Rinis greva e urisë, dhjetë minatorë ngujohen në një lokal
Forca të shumta policie kanë penguar hyrjen në ambientet e minierës, ndërsa minatorët kanë bllokuar rrugën duke vendosur gurë. Mes policëve dhe minatorëve ka pasur përplasje, por pa probleme
BULQIZË Dhjetë minatorë të minierës së kromit në Bulqizë janë futur në grevë urie, në një lokal pranë zyrave të ACR-së të këtij qyteti, e dyta pas asaj të muajit gusht. Vendimi është marrë nga komisioni i grevës, me arsyetimin se firma ACR nuk ka plotësuar kërkesat e tyre ekonomike.
Bllokimi
Pa u gdhirë dita e djeshme minatorët që kishin deklaruar ngujimin kanë hyrë në grevë urie vetëm 50 metra larg portës kryesore të ACR-së Bulqizë. Ata kanë tentuar të hyjnë në mjediset e ACR-së, por forcat e shumta të policisë nuk e kanë lejuar një gjë të tillë, madje në orët e mëngjesit ka patur një konfrontim fizik mes minatorëve dhe forcave të rendit, pasi ato kërkonin largimin e pengesave të vendosura në rrugën që të çon në minierë nga ana e minatorëve. Minatorët kishin planifikuar që greva e dytë e tyre, brenda pak javëve, të zhvillohej në thellësitë e minierës. Për të penguar një gjë të tillë forcat e policisë kanë bllokuar grykën e pusit nr.1. Para fillimit të grevës së 10 minatorëve, është mbledhur këshilli sindikal dhe komisioni i grevës, të cilët kanë rënë dakord që ajo të nisë pa afat, deri në plotësimin e 12 kërkesave të minatorëve të Bulqizës. Kryetari i këshillit sindikal të minatorëve tha se minatorët kanë pritur reagimin e Kryeministrit, Ministrisë së Ekonomisë dhe asaj të Punës. Minatorët u bënë thirrje dje të gjitha ambasadave, sidomos ambasadës amerikane të interesohen për minatorët e Bulqizës.
Në orën 09.30 një grup minatorësh kishin vendosur gurë në rrugë, për të penguar hyrjen e mjeteve në mjediset e ACR-së. Madje, disa nga minatorët janë shtrirë përtokë, derisa policia i ka larguar ata forcërisht. Për disa minuta situata është ndezur, por nuk pati të lënduar mes palëve.
Kërkesa
Largimi nga detyra i drejtorit të minierës së Bulqizës, Medat Zogu, vazhdon të mbetët e vetmja çështje e pazgjidhur, ndër kërkesat e minatorëve grevistë. Përfaqësues të firmës austriake ACR kanë takuar në Bulqizë edhe përfaqësuesit e sindikatës, ku janë pranuar gati të gjitha kërkesat e grevistëve. ACR ka rënë dakord që të rriten pagat në masën 20%, të investojë në minierë, të paguajë pagën e 13-të. Por, një ndër kërkesat më kryesore të administratës, largimin e drejtorit të minierës, ACR nuk e ka pranuar, madje e ka hedhur poshtë, duke e cilësuar si të pabazë. Pasi kanë mësuar qëndrimin e ACR-së, minatorët kanë vendosur të mos tërhiqen nga vendimi për të vijuar protestat. "Të largohet drejtori i minierës, në të kundërt ne s'kthehemi në punë dhe nuk do të ndalim protestat", deklaroi komisioni i grevës dje. Një muaj më parë nisi greva e parë e minatorëve. 16 prej tyre u ngujuan për disa ditë në thellësinë 1400 metra. Mirëpo një vendim i Gjykatës Dibër dhe ndërhyrja e forcave të policisë bënë që greva të ndërpritej.
PAJTIM HASA