është mëkat që individë të caktuar mundohen ta ndotin imazhin e Afrikës. Futbolli është mbi të gjitha, edhe mbi politikën. Futbolli shërben për bashkim, edhe pse e kemi mendjen gjithnjë tek togolezët, gjatë dhe pas turneut”, shpjegoi ish-futbollisti i Barcelonës.

Kapiteni i Kamerunit, njërit prej favoritëve për ta fituar kompeticionin e Kupës së Afrikës, i është bashkuar togolezëve, duke e ndarë dhimbjen së bashku me ta.

“E kuptoj dhe e ndiej dhimbjen e Kombëtares togoleze. Kam biseduar me telefon me kapitenin e Togos dhe ia kam shprehur mbështetjen tonë”, theksoi Eto’o, duke iu referuar pikërisht yllit të Manchester Cityt, Emanuel Adebayor, i cili tashmë është rikthyer në atdhe.

Me gjasë, kërkesa e togolezëve për t’u rikthyer në Kupën e Afrikës, për nder të tre viktimave, është refuzuar nga drejtuesit e kompeticionit më të rëndësishëm afrikan, kontinent në të cilin sivjet do të mbahet Kampionati Botëror i futbollit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›