Flakë në garazh, digjet automjeti
TIRANE - Një garazh në katin e parë të një pallati në Allias të Tiranës, është përfshirë nga flakët mëngjesin e djeshëm. Dyshimet e policisë dhe të zjarrfikëseve janë për një zjarrvënie të qëllimshme. Zjarri ka alarmuar banorët e zonës si dhe ka vënë në lëvizje zjarrfikëset e kryeqytetit dhe policinë. Flakët e zjarrit shpërthyen mëngjesin e djeshëm në garazhin për makina në periferi të Tiranës, në Allias duke djegur brenda pak minutave një automjet tip "Benz". Fatmirësisht në momentin kur ka rënë zjarri, nuk ka pasur asnjë makinë tjetër të parkuar aty. Të alarmuar banorët e zonës lajmëruan policinë dhe shërbimin e zjarrfikëseve, të cilat mbërritën në vendngjarje dhe mundën që për pak minuta të izolojnë flakët që kërcënuan banesat pranë garazhit, duke shpëtuar edhe automjetet e tjera, që ndodheshin të parkuara në zonën përreth garazhit. Përveç një "Benz"-i të djegur nuk pati dëme të tjera nga flakët që përfshinë garazhin. Policia filloi hetimet për zbardhjen e shkaqeve të ndezjes së zjarrit dhe dyshimet e para të oficerëve të policisë, flasin për një zjarrvënie të qëllimshme. Flakët kanë nisur të përhapen me shpejtësi dhe i janë afruar shumë dy banesave private që ndodheshin pranë, por që falë ndërhyrjes së zjarrfikësve i shpëtuan zjarrit.