E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flakët e autobotit të gazit djegin dy punonjës



VLORË – Temperaturat e larta dhe mosrespektimi i rregullave teknike në transportimin e gazit të lëngshëm, për pak sa nuk kanë shkaktuar një tragjedi. Një autobot i shpërndarjes së gazit së firmës “Kalaja” është përfshirë nga flakët e zjarrit duke lënë të plagosur dy punëtorët e kësaj firme. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi dje pasdite në fshatin Nartë të Vlorës. Dy të lënduarit, njëri prej të cilëve është shtetasi Pëllumb Broka, ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ata ndodhen në Spitalin Rajonal të Vlorës. Forcat e zjarrfikëses kanë ndërhyrë menjëherë duke vënë nën kontroll zjarrin brenda 60 minutash, ndërkohë që shpërthimi i autobotit me gaz për pak sa nuk ka shkaktuar një tragjedi në fshatin Nartë pasi fare pranë ndodheshin depozita të tjera me gaz.
Ngjarja
Dy persona kanë shpëtuar për pak nga një shpërthim i fuqishëm i autobotit me gaz në fshatin Nartë në hyrje Vlorës. Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë autobotin e firmës së shpërndarjes së gazit “Kalaja” duke lënë të plagosur dy punonjësit e kësaj firme. Lajmi është bërë i ditur nga burime të policisë të cilët thanë se dy të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën dhe aktualisht ndodhen në spital. Burime të policisë shtojnë se shpërthimi i autobotit me gaz për pak sa nuk ka shkaktuar një tragjedi në fshatin Nartë pasi fare pranë ndodheshin depozita të tjera me gaz. Aktualisht ende nuk janë të sakta shkaqet e zjarrit ndërsa mësohet se grupi hetimor ka shkuar në vendin e ngjarjes për të zbardhur incidentin. Situata është vënë nën kontroll pasi zjarrfikëset kanë arritur të shuajnë flakët, duke shmangur kështu një shpërthim të mundshëm. Sipas bluve zjarri i fuqishëm është eliminuar vetëm pas një ore punë intensive të zjarrfikësve.
Masat
Gjatë muajve të fundit kanë ndodhur disa incidente me pasojë vdekje; vëllai dhe motra u plagosen në fillim të shkurtit në Barbullush të Shkodrës si pasojë e shpërthimit të gazit; dy pjesëtarë të një familje gjetën vdekjen në Lushnje. Ndërsa disa të tjerë janë plagosur në Elbasan. Por tragjedia e Gërdecit u bë shkas që të ndërmerren masa për transportimin e lëndëve të rrezikshme si karburantet, municionet ushtarake, pesticidet, etj. Vetëm pak ditë pas shpërthimit në Gërdec, ku gjetën vdekjen 27 persona, dhe u plagosen mbi 300 të tjerë, nisën kontrolle në të gjithë vendin. Madhe, u tha se do të ndalohej tregtimi i gazit në ndërtesat e banuara. Madje, pak javë më parë qeveria i propozoi Kuvendit një projektligj për kriteret që duhet të plotësojnë subjektet private që merren me transmetimin, shpërndarjen, furnizimin, tregtimin e gazit natyror, si dhe operimit në hapësirat e depozitimit të kësaj lënde. Projektligji “Për sektorin e gazit natyror”, parashikon masat për rritjen e sigurisë dhe përmirësimin e furnizimit të konsumatorëve me produkte energjetike të garantuara. Madje, janë propozuar edhe kushtet e licencimit për firmat që operojnë në këtë sektor, të cilat pritet ti shpërndajë Enti Rregullator i Energjisë.

26 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›