Schumi i ngroh motorët

Pasi nuk mundi t’i bashkohej Ferrarit, verën që shkoi, për shkak të dhembjeve në qafë, Michael Schumacher nuk ka mundur t’i rezistojë ndjenjës së garave në Formula 1.
Pas një bisedimi jo dhe aq kompleks, ai pranoi t’i bashkohej skuterisë gjermane Mercedes GP, ekip i cili ia solli titullin e kampionit pilotit Jenson Button. “Megjithëse është shkruar për rikthimin tim, e pashë që ka mbetur i njëjtë interesimi për mua, si verën e kaluar, ashtu edhe tash. Kjo do të thotë se njerëzit besojnë ende tek unë dhe kjo natyrisht se është një gjë e madhe”, ka thënë kampioni i shtatëfishtë i Gjermanisë.
Optimizmi qëndron, por kritikët nënvizojnë faktin se do të jetë vështirë të luftohet me vitet. “Me Mercedes kam një mundësi të madhe. Duke konsideruan se çfarë auto e kishin edhe vitin e kaluar, kualiteti i skuadrës dhe synimet që ka, mendoj se bëhet fjalë për një kompleks faktorësh më shumë se të favorshëm. Sidoqoftë, mendoj se do të kem në dispozicion gjithçka, në mënyrë që të arrij rezultate të nivelit të lartë. Nuk më pritet derisa të filloj”, vazhdoi piloti gjerman. Ai thotë se nuk ndien më dhembje në qafë dhe se po përgatitet çdo ditë, për sezonin e ri në Formula 1.