E Shtunë, 31 Tetor 2026

MASH-i: “Tarifat e studimit të barabarta me koston e tyre”



Sipas Ministrisë së Arsimit, tarifat e shkollimit për të gjitha ciklet e studimeve janë të barabarta me koston e tyre. Drejtoresha e Drejtorisë së Politikave të Arsimit të Lartë, pranë MASH, Elida Hoxha, sqaron se tarifat e shkollimit për të gjitha ciklet e studimeve, vendosën me Vendim të Këshillit të Ministrave (me propozim të universiteteve dhe MASH) dhe ato asnjëherë nuk kalojnë koston e studimit. Sipas Hoxhës, deri tani tarifa më e lartë e studimit për ciklin e parë të studimeve është ajo e fakulteteve me kërkesë të lartë, si drejtësia me 30 mijë lekë, etj. Qeveria dhe Ministria e Arsimit me anë të politikave sociale do të motivojnë dhe ndihmojnë të rinjtë për t’u arsimuar, duke pasur parasysh jo vetëm koston e këtyre studimeve, por kryesisht nevojat e vendit për mësues të përgatitur.

Fituesit për bursat e studimit në Kolegjet e Botës së Bashkuar

Ministria e Arsimit ka shpallur dje gjashtë fituesit për bursat e studimit të ofruara nga Kolegjet e Botës së Bashkuar. Përkatësisht ata janë: Kristiana Tulina, Elbasan, Adriatic–Italy; Jurgen Fataj, Vlorë, Pearson-Canada; Mikel Qafa, Pukë, Bosnia; Kiara Prodani, Durrës, Atlantic-Uells; Tedi Dobi, Tiranë, Li PoChun-Hong-Kong; Lorela Çiraku; Durrës, Red Cros-Norvegji. Në datat 14, 15 dhe 16 maj 2008, në mjediset e Institutit të Kurrikulës dhe Trajnimit në Tiranë, u zhvillua intervista e 92 nxënësve të viteve të dyta të shkollave të mesme në shkallë kombëtare të përzgjedhur nga drejtoritë arsimore të qarqeve, si dhe të zyrave arsimore për gjashtë bursat e studimit të ofruara nga Kolegjet e Botës së Bashkuar në Itali, Angli, Norvegji, Kanada dhe Mostar të B&Hercegovinë. Faza e parë në shkallë kombëtare u zhvillua në datat 14 dhe 15 maj 2008, ku nga 92 nxënës, të cilët u intervistuan individualisht, u përzgjodhën 12 kandidatë për fazën finale. Të gjithë finalistët iu nënshtruan përsëri intervistës individuale në 16 maj 2008 dhe u shpallën fitues gjashtë nxënësit e mësipërm.

Arsimi 9-vjeçar, zhvillohet në Shkodër Olimpiada e Matematikës

Olimpiada e 13 Kombëtare e Matematikës për herë të parë këtë vit është zhvilluar në Shkodër. Rreth 162 nxënës të arsimit 9-vjeçar dhe të viteve të para të gjimnazit, nga të gjitha trojet, kanë marrë pjesë dje në këtë Olimpiadë. Agim Buklla, kryetar i klubit të matematikanëve dhe informatikanëve “Pascal” në Tetovë të Maqedonisë sqaroi se për nxënësit pjesëmarrës në Olimpiadë janë përgatitur teza me 20 pyetje dhe katër detyra. Njëra prej tezave është marrë nga revista mbarëshqiptare “Plus” që botohet në të gjithë Ballkanin dhe të tjerat janë nga literatura të ndryshme ballkanike dhe europiane. Ndërsa drejtoresha Rajonale e Arsimit në Prefekturën e qarkut të Shkodrës, Artrida Ferketi, u shpreh se kishim kohë që e kërkonim një gjë të tillë dhe më së fundi e bëmë realitet. Sipas saj, Shkodra e meriton një gjë të tillë, pasi ajo ka një traditë të mirëfilltë në organizimin dhe pjesëmarrjen në olimpiada të ndryshme.

Ministria e Shëndetësisë, zonat e thella mungesë mjekësh

Numri i mjekëve në sistemin shëndetësor në zonat e thella është shumë i ulët. Ministria e Shëndetësisë, pranon se për bluzat e bardha nuk ka një shpërndarje të drejtë të tyre. Burime të Ministrisë së Shëndetësisë 10 komuna të Dibrës, Elbasanit, Gjirokastrës, Korçës, Kukësit dhe Shkodrës, janë të pambuluara me mjekë familjeje të posaçëm. Kjo, bën që shumica e qytetarëve të këtyre zonave janë të detyruara të drejtohen në spitalet e Tiranës. Numri i përgjithshëm i personelit mjekësor në Shqipëri, në raport me vendet e tjera të Bashkimit Europian, është i ulët. Ndërsa ka një mbipopullim të kategorive të personelit shëndetësor në zonat urbane. Shëndetësia shqiptare ka trashëguar mangësi të dukshme numerike të stafit profesional, ku për 100 mijë banorë, kemi rreth tre herë më pak mjekë, dy herë më pak infermiere, dy herë më pak farmacistë dhe një herë e gjysmë më pak dentistë. Sipas, Ministrisë së Shëndetësisë pagat e mjekëve të familjes janë mjaft të larta, por pavarësisht kësaj nevojitet shtimi i numrit tyre. Paga për një mjek të tillë që ka mbingarkesë në zonat e thella malore shkon afro 100 mijë lekë në muaj, ndërsa kur ngarkesa e shërbimit është mesatar, paga përllogaritet deri në 73.410 lekë në muaj.

26 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›