Me armë nga Vlora, kapen në Brindisi
ITALI - Pranga dy shqiptarëve me pistoletë pa leje dhe dokumente false. Mediat italiane të cilat i referohen burimeve të policisë lokale pohuan dje se gjatë kontrollit të ushtruar mbi mjetin e dy të rinjve shqiptarë, tip "Audi A4" është gjetur një pistoletë "Zastava" 6.35 mm së bashku me 7 fishekët e saj. Policia pohoi se dy të arrestuarit janë Glede Metaj 30 vjeç dhe Jugert Gjoka 21 vjeç, ndaj të cilëve rëndon akuza e shkeljes së legjislacionit mbi armët. Sipas policisë, pistoleta dhe dokumentet e falsifikuara të dy shqiptarëve që ishin nisur nga porti i Vlorës, u gjetën të fshehura nën ndenjësen e pasme të mjetit. Pas verifikimeve të bëra nga autoritetet italiane ka rezultuar se 30 vjeçari Metaj ishte përjashtuar nga Italia, si person i padëshirueshëm nëpërmjet një vendimi të kuesturës së Padovës dy muaj më parë. Shkak për përzënien e tij nga shteti italian ishte kapja e tij, ndërsa përdorte dokumente të falsifikuara. Tashmë dy të rinjtë janë dërguar në një rajon policie në zonën e Brindisit ku do të qëndrojnë derisa prokuroria italiane do të vendosë për t'i mbajtur nën arrest apo do t'i deportojë drejt Shqipërisë. f.m.