Kontrabandë veshjesh, 3 në pranga, doganieri në hetim
TIRANE - Kontrabandave e veshjeve kinezë nga Greqia në Tiranë, u ka kushtuar prangat një biznesmeni dhe dy shoferëve të autobusëve të agjencisë "Klid Ballkan Interbus". Ndërsa për doganierin e Kakavijës, i cili mundësoi futjen e mallrave kontrabandë kanë nisur hetimet në gjendje të lirë. Oficerët e Antikrimit Ekonomik të Tiranës kanë mbajtur në vëzhgim lëvizjet dy autobusëve që prej momentit, që kanë kaluar në Kakavijë e deri në Tiranë. Sapo kanë mbërritur në lagjen "Kombinat", në momentin kur shoferët po zhvendosnin mallrat e kontrabanduara nga autobusët në makinën e biznesmenit që i kishte porositur, policia ka ndërhyrë duke realizuar arrestimin e tyre. Sipas burimeve nga policia mësohet se janë arrestuar Sokol Osmani, biznesmen konfeksionesh në Tregun Industrial të Tiranës, si dhe drejtuesit e autobusëve të linjës Athinë-Tiranë, Rustem Xhixha dhe nipi i tij Zyber Xhixha. Po kështu ka nisur hetim në gjendje të lirë për doganierin e Doganës së Kakavijës, Bernard Hamzaji. Operacioni i Antikrimit Ekonomik të Tiranës ka sekuestruar konfesione kineze kontrabandë me vlerë 40 mijë euro. Veshmbathjet e bllokuara nga policia mbërritën në Tiranë me dy autobusë të linjës Athinë-Tiranë, të agjencisë së udhëtimeve "Klid Ballkan Interbus", duke përshkruar itinerarin Itali-Greqi-Shqipëri.