E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gomonia, ikin pesë kryepolicë

 

Pesë zyrtarë të policisë së Vlorës shkarkohen nga detyra pas kapjes së gomones me 316 kilogramë drogë nga policia italiane në Kanalin e Otrantos më 21 gusht. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Policisë së Shtetit, të cilat thanë se me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm Ahmet Prençi, është vendosur largimi nga detyra i drejtorit të policisë së Vlorës, zv/drejtorit të policisë së Vlorës, shefit të sektorit të Policisë Kufitare, shefit të Komisariatit të policisë Vlorë, si dhe kreut të stacionit të policisë në Dhërmi. Largimet e zyrtarëve nga detyra mësohet se janë bërë në formën e masave disiplinore pas kapjes së gomones me katër skafistë në bord, që po trafikonin 316 kilogramë hashash nga Shqipëria në Itali. Ngjarja e ndodhur mbrëmjen e 21 gushtit pas arrestimit nga policia italiane të katër shqiptarëve: Shpendi e Benjamin Islamaj dhe Metla Imamaj e Lorenc Beqirajt, duket se është bërë objekt analize në policinë shqiptare. Kjo e fundit mësohet se ka kryer hetimet e saj, por ka pritur edhe informacionet e dhëna nga pala italiane. Skafistët mësohet se kanë treguar vendin e nisjes së gomones, ndërsa policia italiane ka mësuar të dhëna të tjera nga gjurmimi i mjetit lundrues. Të gjitha provat e grumbulluara konfirmonin nisjen e gomones nga bregdeti i Vlorës. Pas këtyre fakteve, drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka vendosur largimin nga detyra të pesë zyrtarëve "përgjegjës" me argumentin, se nuk kanë marrë masat e duhura për kontrollin e vijës kufitare dhe parandalimin e trafiqeve. Ata nuk kanë zbatuar as moratoriumin antiskaf, i cili është ende në fuqi dhe ndalon përdorimin e mjeteve lundruese nga persona të pa pajisur me lejet përkatëse.
"Rikthimi" i trafikut
Pas disa viteve rresht kur kufiri detar i Shqipërisë kishte qenë i paprekur nga fenomeni i trafikut të drogës apo klandestinëve, në rrethana ende të paqarta, natën e 21 gushtit një gomone me 4 persona në bord e ngarkuar me 316 kg hashash të presuar është nisur drejt Italisë. Ajo ka mbërritur pranë brigjeve të vendit fqinj në të gdhirë, por edhe në këtë kohë, vigjilenca e Guardia di Finanza nuk ka dështuar. Gomonia e gjatë 7 metra, me 250 kuaj fuqi, u pikas 5-6 milje nga bregu në jug të zonës së San Cataldos. "Gomonia me katër shqiptarët në bord udhëtonte me shpejtësinë e rreth 25-30 nyje me drita të shuara", shkruajnë mediat italiane. Menjëherë pas zbulimit të gomones, policia është vënë në lëvizje, duke angazhuar në ndjekjen e saj dy motovedeta dhe një avion të shoqëruar me një helikopter, të cilët kanë patrulluar nga ajri gjithë zonën. Drejtuesi i gomones, ka ndezur motorët dhe është kthyer drejt lindjes me shpejtësinë maksimale. Pas kësaj dy motovedetat dhe dy mjetet që patrullonin nga ajri janë vënë në ndjekje të tyre, duke i arrestuar pas disa orësh ndjekje në det të hapur. Pas kapjes së skafistëve policia sekuestroi 316 kilogramë drogë, e cila sipas verifikimeve ishte prodhim i këtij viti e marrë në Shqipëri, ndërsa vlera e saj kap shumën e 1.5 milionë eurove.                                        re.kr

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›