E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuqi nuk shkon në Swansea

Transferimi i Shefki Kuqit tek Swansea City duket se nuk do të realizohet, për shkak të kërkesave të menaxherit të sulmuesit kosovar. Menaxheri i klubit anglez, Paulo Sousa, e kishte identifikuar ish sulmuesin e Ipswich, Blackburn e Crystal Palace, si njeriun i cili do t’i përshtatej mjaft ekipit të tij.

Por, edhe pse Kuqi është i pasionuar për një rikthim në futbollin britanik, pasi iu bashkua verën e kaluar klubit gjerman Tus Koblenz, duket se ai nuk do të transferohet tek klubi nga Liberty Stadium. Kuqi do të dëshironte të shkonte në Angli si futbollist i lirë, duke e shkëputur kontratën me klubin gjerman dhe Swansea do të ishte e gatshme për ta paguar atë.

Por, e përditshmja angleze, Evening Post, ka mësuar se Swansea pothuajse është dorëzuar, ngase përfaqësuesit e Kuqit kanë kërkuar një shumë të lart parash, për transferimin e tij në Angli.

Problem tjetër është kohëzgjatja e kontratës që do të ishte e gatshme ta përgatiste Swansea për përfaqësuesin finlandez. Ngase, Kuqi, ka kontratë me Koblenz edhe për 18 muaj, dhe nëse largohet nga Gjermania, nuk do të pranonte ta bënte një gjë të tillë pa pranuar një kontratë afatgjate.

“Trajneri Paulo ishte i pasionuar pas Kuqit. Unë e kam shikuar këtë mundësi, por kërkesa dhe oferta janë shumë larg njëra tjetrës. Dhe, siç duket, kjo lëvizje nuk do të ndodhë”, ka thënë presidenti i Swanseas, Huw Jenkins për uebfaqen britanike Thisissouthwales.co.uk.

Swansea kishte njoftuar javën e kaluar se Kuqi ishte njëra nga katër mundësitë që kishte për repartin ofanziv. “Paulo dëshiron ta ketë në dispozicion një sulmues në janar dhe ne po shikojmë ta transferojmë futbollistin e duhur”, ka shtuar Jenkins. Edhe pse përfaqësuesi finlandez preferon rikthimin në futbollin anglez, duket se një gjë e tillë nuk do të ndodhë në afatin kalimtar të janarit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›