E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamur Noka i përgjigjet Edi Ramës: “I madh e i vogël e di që ti je antishqiptar”

09-06-2013 / Gazeta 55

Ministri i Brendshëm, Flamur Noka i është përgjigjur akuzave të kreut të PS, Edi Rama se po krijon frymë përçarëse mes Veriut dhe Jugut të vendit. Përmes një deklarate për mediat, z.Noka deklaron se përçarësi më i madh i shqiptarëve është vetë Edi Rama, armiku i Rrugës së Kombit, siç e quajti ai. Ministri i Brendshëm solli në vëmendje gjithashtu politikën antikombëtare të kreut të PS, nga tendencat për të bllokuar liberalizimin e vizave, anëtarësimin në NATO e deri te bllokimi i statusit të vendit kandidat në BE. “Më ke ngatërruar me veten kur flet për ndasi Veri-Jug, edhe kur flet për antishqiptarizëm më ke ngatërruar me veten. Ti je antishqiptar dhe këtë e di i madh e i vogël i këtij vendi. Ti ke bërë gjithçka të bllokosh lëvizjen e lirë pa viza të qytetarëve shqiptarë se je antishqiptar. Kuksianët e dinë mirë se je armiku i Rrugës së Kombi, se je armiku i tyre. Nuk ta harrojnë kuksianët që rrugën e Kukësit e quajte rruga e asgjëkundit. Kukësi nuk do të falë faktin se ke nxjerrë edhe enturazhin tënd të shfrysh duf dhe urrejtje nëpër media kundër çdo investime në këtë qark”- u shpreh z.Noka. Në fushën e tij elektorale në Qarkun e Kukësit, ministri i Brendshëm si kryesues i listës së kandidatëve të PD, tha se do të trokasë në çdo derë të qytetarëve për t’i sqaruar ata Edi Rama është armik i progresit, është armik i tyre. “Unë nuk kam reshtur e nuk do të resht së shkuari jo në fshat, po trokas në çdo derë kuksiani, hasjani e tropojani dhe t’i sqaroj se ti je armiku i zhvillimit të tyre, se ti je armiku i përparimit të tyre, se ti je armiku i tyre”. “Zoti Rama gjithë jetën tënde je kruajtur sa në një shkop në një tjetër, por me datë 23 qershor Kukësi do ta bëjë dhuratë një shkop ku të kruhesh gjithë jetën!”- përfundon reagimi i ministrit të Brendshëm, Flamur Noka në përgjigje të akuzave të kreut të PS, Edi Rama. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›