Oketa në SHBA: “Municionet do t’i shkatërrojmë brenda 2010-s”
TIRANË – Shqipëria do t’i shkatërrojë municionet e tepërta luftarake brenda 2 vjetësh. Kjo ka qenë një prej deklaratave që ka bërë ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, gjatë takimeve që ai zhvilloi në Uashington për tri ditë me radhë, në vizitën e parë të nivelit më të lartë pas marrjes së ftesës nga Shqipëria për anëtarësimin në NATO. Sipas Oketës, një nga detyrat parësore të Ministrisë së Mbrojtjes është shkatërrimi i të gjitha municioneve të tepërta që ndodhen në vend dhe që janë të vendosura në shumë depo, të cilat rrezikojnë çdo ditë jetën e qytetarëve. Lidhur me këtë ai deklaroi se “kemi vendosur që këto municione t’i shkatërrojmë brenda vitit 2010 dhe jemi të bindur për këtë pasi do të kemi jo vetëm ndihmën e mbështetjen tuaj, por edhe të të gjitha vendeve anëtare të Aleancës”. Në njoftimin për shtyp të MM thuhet se ministri shqiptar i Mbrojtjes u takua me zëvendëssekretarin e Departamentit të Mbrojtjes, z. Gordon England në selinë e Pentagonit në Uashington. Ministri Oketa gjatë fjalës së tij u shpreh: “Jemi realistë se kemi shumë për të bërë. Si Ministri e Mbrojtjes kemi përpara dy objektiva shumë të rëndësishme, por që do të shoqërohen edhe me më shumë punë. E para është anëtarësimi i plotë i Shqipërisë në NATO dhe reformat në Forcat e Armatosura Shqiptare do të vazhdojnë me synimin që në 2010-n të kemi një ushtri profesioniste”. Zv/sekretari i Mbrojtjes, Gordon England, duke analizuar marrjen e ftesës së Shqipërisë, tha: “Ju treguat që keni bërë progres si me reformat politike, ashtu në fusha të tjera. Shqipëria tregoi se mund të bëjë përparime dhe kjo është shumë e rëndësishme për të ardhmen tuaj”. Ai shtoi gjithashtu se “duhet të ecni në këtë rrugë dhe duhet të vazhdoni luftën që keni nisur ndaj korrupsionit dhe jam i bindur se vitin e ardhshëm do të jeni pa dyshim anëtarë të denjë të NATO-s”. “Sa për municionet edhe pse janë shumë të rrezikshme dhe për ju ky është një problem i madh, ju do të jeni të aftë ta përballoni, pasi jeni vendi i parë që arritët të shkatërroni të gjitha armët kimike”, - theksoi ai.
26 Maj 2008