Hynë të vidhnin minimarketin, ndalohen dy të miturit
Tiranë – Uniformat blu kanë vënë në pranga dy të mitur pak pasi ata kishin hyrë të vidhnin një minimarket në kryeqytet. Burime policore thanë për gazetën se specialistet e Seksionit Kundër Vjedhjeve në bashkëpunim me Patrullat e Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 2, bënë arrestimin në flagrancë të dy 13-vjeçarëve J. A. dhe Xh. Q., 13 vjeç, banues në Tiranë. Arrestimi i tyre u bë pasi u kapën duke vjedhur minimarketin. Gjithashtu këta persona dyshohet të jenë autorë të disa vjedhjeve të tjera po në Tiranë. Materialet i kaluan Prokurorisë se Rrethit për veprën penale të “vjedhjes së mbetur në tentativë” kryer në bashkëpunim.
Ishte në kërkim për burg të pakryer, arrestohet nga policia
Tiranë – Një person i shpallur në kërkim për burgun e pakryer është ndaluar dje nga policia. Burime nga radhët e uniformave blu thanë për gazetën se Sektori i Operacioneve Speciale ne bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Faktit Tiranë për Ermal Cekën, 30 vjeç. Vendimi në fjalë përcaktonte 40 ditë burg për të sipërcituarin pasi ai kishte kryer veprën penale të “largimit të burgosurit nga vendi i qëndrimit”. Ceka i është dorëzuar autoriteteve të Drejtorisë së Përgjithshme për të kryer dënimin e dhënë nga Gjykata.
Lëkura e vjedhur çon në qeli dy persona
Tiranë – Kishin vjedhur materiale në Fabrikën e Këpucëve, por policia i ka pikasur dhe vënë menjëherë në pranga. Burime policore thanë për gazetën se dje është realizuar një operacion për arrestimin e dy shtetasve nga shërbimet e Komisariatit te Policisë Nr.1. Ylber Menaj, 30 vjeç dhe Edmond Shehi, 31 vjeç, banues në Tiranë janë vënë në pranga dje rreth orën 12:00, te Fabrika e Këpucëve në Shkozë pasi në bashkëpunim me njeri tjetrin kanë vjedhur 26 m material lëkurë këpucësh. Materialet i kaluan Prokurorisë Tiranë për veprën penale te “vjedhjes” në bashkëpunim.
Një celular që i përkiste dikujt tjetër e çoi policinë te 24-vjeçari
Tiranë – Vjedhja e një celulari i ka kushtuar prangat një të riu. Policia njofton se dje, rreth orës 23:00, u krye arrestimi nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 i Fredi Mullallit, 24 vjeç, banues në Tiranë. Ku shtetas u kap në momentin e arrestimit me një aparat telefoni të cilin ia kishte vjedhur një shtetasi. U kryen veprimet procedurale dhe materialet i kaluan Prokurorisë për veprën penale të “vjedhjes”.
26 Maj 2008