E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Bizneset në Durrës paguajnë më shumë taksa se bizneset në Tiranë

09-06-2013 / Gazeta 55

Inaugurohet ujësjellësi i Spitallës dhe Porto-Romanos: “Mandatin e ardhshëm kompletojmë infrastrukturën moderne në të gjithë vendin”

Kryeministri Sali Berisha inauguroi dje përfundimin e punimeve për ndërtimin e ujësjellësit që bën të mundur furnizimin me ujë të banorëve të Spitallës dhe Porto Romanos. Duke ftuar banorët e kësaj zone të votojnë në zgjedhjet e 23 qershorit, Partinë Demokratike, Berisha tha se mandatin e ardhshëm do të bëhet i mundur kompletimi i infrastrukturës më moderne në të gjithë vendin, ndërsa duke iu drejtuar banorëve tha se, “po në këtë shesh, premtova solemnisht ndërtimin e ujësjellësit dhe furnizimin me ujë 24 orë për ju sot”. Kreu i qeverisë vlerësoi banorët e kësaj zone, të cilët, tha ai, kanë ardhur në këto zona kanë investuar lumenj djerse, mundi e sakrifice. “Keni ngritur një qytet të tërë, i keni dhënë Durrësit dimensionet më të mëdha në historinë e tij. Keni sjellë energji të madhe dhe ne do të bëjmë gjithçka që ndërtimet, përpjekjet tuaja, të kenë shërbimet më të mira”, deklaroi kryeministri. Ai premtoi se në katër vitet që vijnë do të asfaltohet çdo rrugë e rrugicë e Spitallës, Kënetës, Porto Romanos e Durrësit.  Kryeministri tha se do të garantojë shërbimet më cilësore, do të ndërtojë e rindërtojë çdo shkollë, qendër shëndetësore, si dhe do të bëjë gjithçka për punësimin e qytetarëve të kësaj zone. Z. Berisha informoi qytetarët edhe mbi politikat e qeverisë mbi taksat dhe përmirësimin e klimës së biznesit. Ai veçoi punimet që po kryhen në Porto Romano, duke e cilësuar atë si portin energjetik më të madh të rajonit në të ardhmen. Ne, tha ai, do të rrisim punësimin, sepse ne jemi të vendosur të dyfishojmë turizmin për Durrësin, Gjirin e Lalzit dhe gjithë bregun, do të trefishojmë grantet për fermerët shqiptarë, do të krijojmë një numër të madh sipërmarrjesh për punësim dhe prodhim. Ndërtimi i gazsjellësit Trans Adriatik (TAP), projektit më të madh që kalon nëpër Shqipëri, vijoi kryeministri, do të sjellë gazifikimin e mbarë Shqipërisë për të punësuar mijëra qytetarë, për të ulur çmimet për energjinë për ngrohje dhe gatim për çdo shqiptar. “Të gjithë ata të cilët besojnë te zhvillimi i infrastrukturës moderne, ata që duan rrugë, drita ujë, klimë miqësore për biznesin, të votojnë numrin 44, të votojnë Partinë Demokratike”, iu drejtua Kryeministri Berisha banorëve. Për të patur të qartë mashtrimet e shokut të autobusit mavi, Kryeministri Berisha ftoi qytetarët të njihen me taksat që paguan një biznes i vogël në qendër të qytetit të Durrësit dhe një biznes i vogël në qendër të qytetit të Tiranës. Biznesi në qendër të Tiranës, tha ai, paguan 40-50% më pak taksa. “Edhe njëherë për të patur të qartë mashtrimet e shokut të autobusit mavi, ju ftoj të shkoni tek një biznes i vogël në qendër të Durrësit e të pyesë sesa taksa paguan nga Vangjushi (Dako) i Ramës. Shkoni në qendër të Tiranës dhe pyesni po atë biznes sesa taksa paguan në Tiranë. Në rast se taksat e Tiranës nuk janë 40 përqind më të ulëta se këtu në Durrës, atëherë ju keni të drejtë të votoni taksat e Vangjushit”- tha ai. Kryeministri shtoi më tej, duke iu referuar akuzave të PS, se, “ju bëj thirrje, ftojeni shokun e autobusit mavi të vijë këtu, sepse deklaron çdo ditë se jeni në mesjetë, pa ujë”. “Më duhet t’i them këtij nihilisti se vetëm 5 vite më parë më pak se 60 % e shqiptarëve merrnin ujë të rrjedhshëm. Sot 90% e shqiptarëve marrin ujë të rrjedhshëm dhe çdo ditë po rritet numri i qytetarëve që po furnizohen 24 orë me ujë të rrjedhshëm”, përfundoi kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›