E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flakët djegin disa hektarë në Sarandë e Gjirokastër

SARANDE/GJIROKASTER - Vatra të reja zjarri u shënuan dje në Sarandë, Gjirokastër e Mallakastër. 

 Situata më e rëndë ishte në Sarandë, në fshatrat Navaricë e Rumanxë, si dhe në afërsi të Manastirit të Shën Gjergjit. Në Rumanxë, flakët morën përmasa të mëdha, të cilat më pas përfshinë dhe fshatin Navaricë. Zjarrfikëset e Delvinës iu bashkuan atyre të Sarandës për shkak se flakët po shpërndaheshin në të gjitha anët. Në ndihmë të zjarrfikësve erdhën banorët dhe policia. Burimet zyrtare të policisë bënë të ditur se, janë djegur rreth 100 ha tokë buke dhe kullotë komunare, që përfshin fshatin Navaricë e Rumanxë. Zjarri iu afrua edhe banesave, duke e kthyer situatën tepër alarmante. Flakët rrezikuan të përfshinin edhe shtyllat të tensionit të lartë. Burime të policisë pohuan se, zjarri ishte vendosur qëllimisht dhe se për këtë u arrestuan dy nga pesë të shoqëruar. Ata janë Idajet Çobo, 58 vjeç, dhe Avni Belishaku, 55 vjeç. Për shuarjen e flakëve mbërritën dhe dy avionë nga Greqia. Në vend mbërriti dhe një helikopter nga Tirana, në të cilën ndodhej dhe kreu i Emergjencave Civile, Alfred Olli. Në orët e vonë zjarri u vu nën kontroll. Po dje, flakët përfshinë fshatin Greshicë në Mallakastër. Rreth 4 dynym me ullinj, qershi, dardha e disa lloj të tjerë drurësh u dogjën. Banorët ndërhynë vetë, edhe për shkak të terrenit duke lokalizuar flakët. Ndërkohë, në Gjirokastër dy vatra zjarri shkaktuan djegien e më tepër se 5 ha kullota. Sipas policisë, zjarri përfshiu disa hektarë në fushat e Mashkullores dhe në zonën turistike të Viroit. Drejtori i policisë Hysni Burgaj ka kërkuar mirëkuptimin e banorëve, që të shmangin në maksimum përdorimin e zjarrit. Ai tha se vatrat e zjarrit dyshohet se kanë qenë të qëllimshme. sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›